EKSKLUZIVE/ Trajneri i njohur, Bozgo: Dinamo e Egnatia kanë shanse kualifikimi, ja si munden sllovenët (E PLOTË)
Dinamo dhe Egnatia janë dy skuadrat e vetme të Superiores që kanë mbetur në Europë dhe si për ironi të fatit, të dyja skuadrat do të përballen me ekipe sllovene.
Dinamo e ka sfidën më të lehtë në letër sipas trajnerit të njohur Kliton Bozgo. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bozgo shprehet se Alumini nuk është një skuadër që tremb në Europë teksa i jep shanse të shumta kualifikimi edhe ekipit të Egnatias, që përballë do të ketë Celjen. Bozgo flet me superlativa për të dy trajnerët, si Dajën ashtu edhe Deden duke qenë i bindur se me eksperiencën e tyre mund të dalin me kualifikim.
Dinamo luan me një ekip slloven. Si e parashikon si ndeshje fillimisht?
Me Aluminin e Kidriçevës, para disa vitesh, rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, kam qenë unë trajner. Bëhet fjalë për një klub që është njëzet kilometra larg Mariborit. Alumini, në përgjithësi, merr lojtarë të rinj, për shembull nga Maribori, që të mund të afirmohen dhe kështu me radhë. Është një klub që për herë të parë në historinë e tij po luan në kupat e Europës. Edhe vjet fituan trofeun e parë në historinë e tyre, fituan Kupën e Sllovenisë.
Tani, në qoftë se e krahasojmë me Dinamon, nuk mund ta krahasojmë kurrë, sepse Dinamo është një klub me traditë shumë të madhe. Gjithmonë ka luajtur në kupat e Europës, jo vetëm tani, por gjatë gjithë historisë së saj. Pas Dinamos qëndron një histori dhe një rrugëtim i gjatë, kurse Alumini është hera e parë që merr pjesë në Europë, plus ndeshjet nuk i bëjnë në Kidriçevë, në stadiumin e tyre, sepse nuk i plotësojnë kriteret dhe kushtet e Europës. Luajnë në Maribor.
Cila është gjendja e skuadrës për momentin?
Kanë ndryshuar. Më duket se rreth dhjetë lojtarë kanë ikur nga ekipi. Kanë ikur nga portieri e deri te lojtarë të tjerë. Gjithsej kanë ngelur tre-katër lojtarë nga formacioni i vjetër. Të tjerët janë të rinj dhe akoma nuk janë futur në atë ritëm; janë duke marrë avash-avash konceptin dhe filozofinë e trajnerit. Kjo është gjë normale, sepse ata vetëm dy ndeshje zyrtare kanë bërë deri tani, me Sherifin. Këto dy ndeshje me Sherifin, sidomos ndeshja e dytë në Maribor, ishin komplet dominante. Kanë luajtur shumë mirë, ama kjo është Europa. Europa nuk të fal.
Kur luan ndeshje të Europës, ti mund të jesh shumë i mirë, por kundërshtari të vjen një herë në portë, bën golin dhe mbaron. Kështu ishte edhe kjo ndeshje. Në minutën e pestë ata bënë gol, kur Alumini kishte kornere dhe kontrollin e lojës. Në kundërsulm bënë 1-0 dhe mbaroi loja. Alumini kishte pesëmbëdhjetë, njëzet kornere, nuk e di saktë sa kishte, kishte rreth 65 për qind të posedimit të topit dhe në fund humbi 1-0.
Unë e shikoj që Dinamo ka përvojë. Ka një përvojë shumë të madhe, sidomos trajneri Ilir. Është një trajner që ne i themi “ka kilometra” si trajner, në kuptimin e mirë të fjalës. Është trajner që është mësuar me trofe, është mësuar të menaxhojë situata të vështira. Shembull, bravo i qoftë Dinamos dhe Ilirit, si dhe të gjithë stafit të tij, sepse kjo fitore me Astanën më ka surprizuar në mënyrë pozitive. Të fitosh në Tiranë 1-0 dhe pastaj të shkosh atje e të fitosh 4-0, bravo, vërtet komplimente. Problemi është që kampionati shqiptar fillon vonë, fillon në fund të gushtit. Të gjitha ekipet e tjera, për shembull, Alumini e ka luajtur ndeshjen e parë të kampionatit dhe luajti me Mariborin 0-0. Kanë luajtur të shtunën, pra brenda një jave kanë luajtur tre ndeshje. Kjo do të jetë ndeshja e katërt. Prapë, në këtë periudhë shumë të shkurtër, janë shumë ndeshje.
Volumi është i menjëhershëm dhe ata akoma nuk e kanë skuadrën të konsoliduar shumë. Janë lojtarë të rinj që janë duke u provuar. Nuk janë konsoliduar, nuk janë akoma duke provuar edhe sistemet e lojës dhe, sipas mendimit tim, Dinamo ka shanse shumë të mëdha. Ka mundësi shumë të mëdha. Dinamo ishte me në short fat, sepse thashë, Alumini është hera e parë që po luan në Europë, nuk luan në stadiumin e vet dhe, plus, ndeshja e dytë do të jetë në Shqipëri.
Në Shqipëri, rrezik, ndeshja tjetër do të jetë me dyzet gradë temperaturë. Ne jemi mësuar me atë temperaturë, kurse për Aluminin kjo do të jetë prapë një vështirësi, sepse në futboll ka disa faktorë që janë ata dy për qind, pesë për qind. Aq është futbolli, me dy apo pesë për qind përparësi mund të fitosh një ndeshje.
Ndërkohë, te Alumini janë edhe dy shqiptarë…
Po, Feta dhe Bajrami. Feta erdhi nga Maqedonia, fillimisht erdhi në Maribor. Maribori pastaj e huazoi, e shiti te Celja. Ai luajti shumë te Alumini dhe pastaj Maribori e bleu përsëri. Kurse Bajrami, që luan me Aluminin, vitin e kaluar ishte golashënuesi më i mirë i kampionatit. Edhe atë e mori Alumini.
Pse nuk shohim më shumë lojtarë shqiptarë në kampionatin slloven. A është kampionati slloven aq i fortë sa shqiptarët nuk arrijnë ta depërtojnë dot, apo mendon se thjesht interesi i lojtarëve shqiptarë nuk është shumë te Sllovenia?
Është ndryshe tani, sepse rrugët janë hapur. Dikur ka qenë shumë e vështirë të shkoje jashtë. Lejoheshin vetëm dy lojtarë të huaj dhe ishte shumë e vështirë. Kampionati italian ka qenë ëndërr për ne. Sot, falë mediave dhe gjithë zhvillimeve të tjera, ti mund të shohësh një lojtar për dy minuta, qoftë edhe nëse ka bërë gol në Zelandën e Re apo në Australi. Pra, mundësitë janë shumë më të mëdha. Plus, Shqipëria ka menaxherë shumë të mirë. Po shohim se ku luajnë lojtarët tanë: në Serie A dhe pothuajse në çdo kampionat e në çdo vend të botës. Mundësitë sot janë shumë më të mëdha se dikur
Ndërkohë Egnatia luan me Celjen. Si janë këto dy skuadra në nivel nëse e keni ndjekur Egnatian?
Po, po e kam ndjekur. Për shembull, Celja ka dominuar dy vitet e fundit në kampionatin slloven dhe në Europë ka luajtur jashtëzakonisht mirë. Mirëpo, trajneri spanjoll shkoi te Eintraht Frankfurti dhe erdhi një trajner tjetër. Celja ka pësuar shumë ndryshime. Shumë lojtarë kanë ikur. Lojtarët bazë i kanë ikur, katër-pesë lojtarë kryesorë që kanë qenë ndër më të mirët vitin e kaluar janë larguar. Ikën një rus, një spanjoll dhe një slloven, kapiteni, i cili erdhi këtu në Maribor. Kanë ardhur lojtarë të tjerë dhe ka shumë oscilacione. Edhe ndeshjen e parë e luajtën 2- 2 në shtëpi kundër Murës. Akoma nuk kanë ardhur në nivelin e tyre. Edhe ata, si Alumini, kanë pësuar shumë ndryshime në ekip. E pashë edhe këtë ndeshje me Murën dhe pashë që kanë shumë probleme.
Për mendimin tim, do të jetë një ndeshje shumë e fortë, një ndeshje vendimtare. Akoma nuk e dimë si do të jetë kjo ndeshje nesër, sepse akoma nuk ka dalë fytyra e qartë e Celjes. Por nuk është siç ka qenë vjet. Vjet ka qenë shumë e fortë, ka dominuar në kampionatin slloven, ndërsa këtë vit kanë pësuar shumë ndryshime. Ndryshimet nuk zëvendësohen brenda natës. Mund të marrësh edhe lojtarë shumë të mirë, por derisa të mësohen me sistemin, konceptin dhe filozofinë e trajnerit, do të marrë kohë. Edhe Egnatia, pas fitores fantastike me atë ekipin moldav, është me kokën lart, siç i thonë. Kanë edhe shortin, por tani nuk duhet të mendojnë për ndeshjen tjetër. Duhet të kalojnë njëherë këtë tur. Pastaj vjen turi i tretë. I kanë dyert e hapura për të shkuar më tej. Kush kalon, sipas mendimit tim, ka mundësi të kalojë edhe kundërshtarin tjetër, sepse ndeshja tjetër është me Ararat ose Shamrok. Ararat dhe Shamrok janë ekipe që mund t’i kalojnë edhe Egnatia, edhe Celja.
Ama në futboll nuk mendohet kështu. Mendohet njëherë për kundërshtarin e radhës. Duhet të respektosh çdo kundërshtar. Është një ndeshje e hapur. Janë të dyja ekipet shumë cilësore, edhe Egnatia, edhe Celja. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos ndeshja e parë, sepse ndeshja e dytë në Celje pastaj do të jetë ndryshe. Egnatia do të ketë pothuajse gjithë javën pushim, kurse Celja duhet të luajë edhe ndeshje kampionati. Ka ndeshje kampionati dhe pastaj ka edhe ndeshjen tjetër me Egnatian. Kështu që, për një periudhë 10-15 ditore, Celja do të ketë pothuajse katër ndeshje. Në këtë moment janë në një situatë shumë të ngarkuar.
Profesor, duke njohur futbollin slloven, nëse trajneri Daja dhe Dede do t’ju kërkonte këshillë për të mundur këto skuadra, çfarë i thua?
[Qesh] Ma ke bërë një pyetje shumë të sikletshme. Jo, të dy trajnerët janë trajnerë që i njoh mirë. Edhe Nevilin e njoh mirë, edhe Ilirin. Janë trajnerë që kanë punuar shumë, kanë punuar fort dhe kanë ardhur në këtë situatë, në këtë moment që janë tani, duke përfaqësuar me dinjitet ekipet tona në Europë. Janë të gjitha ekipet, sidomos në këtë fazë, ekipe që mund të fitojnë.
Nuk duhet të harrojmë se janë detajet ato që do të vendosin të dyja ndeshjet. Gjërat e vogla kanë për të vendosur. Por unë them se ata e dinë shumë mirë. E kanë analizuar shumë mirë, si njëri ashtu edhe tjetri, kundërshtarët e tyre. Nuk po bëhem tifoz as për njërin, as për tjetrin, por po e lëmë që shpresojmë që të fitojë më i miri dhe të shikojmë një futboll të bukur. Do të jem tifoz dhe besoj se do të jem në stadium në të dyja ndeshjet.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













