Alijev pësoi një shok, nuk luan dot 6 muaj. Nuk u ambientua dot me gjuhën dhe ushqimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2017 | 21:00

Alijev pësoi një shok, nuk luan dot 6 muaj. Nuk u ambientua dot me gjuhën dhe ushqimin

Ashtu siç “Panorama Sport” e kishte bërë me dije kohë më parë, largimi i Rauf Alijev u konfirmua dy ditë më parë, ku sulmuesi mori lejekalimin nga klubi. Lojtari, që erdhi me mjaft bujë në merkaton e verës, u sfumua shpejt, pasi mospërshtatja me ambientin në vendin tonë bëri që të mos linte gjurmë në Kategorinë Superiore.

Alijev erdhi me statusin e yllit te skuadra verilindore dhe qëllimi i tij ishte që Kukësi të ishte një trampolinë për të kaluar në ndonjë klub të njohur europian, pasi pjesëmarrja dhe një shkëlqim i mundshëm në ndeshjet e Kupave të Europës do t’ia mundësonin një gjë të tillë.

Alijev

Megjithatë, Alijev nuk ishte anonim pasi numëron plot 27 takime me Kombëtaren e vendit të tij. Por, transferimi i tij në një klub të rëndësishëm europian nuk u realizua për shkak se lojtari nuk u ambientua dot, as me gjuhën, as me ushqimin, as me stilin e kampionatit tonë.

Aktivizimi – Alijev luajti 13 takime me Kukësin, nga të cilat 7 herë në formacion, ku shënoi vetëm 3 gola dhe po aq 28-vjeçari i shënoi në Kupën e Shqipërisë. Sakaq, Kukësi kërkoi tek Alijev zëvendësimin e Pejiç, por rezultoi e kundërta.

Nuk vihen në dyshim aftësitë e Alijev, por te Kukësi nuk u përshtat ndaj dhe kontrata e tij me klubin u prish me mirëkuptim. Vetë Alijev ka folur për “azerisport.com” dhe “prosport.az” duke konfirmuar se u largua nga Kukësi me pëlqim të dyanshëm, por nuk e dinte se nuk mund të luante në një ekip të tretë përveç Inter Bakusë dhe Kukësit këtë sezon. “Nuk e dija që nuk mund të luaja për një ekip të tretë, përveç dy ekipeve që unë kam luajtur si Inter Baku dhe Kukësi. Tashmë nuk jam më në klubin e Kukësit dhe kaq mund të them, më vonë do sqaroj çdo gjë. Kam pasur oferta nga disa klube europiane, por tani e kam të pamundur, pasi nuk më lejohet që të luaj në tre ekipe. Kur e kam mësuar këtë më ka ardhur shumë keq, kam mbetur i hutuar.

Sa për rikthimin tim tek Inter Baku, do shohim, pasi për momentin nuk ka asgjë konkrete. Gjithçka do t’ia lëmë kohës”, ka thënë Alijev për mediat vendëse, të cilat kanë shtuar se sulmuesi azer kalonte pjesën më të madhe të kohës i vetmuar, teksa problemi i komunikimit ia kishte vështirësuar pa masë qëndrimin në vendin tonë.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"