‘Pako e madhe’, Zef Preçi: Zgjidhje prej zhonglerësh, ‘dhuratë e partisë’ para zgjedhjeve. Qeveria arkëtoi 520 milionë USD, eksperti: Problemet e shqiptarëve s’mund të zgjidhen me…

Jan 5, 2023 | 13:28
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI

“Pakon e madhe” të qeverisë Zef Preçi e sheh si një zgjidhje prej zhonglerësh që u ofrua si “dhuratë e partisë” në prag të zgjedhjeve lokale të 15 majit. “Mjerimi nuk don mëshirë. Por don vetëm të drejtë!”.

Zef Preçi
Zef Preçi

Këto vargje të Migjenit, eksperti i njohur i ekonomisë i risjellë në kujtesë si një e vërtetë e situatës së vështirë në të cilën ndodhen sot shqiptarët për shkak të krizës ekonomike. Zef Preçi thotë për gazetën “Panorama” se ekipi qeverisës ndjehet i lodhur nga qeverisja e gjatë; idetë transformuese kanë shteruar ose mungojnë; puna në ekip ka kohë që është zëvendësuar nga “direktivat” e njëshit në rrjetet sociale. Sipas tij, procesi ligjvënës është më shumë një shërbim ndaj lobeve, bizneseve dhe oligarkëve të veçantë, duke cenuar jo vetëm garën si instrumentin më të rëndësishëm të kapitalizmit në ekonomi, por edhe sigurinë juridike dhe barazinë e palëve.

Z. Preçi, viti 2022 a ishte një vit i vështirë për shqiptarët për shkak të abuzimeve të qeverisë?

Së pari, meqë jemi në fillim të vitit 2023, më lejoni që të uroj të gjithë bashkatdhetarët tanë, kudo ku jetojnë e punojnë, për një vit të mbarë në punë dhe me shëndet, me gëzime e mbarësi në familjet e tyre. Në kohët moderne, asnjë vit nuk i ngjan tjetrit dhe jeta e përditshme është e mbushur me sfida nga më të ndryshmet…

Ndër këto sfida, padyshim cilësia e qeverisjes, pra mënyra me të cilën përdoret pasuria dhe fondet publike, zë një vend të veçantë. D.m.th. një qeveri e përgjegjshme e vizionare, që përfaqëson dhe mbron interesat publike, ndihmon edhe komunitetet dhe familjet që të moderojnë dhe të përballojnë më me lehtësi sfidat që lidhen me papunësinë dhe punësimin, me reduktimin e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies, me nxitjen e prodhimit vendas dhe shtimin e eksportit, etj.

Për fat të keq, ky nuk është rasti i vendit tonë. Ekipi qeverisës ndjehet i lodhur nga qeverisja e gjatë; idetë transformuese kanë shteruar ose mungojnë; puna në ekip ka kohë që është zëvendësuar nga “direktivat” e njëshit në rrjetet sociale; procesi ligjvënës është më shumë një shërbim ndaj lobeve, bizneseve dhe oligarkëve të veçantë, duke cenuar jo vetëm garën si instrumentin më të rëndësishëm të kapitalizmit në ekonomi, por edhe sigurinë juridike dhe barazinë e palëve, pra duke e vënë shtetin në shërbim të grupeve më me ndikim apo të lidhura me ekzekutivin; konsultimi me grupet e interesit dhe publikun e gjerë është vetëm në letër, etj.

E në këtë kuptim, sfidave që lidhen me ndikimet e krizës ekonomike globale, inflacionin, etj., ju shtohet padyshim edhe ndikimi i keqqeverisjes, aq sa mund të thuhet se në rritjen e dobët ekonomike, në stanjacionin dhe përkeqësimin e mirëqenies për shtresat e gjera të popullsisë së vendit deri edhe për braktisjen masive të tij sidomos gjatë 4-5 viteve të fundit, dështimet e qeverisë shqiptare në politikat e saj ekonomike mbeten përcaktuese në krahasim me faktorët e jashtëm.

Në lidhje me abuzivizmin në ushtrimin e detyrave publike, d.m.th. me korrupsionin e dyshuar të shumë zyrtarëve të lartë politike dhe administrative, krerëve të bashkive, disa deputetëve, etj., mendoj se nevojitet një ndryshim mentaliteti i çdo qytetari, çdo familjeje e komuniteti dhe i kombit shqiptar në tërësi.

E duke njohur rolin e rëndësishëm të masmedias, mendoj se edhe ky grup social ka vend për të pasur një optikë tjetër ndaj këtyre fenomeneve gërryese të besimit publik ndaj shtetit të së drejtës dhe ndaj mirëqenies së secilit prej nesh. Me konkretisht, mendoj se duhet hequr dorë nga vajtimi permanent i gjendjes në të cilën gjendet ekonomia dhe shoqëria e sotme shqiptare, por duhet parë se çfarë bën secili për të ndjekur dhe respektuar rregullat e shkruara në vendin e punës, në rrugë e institucione gjatë marrjes së shërbimeve publike, si dhe sa bashkëpunon secili me organet ligje-zbatuese, etj.

Është koha të kuptojmë se kontrolli politik njëngjyrësh i të gjitha institucioneve dhe pushteteve në vend dhe problemet e brendshme të drejtimit të opozitës kanë shtuar dukshëm riskun e abuzivizmit me pushtetin, pasurimin e paligjshëm të një numri gjithandej edhe më të madh zyrtarësh duke ushqyer edhe fenomenin e pandëshkueshmërisë së korrupsionit të njohur gjatë gjithë periudhës pas vitit 1991.

Shpresat e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve për sukses të luftës kundër korrupsionit nëpërmjet punës së Njësisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) nuk duhen humbur, por shihet qartë se përveç kapërcimit të dyshimeve jo fort pa baza për ndikime politike ndaj individëve apo segmenteve të caktuara të kësaj njësie, suksesi i saj varet dukshëm nga përmbushja e detyrave nga ana e agjencive shtetërore të kontrollit financiar, kontrollit juridik dhe administrative, mobilizimit të sinjalizuesve antikorrupsion, etj.

Kështu, prej të paktën dy dekadash Kuvendit të Shqipërisë i paraqiten çdo vit raporte të plota dhe tematike nga auditi i jashtëm (Kontrolli i Lartë i Shtetit) me evidenca dhe informacione të rëndësishme të dokumentuara rregullisht rreth shkeljeve administrative dhe dyshimeve për vepra penale në lëmin e financave publike, kontratave koncesionare, prokurimeve, tatime-taksave, licencimeve në shfrytëzimin e pasurive natyrore, përdorimin e fondeve të donatorëve të huaj, etj.

Nëse agjencitë ligjzbatuese si organi i akuzësprokuroria e republikës, gjykatat, hetimi policor, hetimi tatimor, inspektoratet e shumta, etj., do të përmbushnin detyrimet e veta ligjore mbi bazën e punës së tyre të përditshme dhe të rekomandimeve të KLSH-së, me siguri edhe puna e SPAK dhe e gjykatës së posaçme do të mund të përqendrohej në hetimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit në nivelet e larta të politikës. E njëjta gjë duhet thënë edhe për një numër agjencish apo entesh rregullatore që janë krijuar me ligje të veçantë apo janë pjesë e korpusit kushtetues të institucioneve të shtetit.

Në raportimet e tyre gjenden të dhëna dhe informacione të rëndësishme që nëse do të përdoreshin për të amenduar, d.m.th. për të përmirësuar kuadrin e legjislacionit primar dhe sekondar, mund të çonin në përdorimin me efektiv të burimeve financiare, materiale dhe njerëzore në dispozicion të qeverise, por edhe në zvogëlimin e dëmeve ndaj shtetit – eventualisht edhe të abuzivizmit dhe korrupsionit, pra edhe në një përmirësim më të shpejtë të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Pse qeveria nuk përmbush dot nevojat e mirëqenies së qytetarëve apo vëmendja për ta kthehet vetëm në prag të zgjedhjeve?

Në kushtetutat e vendeve demokratike, por edhe në tonën, ka parashikime të qarta se funksioni i qëllimit të qeverisjes është plotësimi i nevojave të mirëqenies se qytetareve. Për fat të keq, në vendin tonë rreth kësaj teme flitet dhe premtohet nga aktorët politikë vetëm në prag fushatash elektorale, por që harrohen që ditën e parë pas marrjes së pushtetit…

Parimisht, përmes politikave që ndiqen në lëmin e ekonomisë dhe të financave, biznesit, investimeve, etj., synohet që ekonomia të rritet e të zhvillohet me shpejtë, që fuqia e re punëtore të kontribuojë dhe të plotësojë nevojat e saj në vend, pra që e mira më e madhe të shkojë në favor të shumicës, por edhe të ruhen ekuilibrat e shoqërisë edhe karakteri human i sistemit. D.m.th. të mbështeten shtresat dhe grupet shoqërore në nevojë, personat e moshës së tretë, etj.

A është për shqiptarët “pako e madhe”, ndihma ekonomike prej 8 miliardë lekësh që qeveria do t’u japë këto ditë të para të fillim vitit shtresave në nevojë, të cilët nuk mundën ta përfitojnë para festave të fundvitit…?

Të vijmë te “pakoja e madhe” e ndihmës ekonomike të shpallur nga qeveria. E vërteta e së sotmes në lidhje me këtë pako mund të përshkruhet në frazën: “Mjerimi nuk don mëshirë. Por don vetëm të drejtë!”, siç thoshte Migjeni një shekull më parë. Politika e mosrritjes së pagave të punës në sektorin publik për një kohë të gjatë, rritja e tyre me pikatore vetëm në prag fushatash elektorale, mosfunksionimi si duhet i komitetit trepalësh punëdhënës-punëmarrës— qeveri; ndërhyrjet pjesore me qëllim rishikimin në rritje të pagave në sektorë të ndryshëm të shërbimeve publike, etj., kanë sjellë një situatë shqetësuese pagash dhe pensionesh në vendin tonë.

Nga njëra anë mungon një piramidë e konsoliduar pagash e bazuar në arsimimin, përvojën profesionale, pozitën e punës në hierarkinë shtetërore, shoqëritë publike me kapital shtetëror si dhe një numër institucionesh publike jobuxhetore kanë paga shumëherë më të larta për vende pune të ngjashme në administratën shtetërore. Nga ana tjetër, gjithë efektet e krizës ekonomike botërore, korrupsionit të brendshëm, presionin e tatim-taksave, etj. Komuniteti i biznesit e shkarkon mbi të punësuarit. Për rrjedhojë pagat reale të punës kanë njohur rënie relative gjatë dekadës së fundit dhe janë në nivelin e fundit në krahasim me vendet e rajonit.

Në këto kushte, por edhe të nxitur edhe nga hapja e pakontrolluar e tregut të punës për punëtorë kryesisht të pakualifikuar nga vendit e Azisë, Afrikës, etj., vendi po braktiset në mënyrë masive sidomos nga të rinjtë dhe të shkolluarit për të cilët tregu vendas nuk ofron paga stimuluese, që justifikojnë shkollimin, aftësimin profesional, etj. Po kështu edhe presioni mbi skemën e sigurimeve shoqërore dhe nevojat për subvencionimin e kësaj skeme mbeten shumë të mëdha.

Në këto rrethana, sigurimi i një shtese të konsiderueshme në të ardhurat buxhetore të vitit 2022 kryesisht për shkak të inflacionit dhe rritjes se çmimeve ishte një mundësi e artë për qeverinë që nga njëra anë të rindërtonte një piramidë pagash në sektorin publik si kudo në botën demokratike, por edhe të krijonte edhe një mekanizëm të rritjes së përvitshme të pagave në këtë sektor të kushtëzuar, sipas mendimit tim, me rritjen ekonomike, indeksimin për shkak të inflacionit dhe performancën aty ku është e mundur të matet/vlerësohet.

Në këtë mënyrë jo vetëm që vendi do të bëhej më tërheqës për të rinjtë, të arsimuarit, etj., por edhe do të ushtrohej kështu edhe presioni i nevojshëm e legjitim në këtë rast mbi sektorin privat që të reflektonte për rritjen e pagave të justifikuar me rritjen e produktivitetit të punës si për fuqinë punëtore ekzistuese, por posaçërisht me fuqinë punëtore të re të angazhuar në këtë sektor. Në tërësi edhe vendi do të ishte më tërheqës dhe do të afrohej ky tregues (paga e punës) edhe me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër, këto të ardhura shtesë, të vlerësuara në më shumë se gjysmë miliardë euro ishin një mundësi e mirë për të demonstruar natyrën humane të sistemit në drejtim të trajtimit të moshës së tretë dhe grupeve e shtresave në nevojë. Mirëpo kjo kushtëzohet dukshëm me njohjen dhe pranimin nga qeveria të minimumit jetik, një tregues për të cilin nuk kanë munguar angazhimet politike, por praktikisht nuk është bërë asgjë. Vendosja e këtij minimumi qoftë edhe me karakter llogaritës do të mundësonte që, së pari, të kuptoheshin përmasat shqetësuese të varfërisë dhe mjerimit që sundon në vend për një pjesë të konsiderueshme të personave në moshën e tretë, personave me aftësi të kufizuar, personave përfitues të ndihmës ekonomike, etj.

Së dyti, një pjesë e mirë e këtyre parave duheshin përdorur pikërisht për këtë qëllim: për të mbështetur në mënyrë sistematike këto kategori sociale, pra për të njohur ligjërisht minimumin jetik dhe për të mos pasur qytetar shqiptarë në pension, person me aftësi të kufizuar apo person përfitues të ndihmës ekonomike nën këtë nivel. Për fat të keq, asnjëra nga këto nuk ndodhi, por qeveria u mjaftua me kambialin elektoral të radhës, njëlloj joshjeje financiare për vitin e ri kur pas 4 muajsh janë zgjedhjet administrative të radhës…

A është e vonuar kjo paketë…?

Siç e shpjegova me sipër, politika të tilla kanë të bëjnë me klimën e përgjithshme të biznesit në vend, reflektojnë shkallën e të kuptuarit nga qeveria të problemeve të mprehta socialekonomike që ka një numër të madh familjesh shqiptare, por edhe vizionin e munguar për zgjidhje sistemike, që i shërbejnë së sotmes dhe së ardhmes së vendit, që dekurajojnë braktisjen e tij. Kjo paketë ishte një zgjidhje prej zhonglerësh duke e ofruar si “dhuratë të partisë”, ndonëse mungesa e debatit publik, sidomos atij parlamentar rreth kësaj paketë, duket se do të kalojë në heshtje edhe nga KQZ, siç edhe ndodhi me shpërndarjen më të holla në dorë (cash) të fondeve të rindërtimit në Durrës dhe në zona të tjera deri edhe tri ditë përpara ditës së votimit në zgjedhjet e shkuara.

Do të ishte mirë që masa të karakterit social të kësaj natyre, të ndërmerreshin së bashku me diskutimin dhe miratimin nga Kuvendi e buxhetit të vitit pasardhës dhe të ishin pjesë e paketës përkatëse fiskale. Në këtë kuptim, nuk do të flisnim për vonesë në lëvrimin e paketës së ndihmës ekonomike, por lëvrim në kohë të saj…

Qeveria, edhe pse si pasojë e inflacionit të lartë në 11 muaj arkëtoi 520 milionë USD, do të ndajë 8 miliardë lekë ose 80 milionë dollarë për pensionistët dhe familjet në nevojë. A është e mjaftueshme kjo ndihmë…? Ku shkojnë paratë e tjera…?

Në ditët e sotme, qeveria ka të gjitha mundësitë që përpara se të marrë vendimet përkatëse mbi përparësitë e shpërndarjes së fondeve buxhetore, të kryejë analizat përkatëse mbi efektet e pritshme të ndërhyrjes, etj. D.m.th. ekzistojnë metoda ekonometrike të prognozës për t matur ndikimin në ekonomi të investimit të të ardhurave suplementare buxhetore në një sektor apo një sektor tjetër të ekonomisë, përdorimin e tyre për nevoja sociale, shlyerjen e borxhit apo pakësimin e marrjes s borxhit të ri për të shlyer borxhin e vjetër, etj.

Mirëpo fakti se qeveria vazhdon me arrogancë kursin e përfshirjes korruptive të kapitalit privat, ndoshta edhe te parave nga burime kriminale, në infrastrukturën publike në formën e kontratave koncesionare të llojit PPP dëshmon, për fat të keq, për ndikimin e madh që ka oligarkia mbi vendim-marrjen e qeverisë. Pikërisht në këto „vepra” shkuan edhe paratë e mbledhura më shumë se plani vjetor i 2022, pa asnjë angazhim të qeverisë apo të administratës fiskale, e aq më keq duke varfëruar më tej qytetarët. Të krijohet përshtypja, por jo vetëm kaq, që qeveria dhe oligarkët janë së bashku në njërën anë të barrikadës, ndërsa qytetarët që për shkak të krizës dhe te keqqeverisjes po varfërohen më tej në anën tjetër të saj…

Mbështetja e ofruar nga qeveria, përfshirë edhe atë përmes “pakos së madhe” është sërish e ulët nisur nga kriza dhe rritja dyshifrore që kanë njohur çmimet. Çfarë efekti ka kjo paketë te qytetarët krahasuar me çmimet stratosferike me të cilat përballen pensionistët dhe ata që janë me rroga të ulëta?

Çfarëdo ndihmese ndaj shtresave më të varfra të shoqërisë, ndaj personave të moshës së tretë, etj., duhet vlerësuar pozitivisht edhe pse ndikimi zbutës, qoftë edhe i përkohshëm ndaj varfërisë është simbolik. Rritja e çmimeve dhe inflacioni kanë lidhje me goditjen që ka pësuar krahu i ofertës, çka do të thotë që qeveria do të duhej të kishte ndërmarrë politika sektoriale që nxitin prodhimin vendas, që mundësojnë prodhimin e produkteve zëvendësuese, d.m.th. që rrisin ofertën e mallrave në treg… Kjo nuk bëhet as me shantazhe alarmuese kryeministrore rreth krizës globale, as me propagande “non-stop” siç po ndodh prej vitesh…

Referencat e vendeve të tjera, përfshirë dhe vendet fqinjë janë krejt tjetër krahasuar me Shqipërinë lidhur me ndihmën ekonomike. Cila do të ishte një ndihmë e vërtetë për shqiptarët, mesa më shumë ndikim zbutës…?

Çdo vend ka situata të ndryshme, të veçantë ekonomike e sociale, prandaj edhe politikat janë e duhet të jenë specifike. Kështu që nuk e shoh shumë të dobishme një analizë krahasuese me vendet e tjera të rajonit. Gjithsesi, principet se si duhej vepruar në rastin tonë mendoj se i analizuam mjaftueshëm më sipër. Por, siç ka ndodhur me shpërblimin e këtij fundvitit edhe në këtë rast vlera e përfituar nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë. Për kategori specifike siç janë pensionistët dhe nënat kryefamiljarë që trajtohen me ndihmë ekonomike masa e përfitimit do të jetë më e lartë, ndërsa për personat me aftësi të kufizuara më e ulët.

Pse kjo ndarje e trajtimit financiar sipas jush…?

Në vlerësimin tim, referenca ndaj minimumit jetik do të bënte që trajtimi financiar ndaj grupeve shoqërore në nevojë, pensionistëve, etj., të ishte sistemike, d.m.th. e zgjidhur ligjërisht, me korrigjime të përvitshme për të reflektuar korrigjimin (indeksimin) për shkak të inflacionit dhe ndikimin e rritjes ekonomike. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme duke marrë parasysh faktin që kriza e sotme godet më shumë më të varfrit që bëhen edhe më të varfër, ndërsa brenda këtij grupi social shtresat në nevojë dhe pensionistët me pension minimal (rreth 85% e numrit të përgjithshëm të tyre) i vuajnë edhe më shumë pasojat e kësaj krize. Ndërsa sektori informal dhe prurjet monetare të emigracionit (remitancat) nuk mund të amortizojnë pafundësisht efektet e politikave publike të papërsosura, defektet e tyre.

Lançimi i kësaj ndihme ekonomike pse përafroi me zgjedhjet lokale të 15 majit? “Pakoja e madhe” e qeverisë a është një pilulë elektorale siç thotë edhe kreu i opozitës Sali Berisha?

Do të ishte e padrejtë të shmangej këndvështrimi elektoral dhe interesat e mëdha të partisë qeverisëse në lançimin e kësaj ndihme ekonomike, që në fakt është thjeshtë një rishpërndarje fondesh buxhetore të krijuara me kontributet e të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të vendit. Me ketë dua të them se ndikimi elektoral është diçka e pritshme, por edhe e stimuluar qëllimisht, sic edhe ndodh zakonisht në mjedisin social, politik dhe mediatik shqiptar.

Por po kaq e vërtetë është se problemet social-ekonomike të familjeve shqiptare janë shumë komplekse dhe nuk mund të zgjidhen as me një dhe as me disa paketa të tilla të ndihmës ekonomike. Ekonomia shqiptare prej dekadash ka nevoje ulëritëse për reforma pro-rritjes dhe zhvillimit dhe për ndërmarrjen e këtyre reformave qeverisë i duhen reformatorët dhe jo oligarkët me interesat e tyre agresive të biznesit, që për fat të keq duket se diktojnë vendimmarrjet e saj strategjike dhe jo vetëm…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura