Brazili “vjedh” një penallti, Nejmari është për… Oskar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Qershor 12, 2014 | 20:05


Brazili “vjedh” një penallti, Nejmari është për… Oskar

NejmarKur thua futboll, ke thënë Brazil për një muaj kohë, nga 12 qershori deri më 13 korrik. Fluksi i emocioneve që do të prodhojnë kombëtaret më të mira të globit, që kanë fituar të drejtën të jenë në fazën finale të turneut më të madh në futboll, do të jetë unik në një vend që ka fituar më shumë se askush Kupa të Botës; pesë të tilla. Çdo gjë tjetër do të të dallojë ty nga të tjerët në bazë të tifozllëkut që bën kudo gjendesh, duke përcjellë përmes ekranit të televizioneve gjithçka ndodh në fushat e blerta. Kurrë më parë një Botëror nuk ka gjeneruar aq shumë shpenzime, sa ky brazilian, i cili i tejkalon 11.000 milionë euro. Stadiumet janë rinovuar, ato të reja janë ndërtuar, përfshirë këtu edhe infrastrukturën e aeroporteve, rrugëve dhe hoteleve. Të gjitha janë bërë me qëllim që të sigurojnë një turne spektakolar, por me përvetësimet ekonomike ky Botëror ka sjellë një konflikt social në vendin e Sambas. Njerëzit e vendit organizator janë në përputhje me Botërorin, por jo me të njëjtin financim që ka ardhur nga xhepat e tyre. Është vlerësuar se gjashtë nga shtatë euro të investuara vijnë direkt nga arkat e qeverisë, kur një nga premtimet ishte që shuma e përgjithshme do të sigurohej nga fondet e investimeve private. FIFA i ka “larë duart”…E megjithatë, nuk do të ketë kthim, siç është logjike, për Brazilin dhe brazilianët. Rreth 600.000 turistë pritet të jenë në këtë vend gjatë kohëzgjatjes së turneut. Pasioni dhe arsyeja nuk janë të papajtueshme në Brazil. Njerëzit në këtë vend e duan futbollin mbi të gjitha gjërat dhe e lakmojnë pa fund Kupën e Botës. Botërori më i mirë, sipas pritshmërive, hap dyert me diskutime dhe dyshime të shumta. Ndeshja hapëse ishte mes Brazilit dhe Kroacisë, ndërkohë që turneu do të vijojë në ditët pasuese sipas kalendarit përkatës. Topi nisi të lëvizë, festa dhe magjia e lojës më të dashur për kombet, futbolli, filloi!


(Brazil-Kroaci 3-1, të gjithë golat dhe HIGHILIGHTS i ndeshjes)


Botërori, Grupi A

Stadiumi “Arena de Sao Paulo”
BRAZIL    3:1    KROACI
Golat: Nejmar 29′, 70′ (pen), Oskar 90′ / Marselo 11′ (aut)

BRAZILI KROACIA
Júlio César S. Pletikosa
Dani Alves D. Srna
Thiago Silva V. Ćorluka
David Luiz D. Lovren
Marcelo Š. Vrsaljko
Luiz Gustavo L. Modrić
Paulinho (Hernanes 63′) I. Rakitić
Oscar I. Perišić
Fred M. Kovačić  (Brozović 60′)
Hulk (Bernard 68′) I. Olić
Neymar (Ramires 88′)
N. Jelavić (A. Rebić 78′)
Trajner: Luiz Felipe Scolari Trajner: N. Kovač

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gjyqtarë: Y.Nishimura, T.Sagara, T.Nagi (Japoni)
Kartonë të verdhë: Nejmar 27′ , Gustavo 87’/ Korluka 65′, Lovren 69′

1402600887_231363_1402604209_album_grandeBrazili-Nejmar
, dueti që e nis mbarë
Ndeshja hapëse e Kupës së Botës 2014 dhuroi emocione dhe spektakël futbollistik. Nisi me një autogol të Marselos, një moment pikant ky, dhe vijoi me dopietën e yllit të Barcelonës, Nejmar, si dhe “vulën” përfundimtare të Oskar, në limitin e kohës së rregullt. Që në ballafaqimin e parë të këtij turneu kemi një penallti, mjaft e kontestuar nga kroatët dh që ka nevojë për moviolë të hollësishme, e cila i shërbeu Brazilit për të superuar ballkanasit. Rezultati përfundimtar 3-1 i jep tri pikët e para në grup “Selecaos”, e cila duket në rrugën e pritshmërive maksimale karshi saj, e konsideruar një nga favorite kryesore për të triumfuar në Botërorin që zhvillohet në shtëpinë e saj.
Ndeshja Sfida nis e vrullshme për të dyja skuadrat, me rreziqe në portat respective në dhjetë minutat e para. Kovacic provon i pari në portën braziliane, ndërsa kundërpërgjigjet Nejmar. Në minutën e 11-të, kemi një dalje të bukur në krahun e majtë të Rakitic, që fut një top tokazi në zonën e “Selecaos”. Aty, në tentativë për të larguar rrezikun, Marselo e dërgon topin në rrjetën e tij. Kroacia e sheh veten në avantazh, ndërsa rrjeta e parë e këtij Botërori është një autogol. Një moment për t’u mbajtur mend. Reagimi i skuadrës së Skolarit është i menjëhershëm dhe i furishëm. Të ndihmuar edhe nga “lukunia” e tifozëve verdhejeshilë, lojtarët e Brazilit ndërmarrin aksione të shumta dhe sulme në ballë të gjerë drejt portës kroate, ku shtrëngohen ballkanasit. Rakitic dhe Modric mundohen që përmes qarkullimit të topit dhe pasimeve të gjata diagonal për te dyshja e sulmit ta kapin Brazilin në befasi, përmes kundërsulmit. Kjo është arma kryesore e lojës së Kroacisë, e cila tregohet më gjakftohtë, edhe pse duhet të përballojë një presion të madh, që vjen nga kundërshtarët në fushën e blertë, por edhe nga uturima e tifozërisë së shumtë në numër të brazilianëve. Nejmar, pasi ndëshkohet me të verdhë, përfiton nga një gabim në mesfushë i kroatëve dhe bën disa hapa para, duke goditur mbi vijën e 16-metrave të zonës kundërshtare. Topi prek shtyllën pingule të Pletikosas dhe përfundon në rrjetë. Rezultati barazohet. Minutat deri në fund të pjesës së parë zhvillohen tërësisht në gjysmëfushën e Kroacisë, e cila vuan në zotërimin e topit të parë, bën gabime në pasime dhe bie pre e presionit asfiksues të “Sambas”. Megjithatë, skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes në ekuilibër rezultativ, duke ia lënë pjesës së dytë vulosjen e rezultatit të ndeshjes hapëse të këtij Botërori.
Pjesa e dytë Edhe ky fraksion loje ka një “violinë të parë”, brazilianët, që mbeten tërë kohës në fazën ofensive. Në këtë gjë e ndihmojnë edhe lojtarët kroatë, që e mbajnë së tepërmi topin në këmbët e tyre, angazhohen më shumë se duhet në veprime individuale, duke humbur befasinë e shpejtsinë në veprime. Mesfusha e Brazilit është tepër luftarake, sidomos në lojën për topin e parë, ndaj si lejon ballkanasit t’i afrohen portës së Hulio Sezar. Kovacic dhe Modric bien në “grackën” e kundërshtarit, duke mos arritur t’i japin fantazi e frymëmarrje lojës së Kroacisë. Kësisoji, strategjia e Kovac “cmontohet” në njëfarë mënyre nga Skolari dhe të tijtë. Olic mbetet i shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrës, ndërkohë që në repartin ofensiv të ballkanasve ndihem mungesa e Mandzukic, i pezulluar për shkak kartonësh. Te mikpritësit e Botërorit ka shumë dëshirë, djersihet shumë në kërkim të golit të dytë dhe fitores, por kur vjen puna në finalizim edhe ata nuk janë të qartë. Të gjithë topat adresohen te Nejmar, që sjell pështjellim te prapavija kundërshtare, por nuk angazhohen sa duhet Fred dhe Hulk, që kanë më shumë hapësira veprimi.
Zëvendësimi i parë bëhet te Kroacia në minutën e 60-të. Del Kovacic, krejtësisht në hije, dhe futet Brozovic. Kundërpërgjigjet brenda dy minutash Skolari, me rrokadën Paulinjo-Hernanes. Të dy teknikët përpiqen të rregullojnë e freskojnë dicka në mesfushë, ku pas minutës së 60-të përqendrohet më së shumti loja. Janë momente kur ka rënë disi ritmi i Brazilit, ndërsa kroatët mendojnë më së pari të mos pësojnë gol tjetër dhe përmes daljesh sporadike të ndëshkojnë vendësit. Skolari ndërhyn edhe në repartin e sulmit. Ul në stol Hulk dhe hedh në fushë Bernard. Në minutën e 69-të kryesori japonez akordon një penallti disi të dyshimtë. Kontestojnë fort kroatët, por Nejmar vihet te pika e bardhë e penalltisë dhe dyfishon shifrat në minutën e 70-të. Rast për moviolë dhe shumë i diskutueshëm, por që i dha Brazilit fitoren e shumëdëshiruar, e cila u vulos nga Oskar në minutën e fundit të kohës së rregullt. Katër gola brazilianë në këtë sfidë hapëse të Kupës së Botës 2014, ku Nejmari regjistroi dopietë në portën e Pletikosës, ndërsa Marcelo preku rrjetën e Hulio Sezarit, me atë autogol. Pra, ky ballafaqim i pati të gjitha brenda vetes, duke dhënë sinjale se ky turne do të jetë vërtet spektakolar. Dueti Nejmar-Brazil e kaloi me sukses provën e parë, duke ecur në rrugën e pritshmërive, si njëri nga favoritët kryesorë për fitimin e Botërorit.

DEKLARATAT PAS NDESHJES
Kovaç: Ishte cirk, jo futboll

Trajneri i Kroacisë, Niko Kovaç, ka deklaruar pas ndeshjes se në fushë pati cirk dhe jo futboll. “Brazili e meritoi fitoren, sepse luajti shumë mirë, por ama Brazili nuk ka nevojë për ndihma të tilla nga gjyqtarët. Nuk më pëlqen që t’i akuzoj arbitrat, por ky i sotmi (djeshmi) nuk ishte në nivelin dhe në kategorinë e kësaj ndeshjeje dhe për pasojë shkatërroi gjithçka. Kur ndeshjen e vendos arbitri, nuk bëhet fjalë për futboll, por për cirk… FIFA ka si slogan të vetin ‘fair play’-n, por duhet të ketë parasysh se kjo vlen për të dyja skuadrat në fushë dhe jo vetëm për një”, – tha Kovaç pas ndeshjes.

“Golin tim ia dedikoj Skolarit dhe kritikëve”
Fakti që i ka zënë vendin në formacion Uillianit, irritoi shumë prej specialistëve të futbollit brazilian, por me ndeshjen e djeshme Oskar ka fituar bastin e tij dhe ka shpëtuar madje edhe trajnerin Skolari: “Nuk mund të them që kemi bërë një start pozitiv, por në të tilla evenimente është e rëndësishme ta nisësh me fitore. Ne ia dolëm dhe jemi krenarë për këtë, sepse do të kemi kohë për të korrigjuar gabimet e bëra. Një dedikim për golin? Pa dyshim trajnerit Skolari, i cili ka besuar gjithmonë tek unë dhe kritikëve të mi. Unë kam ardhur në këtë grup për të dhënë kontributin tim dhe mendoj se e bëra më së miri ndaj Kroacisë”.

“Shënova golin e parë, por në portën e gabuar”
Mbrojtësi i Brazilit dhe i Realit të Madridit nuk e ka nisur siç duhet Botërorin 2014, por Marselo kërkon ta marrë me ironi këtë gjë dhe premton se do ta shlyejë këtë gabim. “Më vjen mirë që jam unë autori i golit të parë në këtë eveniment, por fatkeqësisht e dërgova në portën e gabuar. Nuk është hera e parë që më ndodh kjo, por kurrsesi nuk jam dhe s’u demoralizova, sepse ndryshe do i kisha shqetësuar edhe më shumë shokët e mi. Lojë e dobët? Taktikisht ishim mirë, sepse zbatuam ato gjëra që na kërkoi trajneri, ndonëse vend për përmirësime ka. Mirëpo, në Botëror çdo ndeshje luhet si një finale, ndaj gabimet edhe mund të ndodhin”.

“Tani na ndajnë 6 sfida nga kupa”
David Luiz anashkalon kritikat për lojën jo shumë të mirë të Brazilit dhe duartroket ekipin përpara medias: “Në këtë Botëror duam të fitojmë Kupën e Botës dhe jo të mbahemi mend për lojën e bukur. Për të do të ketë kohë, ndaj mendoj se fitorja 3-1 kundër Kroacisë ishte një rezultat më se i merituar që tregon forcën tonë. U ndihmuam nga arbitri? Unë di që nga kupa tani na ndajnë vetëm 6 ndeshje…”.

Statistika mbi Brazilin dhe Kroacinë
-Vendi organizator nuk ka humbur kurrë në ndeshjen e parë të edicionit, ku në 21 përballje, 15 janë fituar nga vendësit dhe gjashtë kanë përfunduar në barazim.

– Tetë nga 12 ndeshjet hapëse të Botërorit kanë prodhuar maksimumi një gol.
– Brazili ka fituar tetë nga nëntë ndeshjet e fundit në fazën në grupe, ndërsa dueli tjetër ka përfunduar barazim.
– Kroacia ka pësuar 14 gola në 14 ndeshje të zhvilluara në Kupën e Botës, me një mesatare 0.85 gola për ndeshje, më e mira mes 34 ekipeve pjesëmarrëse në edicionin e këtij viti.
– Në nëntë ndeshjet e fundit të Kroacisë në Kupën e Botës, kanë marrë gjashtë kartonë të kuq.
– Brazili e kishte fituar ndeshjen e vetme në kompeticionin zyrtar kundër Kroacisë, pikërisht atë me rezultatin 1-0 në edicionin e vitit 2006, falë golit të Kakasë.

analisis-copa-mundial-fifa-brasil-2014-01Ceremonia hapëse e “Brazil 2014”
Pritja 4-vjeçare mori fund sonte. Botërori i 20-të rikthehet në Amerikën e Jugut për herë të parë pas 1978-s. Në “Arena de Sao Paolo”, Brazili dhe Kroacia i japin shkelmin e parë evenimentit më të rëndësishëm sportiv në botë, ndërsa protestat dhe kritikat pritet të heshtin, për t’i lënë vendin spektaklit të 64 ndeshjeve që do përmbyllen në “Marakana” më 13 korrik. Ceremonia e hapjes së Kupës së Botës nisi në orën 20:30 me orën e Shqipërisë, dhe zgjat 25 minuta. 600 artistë, gjimnastë, trampolistë dhe specialistë të “Capoeira”- s (artit marcial brazilian) janë në ekranin e çdo TV në botë dhe 61.606 tifozë kanë fatin ta ndjekin drejtpërsëdrejti nga shkallët e impiantit të rikonstruktuar të Korinthiansit. Dhe për të gjithë ata që ishin trembur se Xhenifer Lopezi do të mungonte në performancën e këngës zyrtare të Botërorit, “We Are One” (Ne jemi një… ole, ola), mund të qetësohen. Sepse këngëtarja njujorkeze e ka tërhequr vendimin e parë se do të mungonte në ceremoninë e hapjes për shkak të një problemi të paspecifikuar produksioni, për të zbritur në përmbylljen e ceremonisë përkrah reperit Pitbull dhe brazilianes Klaudia Leiçe. Ceremonia e hapjes kryhet e gjitha nën dritën natyrale të diellit, kështu që organizatorët kanë shmangur elementin e fishekzjarrëve. Ceremonia është parakalim i pasurive të Brazilit, natyrës, popullit dhe futbollit. Të gjithë janë të motivuar për të dhënë më të mirën. 25 minuta spektakolare. Drejtori artistik i saj është belgu Dafn Kornez. Ai ka planifikuar kërcime, shou, sekuenca fantazie dhe natyrisht gjithçka përmbyllet me himnin e kënduar nga treshja e famshme e këngëtarëve. Pasi Lopez, Pitbulli dhe Leiçe lënë skenën e improvizuar, Brazili dhe Kroacia shkelmojnë topin e parë të turneut.

fifaNga golat tek ekipet, ja çfarë pritet
Në çdo edicion të Kupës së Botës ka pasur pretendentë që nuk kanë dalë jashtë parashikimeve, duke pasur ecuri pozitive, por edhe ekipe që në mënyrë të paparashikuar kanë pasur një aventurë të gjatë. Edhe sivjet pritet që të plotësohet ky binom, me konfirmime dhe surpriza, si për ekipet, ashtu edhe për lojtarët.
Pretendentët Brazili është favoriti kryesor i këtij kompeticioni, për shkak të forcës së skuadrës dhe faktit që luan në shtëpi. Argjentina gjithashtu i bashkohet, prej ekipeve të Amerikës së Jugut, duke i bashkëngjitur edhe favorizimin prej kushteve klimaterike. Nga Europa, listën e kryeson Spanja, e shoqëruar nga Gjermania, Italia apo edhe Holanda.
Surprizat Skuadrat, të cilat mund të dhurojnë spektakël dhe emocione të forta me ecurinë e tyre të paparashikuar janë Belgjika, Kolumbia dhe Kroacia. Në fakt, surpriza më e madhe mund të jetë Kili, i cili është i aftë që të lërë pas vetes një ekip të madh në grup, mes Spanjës dhe Holandës. Nga afrikanet, Bregu i Fildishtë dhe Nigeria mund të kalojnë grupet, por edhe të synojnë çerekfinalet, gjithnjë brenda kuadratit të surprizës, logjikuar nga cilësia e individëve të caktuar brenda grupit. Ndërsa Japonia e Trapatonit është ajo që mund të nderojë Azinë.
Futbollistët Nejmar dhe Lionel Mesi parashikohet të kenë një duel të fortë, jo vetëm për të qenë yjet e këtij kompeticioni, por edhe për “Këpucën e Artë”. Kjo, për faktin se janë lojtarët që kanë më tepër liri respektivisht te Brazili e Argjentina, ekzekutojnë goditjet e dënimit dhe penalltitë. Ndërmarrin aksione individuale dhe loja e skuadrës bazohet tek ata. Një tjetër element që ua shton mundësinë është edhe grupi i lehtë, çka, në raste goleadash, pritet të jenë edhe emrat që do shënojnë më tepër.

Ja çfarë duhet të dini
– 11.5 miliardë dollarë amerikanë ka shpenzuar Brazili për organizimin e Botërorit, duke shkaktuar protesta masive në popull. – 3.8 miliardë $ nga ky total janë përdorur për ndërtimin dhe rindërtimin e 12 stadiumeve ku do zhvillohen 64 ndeshjet. – 900 milionë dollarë është kostoja e stadiumit të Brazilias, kryeqytetit që nuk ka asnjë klub të njohur, 3 herë më shumë se parashikimet. – 3 në çdo 4 brazilianë mendon se ka korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve. – 60% të amerikanëve, sipas një sondazhi të “New York Times”, nuk u intereson fare turneu. – 600 mijë vizitorë të huaj pritet të vizitojnë Brazilin gjatë eventit. – 4.5 miliardë dollarë do jenë të ardhurat për FIFA-n nga të drejtat televizive dhe sponsorët.
0010870841OPINIONI
Futbolli, opiumi i ri i masave

Nga José Luis Garcés González
Në fillim, futbolli luhej me gurë. Që në krye të herës ishte një lojë për t’u argëtuar, si dhe pak si një garë shpellarësh. Më pas erdhën taktikat dhe strategjia. Më vonë u bë art, tregëti dhe një pushtim. Sot ai kontrollon një pjesë shumë të madhe të shoqërisë, duke e “vërtitur” atë sa andej-këndej.
Futbolli është bërë reflektim i stileve të jetesës dhe shpeshherë thuhet se është opiumi i ri i masave. Eshtë shndërruar në një matës të pasivitetit apo agresivitetit të njerëzve, ndjenjës së tyre të inovacionit apo konservatorizmit. E përdorim si një mjet identifikimi personal. Skuadra është bërë si një lloj atdheu, njëlloj shpirti, diçka që na mundëson ato fitore që jeta nuk mundet të na i japë. Eshtë dhunë e shprehur, ose e shtypur. Për hidhërimin e tifozëve dhe dëmin e shoqërisë, humbjet e saj amplifikojnë fatkeqësitë e vogla të jetëve tona të përditshme.
Në shumë shoqëri, futbolli ka prirjen të zëvendësojë gjithçka, duke lënë mënjanë propozime politike, besime fetare, lidhje familjare, probleme ekonomike dhe padrejtësi sociale. Ai përfaqëson besimin, mëmën e gjithë pasioneve, dhe me një fjalë, ideologjinë. Ndoshta vetëm dashuria mund t’ia kalojë atij në nivel personal.
Eshtë pushteti i pestë, apo mos është i katërti? Ajo që “homo sapiens”-ët në lëvizje e krijuan si lojë, tashmë është shndërruar shumë gjëra bashkë, duke përfshirë dhe një çështje ligji dhe rendi. Kur skuadra humbet, njerëzit ndihen të lënduar dhe bëhen agresivë. Ndodhin grindje, plagosje, vdekje. Ndonjëherë, edhe kur nuk humbet mund të kesh pasoja të tilla. Madje, mund të ndodhë edhe pas një fitoreje që e ke pritur me aq dëshirë.
Mbaj mend fitoren e Kolumbisë 5-0 kundër Argjentinës në vitin 1993. 80 vetë gjetën vdekjen në festimet që pasuan. A mund të jetë ky i vetmi vend ku triumfi shndërrohet një ftesë për në mbretërinë e vdekjes? Quajeni apoteoza e shpirtit të trazuar apo trupit të tëhuajësuar, një rikthim në barbarizëm, me fitoren si justifikim. Ku është logjika? Bisha fle brenda zemrës së njeriut dhe qoftë edhe motivi më jologjik mund të lëshojë këtë zemërim të fjetur. Shkrimtari Gesualdo Bufalino i ka shpjeguar disa lloje sjelljesh duke vërejtur se varësia prej vuajtjes i shtyn njerëzit që t’i jetojnë edhe ngjarjet fatlume si teprime të panatyrshme. Dhe kështu, një ngjarje që duhet të sjellë lumturi, paradoksalisht të çon drejt tragjedisë.
Fushëbeteja e re Siç është demonstruar, publiku nuk është i interesuar te loja, por te fitorja, ku sheh një formë të vërtetueshme vetëafirmimi, si individ apo si komb. Parë kështu, futbolli shndërrohet në pothuajse luftë. Gjë që të bën të reflektosh se, duke lëshuar një farë agresiviteti, futbolli ka provokuar një luftë (mes Hondurasit dhe El Salvadorit) dhe ka ndihmuar për të shmangur shumë të tjera. Në një rast ka patur një efekt zbutës, si në vitin 1978, duke i dhënë juntës argjentinase një “lustër” tolerance dhe duke e shkëputur, të paktën për momentin, prej krimeve dhe zhdukjeve që po ndodhnin në Argjentinë.
Ndërkohë, siç thotë traineri i Kolumbisë Karlos Restrepo, në futboll “realiteti i vetëm janë 90 minutat”, loja ka krijuar gjithashtu një monstër, tentakulat e të cilës janë shtrirë gjatë e gjerë në shoqëri. Miliarda dollarë qarkullojnë në një botë të globalizuar. Ai influencon ekonominë, psikologjinë, antropologjinë, politikën, filozofinë dhe madje edhe letërsinë. Shkrimtarë të mëdhenj kanë shkruajtur për futbollin. Disa e shohin si eksponent të kulturës postmoderne, ndërsa të tjerë si Umberto Eco, e quajnë sportin, e si pasojë futbollin, “zëvendësuesin më të kollajtë për debatin politik”.
Tani teknologjia të mundëson që një ndeshje që luhet në Kinë apo në Berlin, mund të shihet apo dëgjohet njëkohësisht në një qytet të vogël kolumbian. Fshati global është shndërruar në një fushë globale me një audiencë globale. Shikoni të rinjtë tanë, me fanella të Realit të Madridit, Barcelonës apo River Plate-t përveç atyre të skuadrave lokale.
Ashtu si tregtia e drogës, futbolli përfshin të gjithë trupin shoqëror. Në të vërtetë, emblema kombëtare nuk është më një flamur, apo himn, por një skuadër futbolli. Gjaku i heronjve dhe vlera e të lashtëve tanë është shndërruar sot në një top futbolli. Botërori i Brazilit…, i rrumbullakët, ashtu si kurrgjë tjetër, që mund të eklipsojë mbarë globin.

 

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com