Pesë penallti në derbi, kur Arsen Hoxha ndryshonte historinë e arbitrimit shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 20:50

Pesë penallti në derbi, kur Arsen Hoxha ndryshonte historinë e arbitrimit shqiptar

UVIL ZAJMI
dinamo-17 nentori arbitrat (1)

Arbitri i FIFA-s, A. Hoxha, para një takimi (Arkiv BQB)

Në vijim të ciklit “Kur kanë gabuar dhe jo arbitrat”, “Panorama Sport” do t’i rikthehet një sfide zhvilluar 40 vite më parë. Bëhet fjalë për javën e 10-të të kampionatit të 34-t kombëtar, sezoni 1979-1980 (14 skuadra), kur një ndeshje futbolli në Shqipëri përfundon me një bilanc të pazakontë: 9 gola dhe 5 penallti të akorduara brenda 90 minutave. Aq më shumë në një derbi, atë tiranas, 17 Nëntori-Dinamo që u mbyll 5-4. Autorët e golave janë: Çobani, Ballgjini, Zëri me një dopietë e Bregu për blutë, ndërkohë që Hyseni me një dygolësh, Vladi e Mema për 17 Nëntorin. Por, si asnjëherë më parë, ai takim spektakolar përcolli një mal me emocione. Në veçanti, dhënia e 5 penalltive për herë të parë në një ndeshje kampionati.

Një rast unik, që u shoqërua me tensione në fushë, protesta, reagime në tribuna, në dhomat e zhveshjes, për të vijuar me polemika që nuk kanë fund. Tifozët në përfundim qëndronin në grupe te sheshi para stadiumit, ndërsa treshja e arbitrave fierakë largohej e shoqëruar me forca të policisë deri në Durrës, ku edhe qëndruan atë natë. Ndryshe nga situata e krijuar, në shtypin mediatik sportiv ka heshtje dhe e vetmja gazetë, “Sporti”, në atë kohë, e përcjell takimin pa asnjë koment, vetëm me një kronikë të shkurtër informuese.

Ndërkohë, FSHF ka reaguar, por në heshtje: Arbitri Hoxha nuk do të drejtonte 17 Nëntorin gjatë gjithë fazës së dytë, për t’u rikthyer me bardheblutë në sezonin pasardhës. Si e kujtojnë sot disa nga futbollistët atë takim, veçanërisht penalltitë, dhe ankthi se ç’mund të akordonte tjetër arbitri Hoxha. “Pas ndeshjes, kur po largoheshim nga stadiumi, kujtoj që na takoi Xhelil Gjoni dhe na tha: ‘Bravo ju qoftë që mbajtët qëndrim dinjitoz, nuk protestuat'”, tregon Edmond Gëzdari. Ajo ndeshje do të kujtohet gjithashtu edhe për lamtumirën e qendërmbrojtësit të Kombëtares dhe 17 Nëntorit, Perikli Dhales (sot nuk jeton). Pas 15 vitesh karrierë, ai kishte zgjedhur klasiken për t’u ndarë me futbollin.

VJEN NJË TJETËR BREZ I VËRSHËLLIMËS
Dhënia e penalltive ishte pak e rrallë për vetë mënyrën si luanin skuadrat, mentalitetin e futbollistëve, të trajnerëve dhe tifozëve. Akordimi i 5 të tillave gjatë një 90- minutëshi ishte jonormal për kohën, kur arbitri i FIFA-s, Arsen Hoxha, pati kurajën ta vendosë topin pesë herë në pikën e bardhë. Tri herë për Dinamon dhe 2 të tjera për 17 Nëntorin.108364262_2630971180474418_2443061149576776656_n (1)

17 Nëntori i viteve ’80 (Arkiv QRSHB)

Pesë vërshëllima të guximshme, surprizë, të padëgjuara kurrë më parë në ndonjë stadium shqiptar. Mbi të gjitha ajo e minutave të fundit, kur bilbili i tij vërshëlleu për një faull ndaj Ballgjinit dhe dora e tij u shtri sërish drejt diskut jugor të “Qemal Stafës”, që ishte edhe e pesta, vendimtare, të cilën Zëri e ktheu në gol dhe Dinamo fitoi takimin. Por, Arsen Hoxha nuk do të ndalej këtu. Më pas edhe tri penallti në një ndeshje tjetër, Partizani-Besëlidhja, që e detyrojnë shtypin sportiv të shtrojë pyetjen: “Këto penallti të dhëna janë dëshirë e arbitrit apo objektivitet që duhet ta pranojmë?” Tashmë vendimet ekstreme të Arsen Hoxhës ishin bërë objekt i të gjithëve. Sidoqoftë, dhënia e penalltive, marrja e disa vendimeve befasuese, dikur të vështira, e ndryshmja dhe një stil e brez i ri arbitrimi që po shfaqej si risi në ato vite kishin krijuar preferencë dhe pëlqehej nga sportdashësit.

SA SHUMË GOLA AJO PËRBALLJE
Në fund të tetorit të atij sezoni, Arsen Hoxha drejton dy herë 17 Nëntorin për fazën finale të spartakiadës kombëtare: 17 Nëntori-Flamurtari 1-0, F. Pupa, M. Myshku, A. Hoxha dhe dy ditë më vonë, 17 Nëntori-Labinoti 3-1 (Gëzdari 2 gola, Mema, Lleshi), u arbitrua nga A. Hoxha, T. Prela e T. Kastrati. Në një vështrim të shpejtë të rezultateve të regjistruara në disa nga përballjet e tyre ndër vite, spikasin ndeshjet me shumë gola: Dinamo – 17 Nëntori 4-3 (P. Aliko); Dinamo – 17 Nëntori 5-3 (H. Kuka); Dinamo – 17 Nëntori 4-3 (T. Kastrati); Dinamo – 17 Nëntori 3-2 (A. Hoxha); 17 Nëntori – Dinamo 3-2 (M. Lara); 17 Nëntori – Dinamo 3-1 dhe 4-1, Dinamo-17 Nëntori 2-2 (H. Kuka); Dinamo – SK Tirana 2-2 (H. Fernandez) etj. Për t’u rikthyer te takimi i famshëm, kampionati i vitit 1979-1980, fund nëntori- faza e parë, 17 Nëntori – Dinamo 4-5.dinamo (1)

Dinamoja e viteve ’80 (Arkiv QRSHD)

Në një stadium të tejmbushur përballë njëra-tjetrës rreshtohen Dinamo, që vjen nga një periudhë shkëlqimi me futbollistë cilësorë, dominim absolut në mesvitet ’70-’80, kampionë e fitues të padiskutueshëm të trofeve, por në atë takim luan pa goleadorin Përnaska, i dëmtuar, dhe një 17 Nëntor në kërkim të emrit, famës së humbur në atë dhjetëvjeçar. Arbitër Arsen Hoxha, pa diskutim nga më të mirët në qarkullim, i afirmuar, gjyqtar i FIFA-s, një gjetje ideale për atë përballje. Nga Fieri janë edhe asistentët e tij. Një treshe që jepte siguri dhe garanci. Në pjesën e parë, Dinamo sulmon nga qyteti.

KK I 34-T, JAVA E 10-TË, NË “QEMAL STAFA”

17 NËNTORI-DINAMO 4-5 (2-2)
Golashënues: Çobani 20, Hyseni 27′, 66′, Ballgjini 44’/ Vladi 45′, Mema 57, Zëri 61′, 85′, Bregu 70′

17 NËNTORI: Sharra, Baçi, Hyseni, Frashëri, Naçi, Çela, Sengla, Vladi, Mema, Gëzdari, Minga (Metani).

DINAMO: Luarasi, Dautaj, Gega, Targaj, Çoçoli, Bregu, Delia, Marko, Çobani, Zëri, Ballgjni.

GJYQTARË: Arsen Hoxha kryesor, K. Pogaçe e T. Kastrati anësorë

SHTYPI – ÇFARË SHKRUAN “SPORTI”

Le t’i referohemi shtypit të kohës, gazetës “Sporti Popullor”. Një shkrim pa autor, por me të zakonshmen “Korresp. i Sportit”, në një përshkrim të shkurtër, informon: “Sportdashësit e shumtë që kishin mbushur shkallët e stadiumit ‘Qemal Stafa’, patën rastin të shohin një ceremoni të bukur, tashmë tradicionale. Futbollisti i njohur, ish-lojtar i ekipit kombëtar dhe kapiten i ekipit të 17 Nëntorit, Perikli Dhales, i dorëzon fanellën të riut Arjan Bimo. Dinamo desh e pa veten në avantazh që në minutën e 3-të, por Ballgjini ekzekuton shumë keq një 11- metërsh, duke e nxjerrë topin shumë metra lart traversës së portës të mbrojtur nga Sharra. Fillimi i lojës qe me sulme të dyanshme. Në të 20-ën, Çobani do të bëhej autor i golit të parë të takimit. Ai ndërhyri bukur e shpejt dhe topin e krosuar nga Ballgjini e dërgon në rrjetë. Në të 27′ ndërhyrja e Hysenit me kokë e barazoi rezultatin e lojës me një gol spektakolar dhe 1-1. Dy minutat e fundit të pjesës së parë janë me të vërtetë dramatike: Në të 44′ shënojnë dinamovitët me anë të Ballgjnit dhe në 45′ kundërpërgjigjen tiranasit me anë të Vladit që ekzekuton një 11-metërsh.

Pra, 2-2. Pjesa e dytë e lojës është edhe më e bukur. Në të 57-ën, 17 Nëntori e pa veten në avantazh pas gjuajtjes me mjeshtëri të Memës, pas një goditjeje indirekte. Katër minuta më vonë, Zëri korrigjon gabimin e Ballgjinit: ai kthen në gol një 11-metërsh duke barazuar në 3-3. Në të 65-tën minutë, Mema godet topin nga pika e 11- metëshit, por këtë herë meritë ka portieri Luarasi që e grushtoi. Një minutë më vonë, shikojmë përsëri mbrojtësin Hyseni që i lirë në zonën e Dinamos e çon në 4-3 rezultatin. Kundërpërgjigjja e Dinamos nuk zgjat veçse katër minuta: Krosimin e gjatë të Ballgjinit, Bregu me preçizion e dërgon në rrjetë 4-4. Dhe në të 85-tën minutë është përsëri Zëri që ndryshon rezultatin pas ekzekutimit të një 11- metrëshi të pestë të dhënë në këtë ndeshje. Dhe loja përfundoi kështu 5-4 për Dinamon”. Renditjen e kryeson Skënderbeu me 14 pikë, Partizani, Dinamo 13 pikë, Luftëtari 12 pikë, 17 Nëntori 11 pikë etj.

REAGON FSHF: HOXHA, NJË VIT JO MË 17 NËNTORIN

Pas atij takimi, FSHF e pezullon në heshtje arbitrin. Deri në mbyllje të fazës së parë, ai nuk do të drejtonte në Kategorinë e Parë, për t’u rikthyer në nisje të së dytës më 20 janar 1980, në Shkodër, Vllaznia-Labinoti 2-1 (A. Hoxha, T. Kastrati, E. Koka). Por, gjatë atij kampionati arbitri Hoxha nuk do të arbitronte as 17 Nëntorin, as Dinamon.

Për të qenë sërish në një derbi 17 Nëntori-Dinamo 2-2, pak vite më vonë, por si asistent (H. Kuka, A. Hoxha). Edhe ai 90- minutësh do të kujtohet për një gol të dhënë nga flamuri i tij, me të cilin tiranasit barazuan, shoqëruar këtë herë nga protestat e lojtarëve blu. “Një gol – jo gol, kalim apo jo i vijës së portës së Dinamos”, i konfirmuar edhe nga kryesori Kuka.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"