“Vlora i ka munguar shumë Superiores”. Batha: Flamurtari në elitë, ishte detyrim për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2025 | 11:05

“Vlora i ka munguar shumë Superiores”. Batha: Flamurtari në elitë, ishte detyrim për ne

Pas sezonit 2018-2019 në Superiore, Idriz Batha arriti marrëveshjen e rikthimit te Flamurtari në dhjetor 2023. Misioni ishte i qartë, rikthimi në elitë i klubit. Sezonin e shkuar luajti vetëm një pjesë dhe nuk e arriti dot objektivin, por viti 2025 ishte me fat pasi solli ngjitjen e shumëpritur.

BATHA

Për “Panorama Sport”, Batha rrëfen emocionet dhe vështirësitë e Kategorisë së Parë, që mbetet një ëndërr e keqe. 33-vjeçari me eksperiencë dhe në skuadra të njohura si Partizani, Tirana, Teuta dhe Besa, në ndeshjen e fundit me Vorën ishte kapiten i ekipit. “Jam shumë i lumtur për ngjitjen e Flamurtarit në Superiore. Përveçse i detyroheshim qytetit, presidencës dhe të gjithë tifozëve, e kisha një detyrim moral edhe për pjesën time, që të isha pjesë e ngjitjes së Flamurtarit në elitë. Ndihen shumë i kënaqur dhe i lumtur. Superiores i ka munguar Flamurtari”, shprehet fillimisht Batha.

KTHIMI NË RETROSPEKTIVË – Idriz Batha kthehet pas në kohë dhe kujton rikthimin në Vlorë, për të cilin ndihet shumë i kënaqur edhe për respektin e vlonjatëve ndaj tij. “Me Vlorën dhe Flamurtarin më lidhin kujtime të bukura. Përpara se të vija këtu kisha oferta nga disa klube të tjera. Jam shumë i lumtur që u riktheva te Flamurtari sezonin e shkuar. Dua të falënderoj presidentin Idrizi, sepse nuk hezitoi asnjë moment dhe pranoi kërkesën time. Ishte emocionuese. Më bindi respekti, por sigurisht edhe ana financiare. Lumturi pa fund që kam kontributin tim në rikthimin e Flamurtarit, aty ku e ka vendin, në Superiore”, thotë Batha.

RRUGËTIMI DHE SHIRITI – Për Bathën, ngjitja e Flamurtarit në elitë nuk ka qenë e lehtë, por një rrugëtim i vështirë. Në ndeshjen me Vorën kur skuadra u ngjit, ai ishte kapiten i vlonjatëve. “Ishte një udhëtim i gjatë dhe me lodhje e vështirësi. Me transferta të gjata, por rruga harrohet shpejt, ndeshja mbetet në kujtesë. Shiriti i kapitenit? Më falni për modestinë, por nuk kam ndjenja të tilla. E kam mbajtur shiritin kudo ku kam shkuar dhe nuk më jep ndonjë ndjesi të veçantë, sepse edhe pa shirit ndjej që duhet të marrë gjithmonë përgjegjësi në ekip. I tillë kam qenë që 20 vjeç dhe jo më tani”, përfundon Batha.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL