400 milionë lekë për futbollin, klubi i Kategorisë së Parë në janar hap procesin e privatizimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2023 | 21:16

400 milionë lekë për futbollin, klubi i Kategorisë së Parë në janar hap procesin e privatizimit

Lushnja siguron buxhetin e 2024-ës. Mesditën e djeshme është zhvilluar mbledhja e fundvitit në Këshillit Bashkiak dhe gjithçka shkoi sipas parashikimit.

lushnjaaa

Është miratuar fondi edhe për futbollin. Plot 400 milionë lekë të vjetër janë lëvruar për vitin e ri kalendarik. Kjo shumë ishte edhe në 2023-shin, pa llogaritur shtesat që erdhën nga subvencionet. Zërat se si do të bëhet shpërndarja do të përcaktohen edhe në janar, ashtu sikundër ndodh gjithnjë.

PROCESI I PRIVATIZIMIT – Verdhejeshilët janë një nga ato klube, që vazhdon të jetë në varësi të plotë të bashkisë, por që funksionon në marrëdhënie donacioni. Ka vite që thuhet se do të privatizohet, sipas urdhëresës së famshme të qeverisë, por ende nuk kanë nisur asnjë lloj procedure.

Tek-tuk ka pasur edhe ndonjë të interesuar për të blerë aksione dhe sidomos tani që infrastruktura nuk u mungon, por jo deri në atë pikë sa të hidhet hapi i madh. E megjithatë, me hyrjen e janarit mund të ketë edhe zhvillime për këtë pjesë. Burime të sigurta për “Panorama Sport” tregojnë se do të nisë zyrtarisht procesi ligjor për privatizimin.

ECURIA DHE PLANI – Skuadra ka gjashtë sezone radhazi që luan në inferiore dhe shumë larg pretendimeve madhore. Në kampionatet e fundit kanë rrezikuar vërtetë shumë që të shkonin në Kategorinë e Dytë, por shpëtimi ka ardhur në limite. Skuadra nuk ka pasur kurrë forcë, për të konkurruar me klubet që synojnë kalimin në elitë. Këtë vit pati pritshmëri të mëdha, që në momentin që u emërua Gugash Magani në stol. Por sërish rezultatet nuk janë ato që priteshin dhe sot që flasim pozicionohen në vendin e shtatë dhe larg zonës “play off”.

Megjithatë, shanset janë që të rikuperohet diçka në janar. Ka ende javë në dispozicion për t’u ngjitur më lart në renditje dhe tentuar të paktën ngjitjen nga ndeshjet shtesë. Rrugë e gjatë, por jo e pamundur. “Sytë” tashmë janë te merkatoja e janarit dhe me paratë që kanë në dispozicion, mund të bëjnë ndonjë goditje. Vetë trajneri ka paralajmëruar se do të ketë hyrje-dalje, por mbetet për t’u parë cilat do të jenë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"