Kontrollet antidoping në mesnatë, Armstrong: Mesi nuk do ta hapte derën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2026 | 12:46

Kontrollet antidoping në mesnatë, Armstrong: Mesi nuk do ta hapte derën

Lens Armstrong ka akuzuar zyrtarët e antidopingut të Turit të Francës për një “shkelje të të drejtave të njeriut”, pasi Jonas Vingegard u rrëzua dhe u detyrua të tërhiqej nga gara pas një kontrolli antidoping të kryer gjatë natës.mfVingegard pësoi një rrëzim të rëndë në etapën e 15- të dhe braktisi Turin 2026, pasi kishte deklaruar se ishte zgjuar në orën 02:00 të mëngjesit nga përfaqësues të Agjencisë Ndërkombëtare të Testimit (ITA) për një kontroll antidoping, vetëm pak orë para etapës. Danezi theu klavikulën pasi llogariti gabim një kthesë në ngjitjen drejt Plateau de Solaison, duke u tërhequr për herë të parë nga gara prestigjioze franceze.

Pas incidentit, çiklistë dhe ekspertë ngritën dyshime se ndërprerja e gjumit në orët e para të mëngjesit mund të ketë ndikuar në aksident. Edhe rivali i tij i madh dhe lideri i garës, Tadej Pogaçar, u zgjua në orën 05:00 për t’iu nënshtruar një testi antidoping të miratuar nga një gjykatës në Paris, jashtë orarit të zakonshëm të kontrolleve të ITA-së. Lideri i Turit të Francës testohet pas çdo etape dhe mund t’u nënshtrohet kontrolleve edhe në periudha të tjera, ndërsa edhe çiklistët e tjerë mund të përzgjidhen rastësisht për testime gjatë garës.

Armstrong, të cilit iu hoqën në vitin 2012 shtatë titujt e fituar në Turin e Francës, pas hetimeve për përdorim dopingu, ka pranuar më vonë se gjatë karrierës kishte përdorur substanca që përmirësojnë performancën. Megjithatë, 54-vjeçari beson se Vingegard dhe Pogaçar janë trajtuar padrejtësisht nga autoritetet antidopingut për shkak të kontrolleve të kryera gjatë natës.

“Më kanë thënë se Jonas u testua në orën 02:00, ndërsa Tadej në orën 05:00 të mëngjesit. Nëse do të duhej të zgjidhje njërën orë, do të zgjidhje 05:00”, tha Armstrong në podkastin “The Move”, të cilin e drejton bashkë me bashkëpunëtorët e tij.

“Ata shkuan në dhomën e tij në orën 02:00, trokitën në derë dhe e zgjuan në mes të Turit de Francës. Kjo është situata sportive më e vështirë në botë, pasi gjumi është thelbësor. Askush nuk është kundër kontrolleve antidoping. Por kjo nuk është më një çështje sportive, kur ndodh në orën 02:00, bëhet një çështje të të drejtave të njeriut.

Kam mbetur pa fjalë. Çfarë po bëjmë? Pse e pranojmë këtë? Çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishin shkuar t’i trokisnin në derë Lionel Mesit në orën 2 të mëngjesit, natën para finales? Nuk do t’u ishte lejuar, do të kishin marrë një refuzim të prerë. Në asnjë sport tjetër gjëra të tilla nuk tolerohen, por në çiklizëm po. Kjo nuk ka asnjë kuptim”, deklaroi Armstrong.

PANORAMASPORT.AL