Agim Binaku i Kosovës dhe i Shqipërisë…

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shkurt 13, 2018 | 20:32

Agim Binaku i Kosovës dhe i Shqipërisë…

BESNIK DIZDARI …Sepse Agim Binaku (1955-2018) nuk është vetëm i Kosovës, por edhe i Shqipërisë. Shumanshmëria profesionale e tij në gazetarinë e sotme të Kosovës qe një detyrim më tepër që Prishtina e gazetarisë, e sportit, e kulturës, pse jo, edhe e mjedisit tanë – sor shoqëror e qeveritar, e…

BESNIK DIZDARI

…Sepse Agim Binaku (1955-2018) nuk është vetëm i Kosovës, por edhe i Shqipërisë. Shumanshmëria profesionale e tij në gazetarinë e sotme të Kosovës qe një detyrim më tepër që Prishtina e gazetarisë, e sportit, e kulturës, pse jo, edhe e mjedisit tanë – sor shoqëror e qeveritar, e përcolli me nderime të jashtëzakonshme në lamtumirën e tij.

Binaku2

Ne e njohëm atëherë kur Kosova martire na erdhi edhe më pranë. Kishte marrë rrugën tejet të vështirë të një kohe pushtimi për tokën e tij, që të mbërrinte te Kombëtarja e Shqipërisë në Sofje në ndeshjen e 1995-ës me bullgarët. E desht fort Kosovën e tij si pakkush. Por e lëshoi vështrimin e tij largpamës thuajse njëlloj edhe te Shqipëria, që gjithashtu ishte e tij.

Përherë, buzëqeshja i endej tejet shprehëse, çka mund të ndërpritej vetëm atëherë kur te personaliteti i tij e merrte fuqinë serioziteti i mjeshtrit profesionist. Papritmas, mund të ndodhte që po aq vetvetiu, sytë t’i mbusheshin edhe me lot e ngashërimi më human që mund të ekzistojë, të shfaqej në fytyrën e tij. Ishte një shfaqje gëzimi që shpesh shpirti njerëzor na e shndërron në lot. Siç i ndodhi kur Kosova u bë anëtare e familjeve të mëdha Botërore e Europiane FIFA dhe UEFA.

E prapë mbërrinte buzëqeshja, një buzëqeshje humane e rrallë, që tashmâ po e sillte gëzimi i pamatë i njohjes së sportit të Kosovës. Çka ai e përjetonte, mbi të gjitha, si njohje të vetë Pavarësisë së Kosovës Radiokomentator, madje kritik i një objektiviteti të qartë. Kronist, madje radiokronist. Telekronist, madje drejtues televiziv programesh që aq rrufeshëm kanë bërë histori. Gazetar origjinal i fjalës së shkruar, madje botues gazete.

Binaku3

Në mbi 40 vjet karrierë të pandërprerë, ky profesionist i dorës së parë, është pa dyshim ndër më të rrallët në këtëshumanshmëri të tijën, duke u përshkuar nga gazetaria e Kosovës në Jugosllavi, tek ajo e luftës në Kosovë, për të mbërritur te ajo e Kosovës së lirë.

E, pse jo, deri dhe te gazetaria e Shqipërisë, si i pari gazetar sportiv i Kosovës që hyn me dinjitet në faqet e shtypit sportiv të Shqipërisë. Jeta e tij në dendësinë e veprimtarisë së tij të pandalshme, për fatalitet e ndërprerë këto ditë në kulmin e pjekurisë së saj, do të fiksojë fillimet (1976) e komentatorit dhe kronistit të Radio Prishtinës kur qe një djalë “i panjohur” 21- vjeçar.

Po që mbrenda më pak se 12 muajve do të shfaqet krejt befasues po në Radio Prishtinë me emisionin “Mbasditja argëtuese sportive”. Ishte një shpërthim dëgjueshmërie edhe për faktin se përkonte (1977) me skuadrën e parë të Kosovës, Trepça e Mitrovicës, që bëhet pjesë e Kampionatit të parë të Jugosllavisë.

Binaku

Për te starti qe dhënë tashmâ. Për t’u përshkuar kështu, deri në ditët e sotme, deri vetëm pak javë para se të ndahej nga jeta, në një rrugëtim që pakkush e ka përjetuar prej gazetarisë së Kosovës. Sepse të kalosh nga radio te shtypi i shkruar, nga drejtimi i emisionit radiofonik tek ai televiziv, nga editorialisti apo komentatori te polemisti i një problematike të gjerë, është diçka tejet e rrallë në profesionin tonë.

Ai ndihej një lloj luftëtari i fushës së tij që kapte përmasa. Sa ishte i dërguari i posaçëm profesionist, i një Kampionati Botëror të “Italisë 1990”, i një Olimpiade të “Sarajevo 1984”, i një Universiade botërore të Zagrebit, a të një Eurobasketi të Athinës, po aq ishte sidomos i sportit të Kosovës së tij.

Nga “Mbasditja… ” e ’76-tës tek ajo e mesit të viteve ’80 kur në Jugosllavi shpërthen sfida e Prishtinës – sfiduese e një Crvena Zvezde, Partizan të Beogradit e Hajduk – edhe për të e gjitha kjo përmbledh aventurën që jo shumë prej gazetarëve të racës shqiptare patën fatin ta përjetojnë asisoj. Mandej, kur erdhi koha e dramës së një lufte për liri, ai do të botonte revistën me emrin “TopSporti”, pa dyshim ndër më origjinalet në historinë e gjithëmbarëshme të gazetarisë sportive.

Gazetë, e cila tash nuk kishte synim parësor ngjarjet e mëdha të stadiumeve e sallave të mijëra spektatorëve, as ndeshjet luksoze të mëdha eurobotërore, që ai i kishte përjetuar fort mirë madje. Por një gazetë që, mbi të gjitha këto, synonte të përshkruante përpjekjet titanike të një populli, i cili edhe në kohë pushtimi e ndalimi kriminal, në mjedise sportive të sajuara shpejt e shpejt, gjente forca për të fuqizuar vetveten përmes asaj çka ia kishin ndaluar: shpirtit të pastër sportiv e olimpik.

Nuk qe një përshkrues i zakonshëm, qe një tregimtar me zë e me pendë, që kaloi fuqishëm nga makina e shkrimit te kompjuteri, nga mikrofoni te kamera dhe ekrani i televizionit. Qe bashkëbiseduesi i shumanshëm i e pakta nja rreth 900 emisioneve të evenimentit më popullor sportiv televiziv të sotëm në Kosovë, të cilit i vuri me aq origjinalitet emrin e vet radiotelevizionit (“Rtv21”) me të cilin qe bashkëthemelues. E quajti si një simbol ndeshjeje: “2 me 1”!

Binaku4

Na mirëpriti në Prishtinë më 1999 në Grandin e drobitur, por të lirë tashmâ, për ta bartë atje Çmimin tonë që mban emrin e themeluesit të madh Anton Mazreku, teksa në rrugët e Prishtinës ende kishin mbetur gëzhojat e një lufte. Mandej, më 2004, për ceremoninë tjetër prishtinase të Çmimit, e më mbas, më 2008, përmes sallës së Televizionit 21, duke u bërë promotor i nderimit të gazetarëve të vjetër të Kosovës. Kësisoj, ishte sa i kohës së sotme, po aq edhe tradicionalist i një historie që shtrihej ndër vite paraardhëse aq bukur edhe në Kosovë.

Ky qe njeriu, i cili, 10 vjet më parë, më 16 shkurt 2001, në natën mitike të Pavarësisë së Kosovës ushtoi përmes ekranit të vogël me fitoren e parë të madhe europiane të sportit të Kosovës së lirë me ndeshjen Prishtina- Arkatron e Minskut të hendbollit të Kupës së Europës. Dhe prej së cilës, drejtpërsë- drejti në sheshin e Prishtinës, zbriti hareja sportive tashmâ e shndërruar në atë të lirisë. “Sa e bukur qenka liria!”

Këto fjalë kanë dalë prej zërit të Agim Binakut në një natyrshmëri më të besueshme se kurrnjiherë. Ishte kjo liri që shpejt do ta “shndërronte” edhe në komentator të një Kampione të Botës dhe Olimpike të Kosovës së tij me emrin Majlinda Këlmendi. E kishte pas personazh të gazetarisë së tij qysh në “fëmijërinë” e saj sportive.

E, kampionia olimpike e kombit të tij do t’i shtonte një pikë kulmore shumashmërisë së tij profesionale. Kishte nxituar të vinte me një frymë në Shqipëri. Dhe jo vetëm për te djemtë e Kosovës që veshën fanellën e Shqipërisë. Nuk dinte t’i ndante. Dinte t’i bashkonte në një – përmes komenteve, shkrimeve dhe kronikave të tij të paharrueshme.

Pa emfazë e protagonizëm, por me maturi e natyrshmërinë e zërit të tij tingëllues, që vetë natyra nanë ia kishte falë, ai emociononte zemra, gëzonte shpirtra, mëkonte qetësi e pasuronte mendim që ndoshta më fort se asgjë t’i fal sporti. Ishte i vetmi anëtar nga Kosova i Shoqatës Shqiptare të Shtypit Sportiv dhe e kishte për nder të madh.

Ai ishte zëvendësdrejtori i palodhur dhe i talentuar i departamentit të informacionit dhe drejtori i departamentit të sporteve në “Radiotelevizionin 21”. Ia blatoi hapë- sirat e tij sa sportistëve të rinj, po aq dhe gazetarëve të rinj.

auto_AGIM1518181847

Ky ishte Agim Binaku ynë i shtrenjtë, njeriu fisnik, që dinte të çmonte fort e t’u përulej vlerave të shokut dhe që, përmes profesionit të tij, ndihej gjithnjë në shërbim të njeriut. Dhe nuk njoh një të dytë që i nderoi më fort se ai kolegët nga Shqipëria. Ishte shtetas i Kosovës dhe i Shqipërisë, gazetar i shqiptarísë deri në kufijtë më të largëta të shfaqjes së saj. Një shqiptarí që ia prekte zemrën fort, ia zgjanonte gjoksin e tij shpirtgjerë tejet sportiv, që çuditërisht papritmas e tradhtoi.

Duke na “tradhtuar” të gjithëve, familjen e tij të shtrenjtë, bashkëshorten e tij Perihane dhe djemtë, Milotin, Lorikun e Leartin, të cilët, ashtu të mirë e të fortë siç janë, e mposhtin dhimbjen e madhe. Agim Binaku la kujtimin e pashlyeshëm të gazetarit të shquar të Kosovës edhe të Shqipërisë.

Siç përcaktoi shtypi i Kosovës përmes atribuimeve të personaliteteve të jetës, qeverisjes dhe sporteve kosovare, me te “gazetaria sportive ka humbur zërin e vet” (“Koha Ditore”); “një nga veprimtarët më të mëdhenj të gazetarisë sportive shqiptare” (“Epoka e re”), “mjeshtrin e gazetarisë” (“Zëri”). Nuk do të harrohet kurrë.

 






1 comment Shfaq Komente Fshih komente
  • Bravo te lumte besnik je i madh ne te tilla shkrime

Shkruaj nje koment

www.minuta90.com