Alcani largohet nga Tërbuni dhe zëvendësohet nga Ramadan Ndreu, kreu i klubit sqaron vendimin: Dua ushtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2023 | 10:21

Alcani largohet nga Tërbuni dhe zëvendësohet nga Ramadan Ndreu, kreu i klubit sqaron vendimin: Dua ushtarë

Tërbuni largon Alert Alcanin. Katër javë pa fitore (një barazim dhe tri humbje), detyruan klubin që të shkëpusë marrëdhëniet me trajnerin. Pas një bisede të zhvilluar me klubin, ka ardhur edhe “divorci”. Drejtuesit kanë gjetur menjëherë zëvendësuesit, duke zgjedhur Ramadan Ndreun.

Terbuni

Ai është prezantuar dje përpara ekipit, ku gjatë kësaj kohe ka mbajtur edhe një fjalim.

“Unë do të bëj të pamundurën për ta çuar përpara ekipin. Skuadra ka lojtarë cilësorë, ndaj me punë do të ecim përpara. U kërkoj lojtarëve që për t’ia dalë duhet të jenë të përqendruar në seancat stërvitore dhe të marrin ngarkesën e duhur. Disiplina në ekip nuk do të mungojë për asnjë arsye. Duhet të jemi një grup kompakt për t’ia dalë në ndeshjet e mbetura të kampionatit për të realizuar objektivin, por edhe për të mos zhgënjyer tifozërinë e mrekullueshme pukjane”, përfundoi deklaratën e tij krutani Ramadan Ndreu.

KRYEBASHKIAKU- Kreu i Tërbunit, Gjon Gjonaj, ka sqaruar, enkas për “Panorama Sport”, vendimin e marrë. Presidenti ka shkundur edhe një herë lojtarët, duke qartësuar objektivat. Ndërsa falënderoi edhe trajnerin e larguar për punën e bërë deri më tani, gjithashtu konfirmoi edhe trajnerin e ri.

“Më vjen keq që faza e dytë nisi kështu. Nuk kemi arritur të marrim asnjë pikë në tri ndeshje të luajtura. Më vjen keq për skuadrën që ndodhet në këtë gjendje. U kërkoj lojtarëve të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të jenë shumë të kujdesshëm për vazhdimësinë. Në fushë dua ushtarë dhe jo oficerë. I uroj suksese trajnerit të ri Ndreu, që do të fillojë menjëherë nga puna me ekipin për ndeshjen e radhës në shtëpi. Të shtunën do të luajmë kundër Besëlidhjes dhe kam besim se çdo gjë do të ecë mirë. Kam besim se trajnerit të sapoemëruar do t’i ecë mirë rrugëtimi në krye të Tërbunit. Ai ka drejtuar edhe ekipe të Superiores si Kastrioti dhe Laçi, ndaj besoj se një trajner me përvojë si Ndreu do ta çojë ekipin përpara. Ekipi ka lojtarë cilësorë dhe me përvojë që kanë luajtur edhe në elitë, por janë bërë edhe afrime të vlefshme këtë merkato. Objektivi ynë është të jemi pranë vendeve të para, jo se jemi shumë larg me pikë nga vendet e para, por ne duhet të jemi të paktën mbi 6-shen e parë. Përveç ekipeve si Dinamo e Skënderbeu, të cilat janë të shkëputura me pikë, me ekipet e tjera jemi thuajse aty-aty. Prandaj fitorja është i vetmi objektiv yni”, përfundoi numri një i Bashkisë Pukë.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"