EKSKLUZIVE/ Trajneri i njohur, Bozgo: Dinamo e Egnatia kanë shanse kualifikimi, ja si munden sllovenët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2026 | 12:17

EKSKLUZIVE/ Trajneri i njohur, Bozgo: Dinamo e Egnatia kanë shanse kualifikimi, ja si munden sllovenët

Dinamo dhe Egnatia janë dy skuadrat e vetme të Superiores që kanë mbetur në Europë dhe si për ironi të fatit, të dyja skuadrat do të përballen me ekipe sllovene.BOZGO

Dinamo e ka sfidën më të lehtë në letër sipas trajnerit të njohur Kliton Bozgo. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Bozgo shprehet se Alumini nuk është një skuadër që tremb në Europë teksa i jep shanse të shumta kualifikimi edhe ekipit të Egnatias, që përballë do të ketë Celjen. Bozgo flet me superlativa për të dy trajnerët, si Dajën ashtu edhe Deden duke qenë i bindur se me eksperiencën e tyre mund të dalin me kualifikim.

Dinamo luan me një ekip slloven. Si e parashikon si ndeshje fillimisht?

Me Aluminin e Kidriçevës, para disa vitesh, rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, kam qenë unë trajner. Bëhet fjalë për një klub që është njëzet kilometra larg Mariborit. Alumini, në përgjithësi, merr lojtarë të rinj, për shembull nga Maribori, që të mund të afirmohen dhe kështu me radhë. Është një klub që për herë të parë në historinë e tij po luan në kupat e Europës. Edhe vjet fituan trofeun e parë në historinë e tyre, fituan Kupën e Sllovenisë. Tani, në qoftë se e krahasojmë me Dinamon, nuk mund ta krahasojmë kurrë, sepse Dinamo është një klub me traditë shumë të madhe. Gjithmonë ka luajtur në kupat e Europës, jo vetëm tani, por gjatë gjithë historisë së saj. Pas Dinamos qëndron një histori dhe një rrugëtim i gjatë, kurse Alumini është hera e parë që merr pjesë në Europë, plus ndeshjet nuk i bëjnë në Kidriçevë, në stadiumin e tyre, sepse nuk i plotësojnë kriteret dhe kushtet e Europës. Luajnë në Maribor.

Ndërkohë Egnatia luan me Celjen. Si janë këto dy skuadra në nivel nëse e keni ndjekur Egnatian?

Po, po e kam ndjekur. Për shembull, Celja ka dominuar dy vitet e fundit në kampionatin slloven dhe në Europë ka luajtur jashtëzakonisht mirë. Mirëpo, trajneri spanjoll shkoi te Eintraht Frankfurti dhe erdhi një trajner tjetër. Celja ka pësuar shumë ndryshime. Shumë lojtarë kanë ikur. Lojtarët bazë i kanë ikur, katër-pesë lojtarë kryesorë që kanë qenë ndër më të mirët vitin e kaluar janë larguar. Ikën një rus, një spanjoll dhe një slloven, kapiteni, i cili erdhi këtu në Maribor. Kanë ardhur lojtarë të tjerë dhe ka shumë oscilacione. Edhe ndeshjen e parë e luajtën 2- 2 në shtëpi kundër Murës. Akoma nuk kanë ardhur në nivelin e tyre. Edhe ata, si Alumini, kanë pësuar shumë ndryshime në ekip. E pashë edhe këtë ndeshje me Murën dhe pashë që kanë shumë probleme. Për mendimin tim, do të jetë një ndeshje shumë e fortë, një ndeshje vendimtare. Akoma nuk e dimë si do të jetë kjo ndeshje nesër, sepse akoma nuk ka dalë fytyra e qartë e Celjes. Por nuk është siç ka qenë vjet. Vjet ka qenë shumë e fortë, ka dominuar në kampionatin slloven, ndërsa këtë vit kanë pësuar shumë ndryshime. Ndryshimet nuk zëvendësohen brenda natës. Mund të marrësh edhe lojtarë shumë të mirë, por derisa të mësohen me sistemin, konceptin dhe filozofinë e trajnerit, do të marrë kohë. Edhe Egnatia, pas fitores fantastike me atë ekipin moldav, është me kokën lart, siç i thonë. Kanë edhe shortin, por tani nuk duhet të mendojnë për ndeshjen tjetër. Duhet të kalojnë njëherë këtë tur. Pastaj vjen turi i tretë. I kanë dyert e hapura për të shkuar më tej. Kush kalon, sipas mendimit tim, ka mundësi të kalojë edhe kundërshtarin tjetër, sepse ndeshja tjetër është me Ararat ose Shamrok. Ararat dhe Shamrok janë ekipe që mund t’i kalojnë edhe Egnatia, edhe Celja. Ama në futboll nuk mendohet kështu. Mendohet njëherë për kundërshtarin e radhës. Duhet të respektosh çdo kundërshtar. Është një ndeshje e hapur. Janë të dyja ekipet shumë cilësore, edhe Egnatia, edhe Celja. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos ndeshja e parë, sepse ndeshja e dytë në Celje pastaj do të jetë ndryshe. Egnatia do të ketë pothuajse gjithë javën pushim, kurse Celja duhet të luajë edhe ndeshje kampionati. Ka ndeshje kampionati dhe pastaj ka edhe ndeshjen tjetër me Egnatian. Kështu që, për një periudhë 10-15 ditore, Celja do të ketë pothuajse katër ndeshje. Në këtë moment janë në një situatë shumë të ngarkuar.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL