Derbi i Mançesterit/ Viganët kundër shkurtabiqëve, Siti dhe Junajtid “përplasin brirët”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2018 | 13:36

Derbi i Mançesterit/ Viganët kundër shkurtabiqëve, Siti dhe Junajtid “përplasin brirët”

Do të jetë Guardiola kundër Murinjos, trajnerët përballë njëri-tjetrit në sfidën që pret gjithë Mançesteri. Sot në orën 17:30 përfundon numërimi mbrapsht për derbin numër 177, programuar në “Etihad” mes “qytetarëve” dhe “djajve të kuq”. Kryeson Junajtid me 73 fitore ndaj 51 të Sitit, skuadrës kampione në fuqi që komandon Premier Ligën edhe këtë sezon me 29 pikë. Plot 9 pikë më shumë se djemtë e Murinjos, që prillin e shkuar fituan 3-2. Guardiola i shikon të gjithë nga lart në Angli, por skuadra e tij ka fituar vetëm 2 nga 8 derbet e fundit me “kushërinjtë” në të gjitha kompeticionet.

MB-FOOTBALL-GRAPHIC1

SPRINTERËT – Është një statistikë enigmatike, që ndoshta tregon për formën fizike të skuadrës së Murinjos apo për stilin e lojës së skuadrës? Në çdo ndeshje të këtij sezoni në kampionat, “djajtë” kanë vrapuar më pak se kundërshtari dhe asnjëherë nuk kanë bërë më shumë sprinte se skuadra tjetër. Sot në “Etihad” prisni pak a shumë të njëjtën gjë. Siti ka regjistruar 1.341 sprinte në total në këto 11 javë (i dyti pas Liverpulit), ndërsa Junajtid renditet i treti nga fundi me 1.072 sprinte. Skuadra e Mout është gjithashtu skuadra e katërt më e dobët kur bëhet fjalë për të ndalur vrullin e kundërshtarit në fushë. Ata i lejojnë rivalit të përparojë mesatarisht 13.9 metra për lëvizje.

VIGANËT – Murinjo shpreson që gjatësia të ketë rëndësi në përballjen e sotme. Trajneri i Junajtid mund të krenohet me skuadrën më shtatlartë të Premier Ligës, ndërsa përballë do të ketë “xhuxhët” e Pep Guardiolës, skuadrën më shtatshkurtër të Premier Ligës. Skuadra titullare që ka hedhur Mou në fushë këtë sezon ka qenë mesatarisht 186.69 cm e gjatë, duke lënë pas Uotfordin dhe Hadërsfilldin. Siti ndërkohë ka pasur një fushë një ekip me gjatësi mesatare 179.07 cm, pak më të ulët sesa Arsenali, Bornmëthi, Liverpuli dhe Kardifi.

Dy skuadra, statura të ndryshme, të cilat u përshtaten stilit të tyre të lojës, me Junajtid skuadrën më të rrezikshme nga goditjet standarde, ndërsa maestrot e shkurtër të Guardiolës krenohen për shpërthimet e tyre të shpejta dhe lëvizshmërinë në taktikën e tyre të vrullshme. Kush do ta fitojë sfidën e të kundërtave?

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"