BASKET U-20/ Shqipëria, 13 humbje dhe asnjë fitore në Kampionatin Europian B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2026 | 11:35

BASKET U-20/ Shqipëria, 13 humbje dhe asnjë fitore në Kampionatin Europian B

Edhe këtë verë Shqipëria e basketbollit përfaqësohet me të gjitha grup-moshat në Kampionatet Europiane që organizon FIBA, ndërsa disa ditë më parë ishte radhë e Kombëtareve U-20 për të mbyllur konkurrimin e tyre në arenën ndërkombëtare.542Të rinjtë dhe të rejat kuqezi të sportit të koshit, siç në fakt edhe pritej, nuk arritën që të linin gjurmë, duke njohur vetëm humbje, për t’u pozicionuar të fundit në kompeticionet përkatëse. Ndryshe nga Kombëtaret e moshave U-16 dhe U-18, të cilat luajnë në Divizionin C, kategoria më inferiore për sa i përket nivelit të kundërshtarëve, në moshat U-20 nuk ka nivel të tretë, pra luhet në atë elitar që është Divizioni A dhe në kategorinë e dytë siç njihet ndryshe Divizioni B.

Kështu, shkalla më e lartë e vështirësisë është reflektuar edhe në rezultate, me Shqipërinë që pësoi plot 13 humbje mes djemve dhe vajzave në po kaq takime të zhvilluara. Në radhët e djemve, kuqezinjtë e drejtuar nga spanjolli Ricardo Felipe Gonzalez Davila regjistruan gjashtë humbje në eventin që u mbajt në Bratislavë më datat 10-19 korrik. Shqipëria u klasifikua në vendin e 21-të mes 21 përfaqësueseve që morën pjesë në Europianin B.

Ndërkohë, përfaqësuesja U-20 e vajzave pësoi shtatë humbje në po kaq takime në kompeticionin që u zhvillua në Samokov të Bullgarisë më datat 4-12 korrik. Skuadra e drejtuar nga trajnerja Medina Mustafa zuri vendin e 14-të mes po kaq ekipeve që matën forcat në këtë kompeticion. Përtej ndonjë ndeshjeje sporadike, ku ekipet kuqezi u treguan konkurrues në parket, duke rivalizuar, Divizioni B nxori në pah edhe një herë vështirësitë e basketbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.95

PANORAMASPORT.AL