Klubi i Kategorisë së Parë me drejtor të ri, konfirmohet trajneri Idrizaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2026 | 21:03

Klubi i Kategorisë së Parë me drejtor të ri, konfirmohet trajneri Idrizaj

Oriku do të shkruajë këtë sezon një faqe të re në historinë e tij, pasi do të garojë në Kategorinë e Parë. Megjithatë, klubi vlonjat nuk dëshiron të jetë thjesht një debutues në këtë kampionat. Drejtuesit kanë ndërtuar një projekt afatgjatë, duke forcuar strukturat sportive dhe duke investuar te vazhdimësia, me synimin që skuadra të jetë konkurruese dhe të sigurojë një paraqitje dinjitoze.

inspektimi te oriku

Për të përballuar sa më mirë sfidat e sezonit të ri, Oriku ka nisur fazën intensive përgatitore në Maqedoninë e Veriut, ku skuadra do të zhvillojë stërvitje dhe ndeshje kontrolli. Në kampin vlonjat mbizotëron atmosfera e punës dhe përkushtimit maksimal, ndërsa objektivi është që ekipi të arrijë formën optimale për startin e kampionatit. Në njoftimin e klubit theksohet se përpara skuadrës janë ditë me punë intensive, disiplinë dhe angazhim total nga të gjithë komponentët – lojtarët, stafi teknik dhe drejtuesit – për të qenë sa më të përgatitur për sfidat që i presin në Kategorinë e Parë.

Ergest Fasko, drejtori i ri sportiv

Një nga lëvizjet më të rëndësishme të verës është emërimi i Ergest Faskos në postin e Drejtorit Sportiv. Me këtë zgjedhje, drejtuesit synojnë të forcojnë organizimin e klubit dhe të hedhin themelet e një projekti të qëndrueshëm. Në njoftimin zyrtar, KF Oriku shprehet:

fasko

“Klubi i Futbollit Oriku ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Ergest Faskos në postin e Drejtorit Sportiv. Me këtë emërim, klubi synon të forcojë strukturën sportive dhe të vijojë projektin e ndërtimit të një skuadre konkurruese për sezonin e ri. I urojmë Ergest Faskos mirëseardhje dhe shumë suksese në detyrën e tij të re, duke i dëshiruar një rrugëtim të suksesshëm me ekipin tonë. Mirë se erdhe në familjen e KF Orikut”.

Konfirmohet trajneri Sherif Idrizaj

Një tjetër sinjal i qartë i stabilitetit është konfirmimi i trajnerit Sherif Idrizaj në krye të skuadrës. Tekniku do të drejtojë Orikun për sezonin e katërt radhazi, pasi ka qenë një nga arkitektët e suksesit që çoi ekipin drejt ngjitjes në Kategorinë e Parë. Palët kanë rinovuar bashkëpunimin dhe Idrizaj ka nisur tashmë punën me skuadrën, duke udhëhequr përgatitjet për sezonin e ri. Në komunikatën e klubit thuhet:

idrizaj

“Klubi i Futbollit Oriku ka kënaqësinë të njoftojë se trajneri Sherif Idrizaj do të vazhdojë të drejtojë ekipin edhe për sezonin e ri. Pas punës së bërë në vitet e fundit, palët kanë arritur marrëveshjen për të vijuar së bashku, ndërsa trajneri ka nisur tashmë seancat stërvitore në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. I urojmë trajnerit Idrizaj shumë suksese në sezonin e katërt radhazi në stolin e ekipit tonë. Vazhdojmë së bashku”. Me një staf të konsoliduar, një drejtim sportiv të riorganizuar dhe një fazë përgatitore të mirëplanifikuar, Oriku synon të mos jetë thjesht një emër i ri në Kategorinë e Parë, por një skuadër që do të luftojë në çdo javë për rezultate pozitive dhe për të fituar respektin e rivalëve në sezonin e tij historik.

PANORAMASPORT.AL