Kumbulla drejt largimit, tre skuadra të La Ligas vihen pas lojtarit të Kombëtares shqiptare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2026 | 8:56

Kumbulla drejt largimit, tre skuadra të La Ligas vihen pas lojtarit të Kombëtares shqiptare

E ardhmja e Marash Kumbullës duket gjithnjë e më larg Romës. Mbrojtësi shqiptar është rikthyer në kryeqytetin italian pas përfundimit të huazimit në Spanjë, por qëndrimi i tij në kryeqytetin italian pritet të jetë vetëm i përkohshëm, pasi duket se nuk bën pjesë në planet teknike të trajnerit Xhian Piero Gasperini për sezonin e ri. kumbullaKlubi verdhekuq po punon paralelisht si në afrimet e reja, ashtu edhe në largimin e futbollistëve që konsiderohen jashtë projektit. Mes emrave kryesorë në listën e largimeve është edhe Kumbulla, për të cilin drejtuesit po kërkojnë një zgjidhje përfundimtare në merkato. Sipas raportimeve të gazetarit të merkatos Mateo Moreto, tre skuadra të La Ligas kanë shfaqur interes konkret për mbrojtësin 26-vjeçar.

Rajo Vajekano, Levante dhe Elke kanë kërkuar informacione nga Roma për kushtet e një transferimi të mundshëm, duke e konsideruar shqiptarin një profil të përshtatshëm për repartin defensiv. Interesimi i këtyre klubeve lidhet edhe me eksperiencën që Kumbulla ka fituar në futbollin spanjoll gjatë sezonit të kaluar, ku luajti në formë huazimi. Megjithatë, deri tani kontaktet janë në fazë paraprake dhe nuk është raportuar për negociata të avancuara apo oferta zyrtare. Në Romë ekziston bindja se një transferim përfundimtar është zgjidhja më e favorshme. Kontrata e Kumbullës me klubin verdhekuq skadon në verën e vitit 2028, por drejtuesit synojnë të realizojnë të ardhura nga shitja e tij gjatë kësaj vere.

Një huazim tjetër do ta afronte futbollistin me vitin e fundit të kontratës, duke ulur mundësinë që Roma të përfitojë financiarisht nga largimi i tij. Mbrojtësi shqiptar është rikthyer në qendrën stërvitore të Trigorias dhe po zhvillon përgatitjet me skuadrën, por nuk konsiderohet pjesë e grupit kryesor mbi të cilin Gasperini po ndërton projektin e ri. Sipas mediave italiane, ai është përfshirë në listën e futbollistëve që pritet të largohen dhe nuk do të ketë rol në ndeshjet miqësore të fazës përgatitore. Largimi i tij do t’i shërbente edhe strategjisë së Romës për të krijuar një “thesar” nga shitjet e futbollistëve jashtë planeve, me qëllim financimin e afrimeve të reja gjatë merkatos verore. Përveç Kumbullës, në listën e largimeve ndodhen edhe emra të tjerë si Salah-Edine, Pagano, Çerubini dhe Vaskez.

DËSHIRA E KUMBULLËS- Pavarësisht se e ardhmja e tij duket larg Romës, vetë Marash Kumbulla vazhdon të stërvitet me skuadrën në Trigoria, në pritje të zhvillimeve në merkato. Në intervistat e dhëna gjatë ditëve të fundit, mbrojtësi shqiptar ka shprehur disa herë dëshirën për të qëndruar te Roma dhe për të fituar një mundësi për të treguar vlerat e tij me fanellën verdhekuqe. Edhe këtë verë, dëshira e lojtarit mbetet të punojë nën drejtimin e Xhian Piero Gasperinit dhe të provojë të bindë stafin teknik. Megjithatë, situata aktuale tregon se prioriteti i klubit është gjetja e një destinacioni të ri për mbrojtësin shqiptar. Interesi i Rajo Vajekanos, Levantes dhe Elkes mund t’i ofrojë Kumbullës mundësinë për të vijuar karrierën në La Liga, kampionat ku ka fituar tashmë eksperiencë dhe ku profili i tij vazhdon të vlerësohet nga disa skuadra.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL