Miqësore me gjenerator, Kombëtarja synon fitore bindëse

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2012 | 13:01

Miqësore me gjenerator, Kombëtarja synon fitore bindëse

Miqësorja mes Shqipërisë dhe Moldavisë, përfundimisht do të luhet sot, në orën 20:30, në stadiumin “Qemal Stafa”. Sakaq, është zgjidhur problemi i ndriçimit, i cili do të bëhet me gjenerator, pasi kompania CEZ nuk ka pranuar që të lëshojë energji elektrike për stadiumin, duke qenë se ky impiant është debitor me 7 milionë lekë (të vjetër), shumë e akumuluar në kohë. Një ditë më parë sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani “kërcënoi” në një farë mënyre CEZ-in, duke edhe e akuzuar si “të pandjeshëm karshi Kombëtares”, duke mos pranuar që të paguajë debinë ndaj kësaj kompanie. “Unë si sekretar i federatës ia parashtrova zgjidhjen CEZ-it, duke konfirmuar se ne ishim gati të paguanim çdo shpenzim që tani e tutje, paçka se ende stadiumi nuk na ka kaluar tërësisht ne, për shkak të disa burokracive shkresore. Por ne nuk mund të marrim përsipër borxhin që një kompani e mëparshme shtetërore, e cila ka pasur në administrim stadiumin, ka karshi një kompanie tjetër, siç është në rastin konkret CEZ-i. Kjo është e pakonceptueshme. Ne të tilla kushte, ne do të lajmërojmë FIFAn. Mund të sigurohet pa problem edhe një gjenerator por, gjithsesi, FIFA ka rregulla strikte dhe nuk të lejon nisjen e një ndeshjeje ndërkombëtare pa dy burime alternative”, – pat pohuar dje Prodani. Por, sakaq, një ditë më vonë, dje federata çuditërisht as nuk lajmëroi FIFA-n, as nuk lajmëroi kundërshtarin dhe as nuk pretendoi për gjetjen e një burimi të dytë energjie alternativ, duke vendosur që takimi të luhet me drita falë gjeneratorit.

“Qemal Stafa”, në kushte të mjerueshme
“Qemal Stafa” është në një gjendje të mjerueshme. Mjafton ta shikosh tapetin e këtij impianti, mjafton të shikosh pisllëkun që ka mbuluar jo vetëm tribunat, por edhe vendet e ashtuquajtura VIP, mjafton të shikosh ambientet brenda ku kundërmojnë erërat, për t’i dhënë të drejtë trajnerit De Biazi, i cili një ditë më parë “kapi kokën me dorë” kur pa këtë stadium dhe nuk nguroi t’i kërkonte llogari edhe drejtuesit të këtij impianti për gjendjen katastrofike. Madje, italiani pohoi se do të kishte qenë më mirë që kjo ndeshje të ishte zhvilluar në një stadium tjetër. Sakaq, siç dihet, luajmë ndaj Moldavisë, një skuadër aspak popullore në vendin tonë dhe për më tepër në një miqësore. Por, edhe në këtë rast, si për çudi, drejtuesit e stadiumit dhe të FSHF-së, në vend që të mundohen që nëpërmjet medias të krijojnë një frymë pozitiviste dhe të afrojnë sa më shumë sportdashës, bëjnë të kundërt: censurojnë pikërisht këtë të fundit (a thua se këtu qëndron problemi). Edhe pse zyra e shtypit në FSHF informoi për seancën stërvitore në orën 18:30, edhe pse “Panorama Sport” u vu në dispozicion të pasqyrimit të stërvitjes, duke hyrë në ambientet e stadiumit, nuk vonoi shumë dhe u detyrua të përballej me reagimin e drejtorit të përkohshëm, Ardian Cani, i cili nuk lejoi ndjekjen e stërvitjes.

FIFA pritet të “djegë” stadiumin
Ndërkohë Prodani ka shprehur haptazi shqetësimin edhe për punimet që po bëhen para stadiumit. “Sakaq, një problem shqetësues është fakti se sheshi përpara është rrethuar për disa punime. Në takimin që u bë para pak kohësh mes bashkisë, federatës dhe inspektorit të FIFA-s, u ra dakord që të gjendej një zgjidhje duke bërë disa punime të vogla. Një gjë e tillë nuk është bërë ende dhe nëse nga momenti në moment inspektorët e FIFA-s vijnë për të parë gjendjen para ndeshjeve kualifikuese, atëherë stadiumit mund t’i hiqet licenca, pasi aty nuk është bërë asnjë punim, sikundër u ra dakord në atë takim”, – sqaron sekretari.

De Biazi: Ndaj Moldavisë shuaj dilemat e kualifikimeve
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, ndoshta kishte programuar një konferencë normale shtypi, në të cilën do flitej për mënyrën sesi do të luajë skuadra ndaj Moldavisë, por sherri ÇEZ-“Qemal Stafa” ka përfshirë edhe italianin. Duke qenë se rrezikohet seriozisht që kjo ndeshje të mos luhet në orarin e përcaktuar, De Biazi nuk e ka pritur aspak mirë, aq sa nuk ka nguruar të qartësojë se, në rastin konkret, po luhet jo vetëm me imazhin e Kombëtares, por të gjithë Shqipërisë. Sipas tij, është e patolerueshme që problematika të tilla të sjellin shpërqendrim, apo edhe më shumë shqetësim të ekipit kombëtar para një ndeshjeje, nga ku ai pret të marrë përgjigjet e fundit nga lojtarët e tij para kualifikimeve zyrtare që nisin në shtator për “Botërorin 2014”.
Pasnesër (nesër) luajmë kundër Moldavisë, çfarë pret De Biazi nga kjo ndeshje?
Për ne është një ndeshje e rëndësishme, pasi është testi i fundit para kualifikimeve për “Botërorin 2014” dhe unë pres që të marr ato përgjigje që dua nga lojtarët e mi. Uroj që takimi të zhvillohet sikundër është programuar, pra të mërkurën në darkë, duke shpresuar në zgjidhjen e problemit të energjisë, i cili për të qenë i sinqertë më duket paksa anormal. Nuk është as në të mirën e Kombëtares, por as në imazhin e Shqipërisë që ndeshja të mos luhet për teknikalitete të tilla. Realisht në jetën time nuk e kam hasur asnjëherë një gjë të tillë, ndaj uroj që ata që janë përgjegjës për vendimmarrjen në këtë rast, të mendojnë se po bëhet fjalë për Kombëtaren, e cila nuk është e imja apo e federatës, por e gjithë shqiptarëve.
Si mendoni se mund të zgjidhet një ngërç i tillë?
Unë mendoj se në këto momente të gjithë duhet të jemi bashkë duke përkrahur Kombëtaren. Nuk më vjen aspak mirë që, duke qenë ndeshja të mërkurën, gjendet një shkak nga një kompani për të marrë pikërisht tani një borxh të vjetër, të cilin ndoshta nuk e ka për detyrë as federata që ta paguajë. Ua thashë që një gjë të tillë e dëgjoj për herë të parë në jetën time dhe kërkoj që ata që janë përgjegjës për këtë të ndërhyjnë sa më parë për ta zgjidhur problemin.
Në këtë mënyrë rrezikohen jo vetëm seancat stërvitore, por edhe zhvillimi i kësaj ndeshjeje, apo jo?
Sigurisht që kjo gjendje më krijon shumë probleme. Kemi programuar dy seanca stërvitore, çka nuk mund të them se është maksimumi që mund të bënim dhe, nëse nuk i bëjmë si duhet as këto, atëherë sigurisht që për ekipin do të jetë një problem. Në këtë këndvështrim nuk mund të jem i kënaqur me atë që po dëgjoj, pasi dua që ta stërvit skuadrën me qetësi sonte (mbrëmë), nesër dhe të mërkurën të shikoj se në ç’nivel është ekipi, tri javë para ndeshjes së parë për kualifikimet e Botërorit.
Keni një ide të skuadrës që do të jetë titullare në kualifikime?
Unë e kam një ide të skuadrës me të cilën do t’i përballoj kualifikimet, por hë për hë kam zgjedhur rreth 34 lojtarë, kjo për arsyen se edicioni është i gjatë dhe mund të ndodhin probleme nga më të ndryshmet. Kështu që duhet që të kem në dispozicion sa më shumë lojtarë, me qëllim që të bëj edhe një edicion të mirë. Mendoj se, pas këtij takimi, do të kem edhe një ide më të qartë të skuadrës për kualifikimet e Botërorit.
Ç’mund të na thoni për lojtarë si Basha, Kukeli, Meha, të cilët po shkëlqejnë në Evropë, por nuk kanë ende pasaporta shqiptare?
Ne po mundohemi që të afrojmë sa më shumë lojtarë të mirë që luajnë në Evropë, si në rastin e Bashës. Ndonjëherë ekziston dëshira, por ka probleme nga më të ndryshmet për t’i teseruar që ata të luajnë për Shqipërinë. Ne po bëjmë më të mirën e mundshme në të gjitha aspektet.
Po Sukaj, i cili është lënë jashtë në të gjitha miqësoret që keni zhvilluar?
Edhe ai, sikundër edhe disa lojtarë të tjerë që i kam në mendje por që nuk i kam grumbulluar, janë pjesë e Kombëtares dhe do të kenë rastin që ta tregojnë veten në këtë skuadër.
Në dy ndeshje të mëparshme, Shqipëria ka fituar ndaj Moldavisë, e shikoni këtë si një ogur të mirë?
Të shpresojmë, madje po prek diçka (qesh). Më vjen mirë që Shqipëria ka bilanc pozitiv ndaj Moldavisë, por kjo nuk do të thotë asgjë. Këto dy ndeshje do të mbeten në arkivin e Kombëtares, ndërsa të mërkurën do të luhet një 90-minutësh i ri, krejt tjetër, gjatë të cilit ne do kërkojmë të bëjmë më të mirën për të parë edhe se ku është gjendja e disa lojtarëve. Disa luajnë tashmë në kampionatet e tyre, disa kanë kryer vetëm faza përgatitore, ndaj kjo është ndeshja më e mirë për t’i parë se ku janë me përgatitjet.
Në tri ndeshjet e para nuk keni luajtur asnjëherë me të njëjtën skemë dhe me të njëjtët lojtarë, a mund të na thoni sesi do të jetë Shqipëria me De Biazin?
Unë personalisht e kam të qartë në kokën time. Sigurisht, në tri miqësoret e para kam eksperimentuar shumë, pasi doja jo vetëm që ta njihja skuadrën, por edhe të shikoja se ku duhet përmirësuar dhe ku mund të marr më të mirën nga lojtarët e mi. Të njëjtën gjë do të bëj edhe me Moldavinë, ku do marr edhe të dhënat e fundit që më nevojiten para kualifikimeve.
Ndaj Moldavisë keni grumbulluar edhe tre lojtarë të rinj nga kampionati shqiptar…
Po, pasi dua që t’i shikoj këta djem sesi reagojnë në Kombëtare. Unë i kam ndjekur me ekipet ku ata aktivizohen, por ka një ndryshim, sipas meje, Kombëtarja nga klubet. Ka shumë futbollistë që stërviten mirë gjatë javës dhe më pas, kur vjen dita e ndeshjes, stonojnë totalisht, ashtu sikundër ka lojtarë që japin rezultat me Kombëtaren, por jo edhe aq me klubin, ose anasjelltas. Pikërisht për këto dilema i kam grumbulluar, pasi dua që të kem ide të qartë për të gjithë lojtarët.

Trajneri i Moldavisë
“Shqipëria, test real para sfidës me Anglinë”
Trajneri i Moldavisë, Jon Caras, e ka vlerësuar maksimalisht ndeshjen ndaj Shqipërisë. Kjo, jo vetëm se edhe ai sikundër De Biazi kërkon të marrë sa më shumë përgjigje pozitive nga lojtarët e tij, por edhe për faktin se Kombëtarja shqiptare për të është një skuadër e denjë për të përgatitur ndeshjen e parë kualifikuese të Moldavisë ndaj Anglisë në shtator. “Ky është testi i fundit, para kualifikimeve për Botërorin 2014. I kam parë në kaseta ndeshjet e fundit të Kombëtares shqiptare dhe mund t’ju them se kemi të bëjmë me një skuadër shumë të fortë. Ndoshta, në pamje të parë, nuk ka shumë yje, por është e disiplinuar dhe vrapon shumë në fushën e lojës. Gjithsesi, ne do të shkojmë për të bërë lojën tonë dhe çka është më e rëndësishme, për të parë reagimin e disa lojtarëve. Siç e keni parë në fillim, unë grumbullova 30 lojtarë, ndërsa drejt Shqipërisë po shkoj vetëm me 18 të tillë. Mes tyre ka shumë lojtarë të rinj, nga të cilët pres shumë që në këtë ndeshje. A do jetë Shqipëria një test para përballjes me Anglinë? Po, në vija të përgjithshme po. Pjesa më e madhe e formacionit që mund të përdor ndaj Shqipërisë mund të luajë edhe në ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Anglisë”, – ka pohuar Caras.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"