39 muaj pa fitore në transfertën e Vlorës, mbrojtësi Kasmollari pret kthesën e Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 22:15

39 muaj pa fitore në transfertën e Vlorës, mbrojtësi Kasmollari pret kthesën e Lushnjës

Lushnjarët po përgatiten për ndeshjen e radhës me Flamurtarin, me shpresën e rikthimit te fitorja që i ka munguar në tre ndeshjet e fundit. Skuadra e drejtuar nga Magani kërkon të jap më të mirën në Vlorë ndaj Flamurtarit të vendit të tretë.

kasmollari

Në një prononcim për “Panorama Sport” qendërmbrojtësi i lushnjarëve, Paolo Kasmollari, shprehet optimist, por kërkon edhe angazhim maksimal nga ekipi. “Jemi stërvitur mirë gjatë kësaj jave. Na pret një ndeshje e vështirë, në transfertë me Flamurtarin, pasi dihen cilësitë e vlonjatëve. Ne kemi besim në aftësitë tona. Mendojmë të marrim më të mirën në këtë ndeshje, edhe pse në çdo sfidë ne futemi në fushë për të marrë tri pikët. Por se çfarë sjell fusha e lojës mbetet për t’u parë.

Shpresoj që të kemi edhe pak fat. Jam i bindur se do të jetë një sfidë ndryshe nga ato të dy fazave të para, pasi shikoj përkushtim tek ekipi. Kemi për të treguar se jemi një skuadër që ka uri për rezultate pozitive”, deklaroi mbrojtësi pogradecar i lushnjarëve. Lushnjarët kanë marrë vetëm një pikë në fazën e tretë, por minutat shtesë kanë qenë jo fatsjellëse, pasi në Peshkopi u iku një pikë, ndërsa në derbi mund të merrnin edhe dy më shumë, nëse Lëru do të finalizonte penalltinë.

PRECEDENTËT – Fitorja e fundit e Lushnjës në Vlorë me Flamurtarin është regjistruar në 13 dhjetorin e vitit 2020. Par 39 muajsh verdhejeshilët fituan 1-0 me golin e Orges Xekës. Më pas, Flamurtari do të regjistronte tri fitore radhazi. E fundit, 3-0, në 16 dhjetorin e vitit të kaluar. Barazimi i fundit në Vlorë mes Lushnjës dhe vendasve është regjistruar dy dekada më parë. Më 17 prill të vitit 2004 në Superiore, kur arrihej një barazim 2-2. Për lushnjarët shënuan Endri Vrapi dhe Klodian Arbri, ndërsa për Flamurtarin realizoi një dygolësh Admir Sejfullaj.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"