ANALIZA/ I shpëtoi Levandovksi, por Bajerni nuk ka mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2020 | 13:02

ANALIZA/ I shpëtoi Levandovksi, por Bajerni nuk ka mbrojtje

Bajerni i Mynihut vuajti jo pak në ndeshjen e së dielës ndaj Hertës së Berlinit. Kampionët e Gjermanisë fituan në fund të ndeshjes falë një penalltie të shndërruar në gol nga Robert Levandovski që ishte edhe lojtari më i mirë për bavarezët, duke shënuar katër gola. Por të shumtë janë ata që mendojnë që te skuadra e Flik ka diçka që nuk shkon. Mbrojtja ka nisur të fusë ujë dhe skuadra e humb shumë shpejt përqendrimin duke e lejuar kundërshtarin ta vërë në vështirësi.

bayerni

MBROJTJA

Boateng është larg formës së shfaqur në Champions, por jo vetëm ai, e gjithë prapavija duket se është në një gjumë të thellë pas fitimit të Superkupës së Europës. Mungojnë dyluftimet dhe agresiviteti. Nojer në shumë raste duhet të përballet i vetëm me kundërshtarin. Kris Riçards që në ndeshjen ndaj Hertës luajti nga minuta e parë, stonoi jo pak në aspektin mbrojtës, edhe pse djaloshi ishte i saktë në momentin kur dilte në sulm për të ndihmuar skuadrën. Alfonso Dejvis vazhdon të jetë i limituar në sprinte, duke mos shfaqur potencialin e vërtetë. David Alaba ndoshta nuk meriton që ta nisë ndeshjen nga minuta e parë. Austriaku është me mendje diku tjetër dhe për këtë klubi duhet të marrë masa sa më shpejt.

LODHJA

Një temë që nuk pëlqehet të përmendet nga trajneri Flik, pasi kështu ai do të fshihej pas një alibie të kotë. Edhe pse shpeshherë 55-vjeçari shpjegon se fakti që skuadra ka pushuar pak, ka ndikuar në formën e fizike në ndeshjen ndaj Hofenhaimit dhe Hertës së Berlinit. Trajneri do ta ketë të vështirë të kryejë rrotacione, edhe pse tani në ditët e fundit të merkatos bavarezët bënë tri goditje në merkato. Gjithsesi, është e vështirë të zëvendësosh një lojtar si Tiago, pasimet e të cilit i mungojnë skuadrës ashtu si dhe qarkullimi i topit.

Paris Saint-Germain v Bayern Munich - UEFA Champions League Final

SHPËTON VETËM LEVA

Është gjithmonë atëherë kur duhet, Robert Levandovksi mori për dore skuadrën dhe duke i dhuruar tri pikë të rëndësishme në luftën për titull, edhe pse është ende herët për të menduar për trofeun. Por një gabim ndaj Hertës do të ishte një tjetër hap fals pas atij në Hofenhaimin. Gjithsesi, me Levën në skuadër bavarezët mund të shpresojnë deri në momentin e fundit për një rezultat pozitiv. Tani polaku do të ketë edhe një zëvendësues, Çupo Moting. Ish-sulmuesi i Parisit është rikthyer në Bundesligë dhe pritet të jetë “xholi” i Flikut për të zëvendësuar Levën në rast dëmtimi apo mungese për arsye të tjera. Gjithsesi, skuadra do të ketë një pushim dyjavor për shkak të impenjimeve të kombëtares përpara se të nisë kampionati, aty ku pritet një reagim në lojën nga tifozët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"