Apolonia fiton 4-0 në miqësore, por trajneri Kolela irritohet. Ja arsyeja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2020 | 22:55

Apolonia fiton 4-0 në miqësore, por trajneri Kolela irritohet. Ja arsyeja

Apolonia e Kolelës ka fituar 4-0 ndaj Apolonisë U-19 në testimin e radhës, por trajneri italian duket se nuk ka mbetur shumë i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve të tij. Rastet e shpërdoruara dhe golat e vonë kanë sjellë edhe irritimin e kryepankinës fierake, i cili e ka humbur durimin, duke dalë 2-3 herë në fushë, aq sa kryesori Xhuljo Agolli i ka tërhequr vëmendjen, paçka se luhej mes skuadrave brenda klubit. Shqetësimi i Kolelës mbetet “shterpësia” nga lojtarët e sulmit, të cilët vijojnë të humbasin raste shënimi në çdo ndeshje miqësore të zhvilluar.KOLELA

3 golat ndaj të rinjve u shënuan nga 3 lojtarë të ardhur nga stoli: sulmuesi Mariel Sota, që po e kthen në “zanat” rrjetën, edhe pse gjithmonë e ka nisur nga pankina; Rubin Hebeja dhe Noel Konduri, ky i fundit në testim e sipër te fierakët, teksa goli tjetër mban “firmën” e mbrojtësit Eljon Sota, kapitenit të Apolonisë. E veçantë në këtë miqësore ka qenë edhe aktivizimi i portierit Gazmir Çepele. Pas përvojave jo fort të këndshme te Bylis dhe Dinamo, 21-vjeçari rikthehet në Fier, për të qenë me sa duket portieri i tretë i ekipit të parë dhe portieri i parë për skuadrën U-21. Rikthimi i Çepeles ka bërë që të mos ketë më vend për portierin Andrea Shumeli, i cili ka tërhequr me mirëkuptimin e klubit dokumentet dhe po kërkon skuadër të re, ku rikthimi te Luftëtari i Gjirokastrës është një nga opsionet më të mundshme për Shumelin.

MIQËSORE ME BYLISIN – Apolonia ka zhvilluar 11 ndeshje miqësore gjatë kësaj vere. Në një analizë të jashtme totale, duket një bilanc jo i keq, ama, në detaje, fierakët nuk kanë bërë kushedi çfarë. Nga 4 fitore gjatë këtyre miqësoreve, 2 të tilla janë regjistruar me të rinjtë, Apoloninë U-19, fitore tjetër me Flamurtarin, një skuadër që lundron “detit” të halleve të veta. 15 gola ka shënuar Apolonia në tri miqësoret e sipërpërmendura, teksa në 8 ndeshje të tjera, vetëm 4 gola: dy në fitoren 0-2 me Tiranën dhe dy në barazimin 2-2 me Bylisin në Ballsh. Trajneri italian i Apolonisë, Xhovani Kolela, kërkon sa më shumë ndeshje miqësore, për të krijuar bindjen në konsolidimin e formacionit të tij dhe miqësorja e radhës është planifikuar këtë të shtunë, në “Adush Muça” të Ballshit. Apolonia është ndeshur dy herë me Bylisin gjatë kësaj vere: 0-2 në Fier dhe 2-2 në Ballsh.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"