Minifaza përgatitore në Bullgari, ja kur luhet miqësorja e radhës e klubit të Superiores
Vora po zhvillon intensivisht minifazën përgatitore dhe grumbulluese në Bansko të Bullgarisë, ku lojtarët u janë nënshtruar ngarkesave të larta fizike për të përfituar sa më shumë nga kjo periudhë.

Pjesa më e madhe e punës gjatë stërvitjeve është përqendruar te përgatitja atletike, ku rolin kryesor e ka stërvitësi atletik i klubit. Megjithatë, nuk kanë munguar as ushtrimet me top, me synim harmonizimin e grupit, veçanërisht për lojtarët e afruar gjatë merkatos dhe ata që kanë vijuar të jenë pjesë e skuadrës së Vorës.
MIQËSORET – Gjatë qëndrimit në Bansko, përveç seancave intensive stërvitore, Vora ka planifikuar edhe zhvillimin e katër ndeshjeve miqësore, për të testuar gjendjen e skuadrës përpara nisjes së sezonit të ri. Skuadra e nisi serinë e miqësoreve të shtunën e kaluar, më 18 korrik, ndaj ekipit izraelit Hapoel Haifa, sfidë të cilën e humbi me rezultatin 0-2.
Më pas, më 23 korrik, Vora do të përballet me skuadrën rumune Metalul Buzau. Më 26 korrik është programuar përballja me FC Krumovgrad, ndërsa miqësorja e fundit e kësaj faze përgatitore do të luhet më 31 korrik ndaj skuadrës greke Levadiakos FC. Kjo ndeshje do të shënojë edhe mbylljen e grumbullimit në Bansko të Bullgarisë.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













