Ankth te Skënderbeu, Ardit Nikaj dëmton gjurin në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 10:08

Ankth te Skënderbeu, Ardit Nikaj dëmton gjurin në stërvitje

Skënderbeu është në hall para ndeshjes së radhës me Partizanin. Në seancën e fundit stërvitore është dëmtuar sulmuesi Ardit Nikaj, i cili ka lënë fushën pas një përplasjeje në lojë. Dëmtimi i shkodranit ka sjellë jo pak ankth në kampin bardhekuq, duke parë që forca e përplasjes ka qenë e madhe dhe dëmtimi në pamje të parë është dukur serioz. Gjithçka ka ndodhur në mbyllje të seancës stërvitore, kur trajneri Ivan Gvozdenoviç ka provuar rreshtimin për ndeshjen e radhës në transfertë.

ardit nikaj

Ekipi u nda në dy pjesë: titullarët në një krah dhe pjesa tjetër e lojtarëve në krahun tjetër. Në një moment Nikaj kishte zotërimin e topit dhe Ramos ka shkuar për ta mbuluar. Sulmuesi ka marrë një goditje në gjurin e djathtë, që më parë e ka dëmtuar rëndë dhe e ka operuar, duke qëndruar jashtë fushave për më shumë sesa 6 muaj. Kontrasti mes dy lojtarëve ka qenë i fortë dhe lojtari ka ndjerë dhimbje të madhe. Stafi mjekësor i Skënderbeut i ka dhënë Nikajt ndihmën paraprake. Sipas mjekëve, gjuri ka pasur hematomë dhe një traumë të brendshme, por kontrollet e detajuara që do të zhvillohen ditët në vijim do të tregojnë më saktë shkallën e dëmtimit, që gjithsesi është serioz. Ardit Nikaj do të bëjë një rezonancë magnetike në Spitalin Rajonal të Korçës dhe më pas do të shihet shkalla e dëmtimit. Më pas do të kuptohet se sa kohë do t’i duhet shkodranit për rikuperimin.

Edhe pse nuk konfirmohet asgjë nga ana e klubit bardhekuq dhe nga stafi mjekësor, shanset janë të mëdha që sulmuesi të ketë mbyllur sezonin. Në këtë situatë, trajnerit dhe stafit të tij u duhet të gjejnë alternativën për zëvendësimin e Nikajt për tri ndeshjet e mbetura të kampionatit, duke filluar nga ajo e së shtunës në kryeqytet kundër Partizanit. Lajmi i mirë për korçarët mund të quhet bashkimi i Juri Merlim me grupin. Mesfushori brazilian, i dëmtuar në ndeshjen ndaj Erzenit, ku ka lënë fushë me barelë, sot pritet të kryejë stërvitje me lojtarët e tjerë dhe të jetë gati për trajnerin Gvozdenoviç.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"