Alarm për Belicën dhe Trashin, Demi për rekord. Ja si pritet të rreshtohet Partizani ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2019 | 15:30

Alarm për Belicën dhe Trashin, Demi për rekord. Ja si pritet të rreshtohet Partizani ndaj Teutës

Partizani është i gjithi në ankth para Teutës. Sikur të mos mjaftonte humbja në derbi dhe “furtuna” në pankinë, tashmë të kuqtë duhet t’i bëjnë llogaritë edhe me mungesa. Egzon Belica dhe Lorenc Trashi rrezikojnë të mos luajnë kundër durrsakëve. 

Stervitja e Partizanit

Qendërmbrojtësi është i dëmtuar (ka një shqetësim në këmbën e djathtë), ndërsa mbrojtësi i majtë i sëmurë (me grip). Edhe pse nuk ka asgjë të rëndë, koha e shkurtër në dispozicion nuk i jep qetësi stafit teknik. Që të dy lojtarët u paraqitën dje në kompleksin “Internacional”, por si vizitorë. Pas konsultës që patën me mjekët, u vendos të mos rrezikoheshin dhe sot do të vendoset për ta.

FORMACIONI – Priten ndryshime në 11-she dhe jo vetëm prej mungesave të pritshme. Nga provat që u bënë dje në fushë prej trajnerit të komanduar Reinaldo Kalari, u pa qartë se Partizani do të ketë tjetër “look” me Teutën.

Partizani formacioni

Ata që nuk bindën dhe gabuan me Tiranën mund të përfundojnë edhe në stol dhe më të rrezikuarit janë Romero dhe Solomon. Titullarët nuk janë fiksuar ende, por me shumë gjasë Bitri dhe Hakaj mund të jenë zëvendësuesit e mundshëm të Belicës dhe Trashit. Nëse Belica ia del, atëherë do të jetë Bitri që do të mbetet jashtë.

STËRVITJA – Në orën 10:30 startoi stërvitja e së hënës. Ishte sërish Kalari ai që e drejtoi, me ndihmën e Sakones dhe Kapeçes. Drejtori Genc Tomori ishte gjatë gjithë kohës i pranishëm dhe e vëzhgonte nga distanca seancën. Në një kohë që përgatitësi i portierëve u mor me “gardianët”, ai atletik punoi në planin fizik. Pas 25 minutash “frenat” i mori Kalari.

Partizani stervitje

Gjuajtjet drejt portës dhe krosimet morën vëmendjen, ndër sa Dejan Boldor bëri disa tentativa për të perfeksionuar goditjet me kokë drejt portës. Në fund nuk mungoi edhe një minindeshje mes grupit dhe skemat e provuara ishin të shumta. Gjatë kësaj seance ishin 22 lojtarë, ndërsa i veçuar si gjithnjë ishte Esat Mala, i cili vazhdon të jetë i “dënuar”. Lajme të mira ka për Aldo Teqjen, që dje për të parën herë iu bashkua edhe grupit.

PRESIDENTI – Ashtu si të dielën, edhe dje në stërvitje u shfaq presidenti Gazmend Demi. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që kreu i klubit të ndiqte për dy ditë me radhë stërvitjen, duke vendosur një “rekord” personal.

Demi Partizani

Ndoshta mungesa e administratorit Olsi Rama (që gjendet jashtë vendit) dhe mbi të gjitha ajo e një trajneri, e kanë detyruar presidentin që të mos i ndahet ekipit. Prezenca e tij dashur pa dashur karikon më shumë grupin, në një kohë që u është bërë e qartë se kërkohen maksimumi në 180 minutat e mbetura të këtij viti. Demi ka qëndruar për më shumë se 20 minuta në Pezë. Erdhi bashkë me Lorenc Trashin dhe më pas është takuar me drejtorin Genc Tomori, duke i dhënë udhëzimet e rastit.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"