Xhixha më rezultativi dhe Mysloviç më i aktivizuari! Lojtarët e ardhur në verë, ndikimi dhe kontributi tek Tirana
Merkatoja e dimrit ka sjellë një numër të konsiderueshëm afrimesh, të cilët kanë pasur një rol të ndryshëm në ecurinë e ekipit gjatë këtij sezoni. Nga sulmi te mbrojtja, kontributet janë shpërndarë në disa reparte, me disa lojtarë që janë shndërruar menjëherë në pika referimi.
Në repartin ofensiv, Redon Xhixha ka qenë ndër më të dalluarit. Me 5 gola dhe 3 asiste në 14 ndeshje, ai ka dhënë një impakt të menjëhershëm, duke qenë një nga burimet kryesore të golave. Edhe pse nuk ka luajtur gjithmonë 90 minuta, mesatarja e tij e pikëve për ndeshje (1.71) tregon rëndësinë që ka pasur në rezultatet e skuadrës. Në të njëjtin repart, Emanuel Ernest (tashmë i larguar) ka pasur më pak minuta dhe ndikim më modest, duke kontribuar me vetëm një asist në 11 paraqitje.
Në mesfushë, Patrik Mysloviç është lojtari me më shumë aktivizime nga afrimet e verës. Me 18 ndeshje dhe 3 gola, ai ka qenë një element i qëndrueshëm, duke garantuar balancë dhe volum loje. Nga ana tjetër, Fredi Alvarez ka treguar cilësi krijuese, me 2 gola dhe 3 asiste në vetëm 13 ndeshje, duke qenë shpesh vendimtar në fazën sulmuese. Ndërsa Rijad Kobiljar nuk ka arritur të lërë gjurmë të dukshme në statistika, duke mbetur pa gola apo asiste.
Në repartin mbrojtës, afrimet kanë qenë të shumta. Bazilio Ndong ka spikatur në krahun e majtë, me paraqitje të qëndrueshme dhe kontribut edhe në fazën sulmuese (2 gola dhe 1 asist). Në qendër të mbrojtjes, Diar Halili dhe Anton Kresiç kanë dhënë siguri, secili me nga një gol të shënuar, ndërsa Johan Kortez ka qenë më pak produktiv në aspektin statistikor, por i rëndësishëm në rotacion.
Në portë, Visar Bekaj ka marrë minuta të konsiderueshme, duke qenë një zgjedhje e besueshme, edhe pse pa statistika direkte si gola apo asiste, roli i tij lidhet me stabilitetin në prapavijë. Në përgjithësi, afrimet e verës kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në skuadër. Disa lojtarë janë integruar menjëherë dhe kanë marrë role kyçe, ndërsa të tjerë ende janë në proces adaptimi. Megjithatë, balanca mes eksperiencës dhe energjisë së re duket se ka ndihmuar ekipin të ruajë konkurrueshmërinë gjatë sezonit.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













