Luftëtari nis misionin e rikthimit, ja risitë te gjirokastritët
Vetëm një sezon zgjati aventura e Luftëtarit në Kategorinë e Parë. Pas rënies në Kategorinë e Dytë, klubi gjirokastrit ka nisur menjëherë punën për të rikthyer ekipin aty ku e konsideron vendin e tij. Objektivi është i qartë dhe pa alternativa: rikthimi i menjëhershëm në Kategorinë e Parë.

Drejtuesit kanë konfirmuar në krye të pankinës Neritan Novin, i cili mori drejtimin e skuadrës në javët e fundit të sezonit të kaluar dhe tashmë do të ketë mundësinë të ndërtojë ekipin sipas ideve të tij që nga faza përgatitore. Klubi synon të kombinojë eksperiencën me elementët e rinj, duke krijuar një skuadër solide që të luftojë që nga java e parë për vendet e para në Kategorinë e Dytë. Në Gjirokastër nuk fshihen pas fjalëve, objektivi i vetëm është rikthimi i menjëhershëm në Kategorinë e Parë.
Rikthehet Elidon Dulaj, përforcohet edhe porta
Merkatoja ka nisur me lëvizje të rëndësishme. Një nga afrimet më të bujshme është rikthimi i sulmuesit Elidon Dulaj, i cili vjen pas një sezoni të zhvilluar me Shirokën. Dulaj rikthehet te bluzinjtë me më shumë eksperiencë dhe pritet të jetë një nga pikat kryesore të repartit ofensiv. Në klub besojnë se njohja e ambientit, cilësitë e tij dhe eksperienca e fituar do t’i japin më shumë forcë sulmit të Luftëtarit në sezonin e ri. Ndërkohë, gjirokastritët kanë siguruar edhe portën, duke afruar portierin Saugli Alimujaj, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Lushnjës. Drejtuesit e shohin atë si një garanci për repartin defensiv dhe një element me eksperiencë për objektivat e skuadrës.
Behar Ramadani, pranë pankinës
Lëvizje të rëndësishme priten edhe në stafin teknik. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se Behar Ramadani është shumë pranë emërimit në postin e ndihmëstrajnerit, rol që do ta kombinojë me atë të futbollistit. Një nga figurat më të dashura për tifozët e Luftëtarit, Ramadani pritet të nisë një etapë të re në karrierën e tij, duke dhënë kontribut jo vetëm në fushë, por edhe në pankinë. Përvoja, autoriteti dhe njohja e filozofisë së klubit konsiderohen si vlera të rëndësishme për ndërtimin e një grupi konkurrues dhe fitues.
PANORAMASPORT.AL













