SOT, ORA 21:00/ Egnatia sfidon Celjen, 90 minuta për grupet e Europës! Aleksi ka gjasa ta nisë nga stoli…
Pas festës për kualifikimin historik ndaj Petrokubit, Egnatia rikthehet sot në fushë për një tjetër provë të rëndësishme europiane.

Në “Arena Egnatia” zbresin kampionët e Sllovenisë, Celje, në sfidën e parë të turit të dytë të Ligës së Kampioneve, një duel që mund të përcaktojë fatin e rrogozhinasve në vazhdimësinë e aventurës së tyre kontinentale. Entuziazmi është i madh, por në kampin bardhejeshil askush nuk flet për eufori. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se përballë do të jetë një kundërshtar me më shumë eksperiencë dhe cilësi, ndaj çdo detaj do të ketë peshë.
FORMULA FITUESE – Paraqitja spektakolare ndaj Petrokubit nuk pritet t’i lërë shumë dilema trajnerit Nevil Dede. Tekniku bardhejeshil ka gjetur një ekuilibër të rëndësishëm mes reparteve dhe gjithçka të çon te fakti se nuk do të ndryshojë një formacion që funksionoi në mënyrë perfekte vetëm pak ditë më parë. Risia e vetme është rikthimi i kapitenit Albano Aleksi pas pezullimit, por gjasat janë që mesfushori ta nisë ndeshjen nga stoli. Dede nuk pritet të prishë harmoninë e krijuar në mesfushë dhe në repartet e tjera, duke i besuar sërish lojtarëve që dominuan Petrokubin. Vetë trajneri ka deklaruar se vazhdimësia është shumë e rëndësishme në këtë fazë të sezonit, ndërsa automatizmat e krijuara në javët e fundit janë një nga armët kryesore të skuadrës.
RËNDËSIA – Në letër, Celje konsiderohet kundërshtari më i fortë me të cilin Egnatia është përballur në këtë edicion europian. Kampionët sllovenë kanë më shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare dhe vijnë si favoritë, por kjo nuk e zbeh aspak besimin në kampin rrogozhinas. Ndeshja e parë merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Një fitore në Rrogozhinë do t’i jepte Egnatias një avantazh të vyer përpara transfertës në Slloveni dhe do ta mbante skuadrën në pozita të favorshme për kualifikim. Dede dhe futbollistët e tij janë të vetëdijshëm se rezultati i 90 minutave të para mund të ndikojë ndjeshëm në mënyrën se si do të luhet ndeshja e kthimit, ndaj synimi është që të shfrytëzohet maksimalisht faktori fushë.
ATMOSFERA – Edhe këtë herë pritet një atmosferë e zjarrtë në “Arena Egnatia”. Interesimi i tifozëve ka qenë i lartë që prej hapjes së shitjes së biletave dhe gjithçka të lë të kuptohet se stadiumi do të jetë pranë kapacitetit maksimal. Mbështetja nga tribunat shihet si një element shumë i rëndësishëm për skuadrën. Futbollistët kanë folur vazhdimisht për energjinë që marrin nga tifozët në ndeshjet europiane, ndërsa ndaj Petrokubit atmosfera ishte një nga pikat që u vlerësua edhe nga vetë protagonistët. Sot pritet një tjetër mbrëmje festive, me shpresën se në fund do të ketë arsye për të festuar edhe një rezultat pozitiv.
OBJEKTIVI – Kalimi i Petrokubit i ka garantuar Egnatias minimalisht fazën “play-off” të Ligës së Konferencës, por objektivi është bërë edhe më ambicioz. Një kualifikim ndaj Celjes do ta vendoste skuadrën vetëm një hap larg fazës së ligës së Ligës së Kampioneve, ndërsa në të njëjtën kohë do t’i siguronte matematikisht pjesëmarrjen në fazën e ligës të Conference League, pavarësisht ecurisë në raundet pasardhëse. Ky është motivimi më i madh për kampionët e Shqipërisë. Përveç një tjetër arritjeje historike në aspektin sportiv, kualifikimi do të sillte edhe përfitime të mëdha financiare dhe do ta konfirmonte Egnatian si një skuadër që tashmë synon të jetë pjesë e rregullt e futbollit europian. Për këtë arsye, në Rrogozhinë nuk mjafton vetëm një paraqitje e mirë. Synimi është i qartë: të hidhet hapi i parë drejt një tjetër kualifikimi historik.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













