ZYRTARE/ Hap i madh në karrierë për mesfushorin shqiptar, firmos me Bajern Mynih deri në vitin 2029

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2026 | 16:39

ZYRTARE/ Hap i madh në karrierë për mesfushorin shqiptar, firmos me Bajern Mynih deri në vitin 2029

Erblin Osmani ka nënshkruar kontratën e parë me Bajern Mynih, që tashmë e lidh deri në vitin 2029. Bavarezët i besojnë futbollistit shqiptar, i cili ka debutuar që në moshën 16-vjeçare me ekipin e parë.

Erblin Osmani

Kontrata e tij do të kthehet automatikisht si e një lojtari profesionist, pikërisht më 19 maj të vitit 2027 kur të mbushë 18 vjeç. Mesfushori me tipare mbrojtëse ka luajtur me moshat e Gjermanisë.

Gjatë kësaj kohe është takuar me përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës. Sa i përket Federatës Shqiptare të Futbollit nuk dihet nëse ka bërë hapa, për ta bindur që të veshë fanellën kuqezi.

NJOFTIMI I KLUBIT

FC Bajern e ka zgjatur para kohe kontratën e Erblin Osmanit. Mesfushori i talentuar 17-vjeçar iu bashkua akademisë së kampionëve kur u hap kampusi në vitin 2017 dhe që prej asaj kohe ka kaluar nëpër të gjitha ekipet e moshave.

Jochen Sauer, drejtori i Zhvillimit të Akademisë, u shpreh:

“Erblini është vendës i Mynihut dhe një produkt i vërtetë i akademisë së FC Bajern. Ai tashmë ka bërë debutimin me ekipin e parë dhe ne jemi të bindur për potencialin e tij të mëtejshëm në zhvillim. Jemi shumë të lumtur që Erblini do t’i hedhë edhe hapat e ardhshëm me ne”.

Osmani iu bashkua akademisë së FC Bajern nga ekipi U9 i TSV Milbertshofen. Sezonin e kaluar fillimisht luajti me ekipin U17, më pas edhe me U19, ndërsa në muajin mars bëri debutimin me ekipin e parë në Allianz Arena, në fitoren 4-0 ndaj Union Berlinit në Bundesligë, nën drejtimin e trajnerit Vinsent Kompani.

Për sezonin e ardhshëm, ai është planifikuar të aktivizohet fillimisht me ekipin U19. Kontrata e tij e re do të shndërrohet automatikisht në një kontratë profesioniste sapo të mbushë 18 vjeç.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL