Revolucioni, formacioni i largime nga Elbasani! Klubi ndryshon thuajse gjithë skuadrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2026 | 23:49

Revolucioni, formacioni i largime nga Elbasani! Klubi ndryshon thuajse gjithë skuadrën

Elbasani humbi një formacion të tërë gjatë kësaj vere. Merkatoja e verdhebluve ka sjellë ndryshime të mëdha në organikë, me 11 futbollistë që janë larguar nga skuadra pas përfundimit të sezonit të kaluar.

elbasani

Një numër që tregon më së miri përmasat e rindërtimit që ka nisur klubi, pasi nëse vendosen në fushë sipas pozicioneve të tyre, këta lojtarë formojnë një skuadër të plotë, me alternativa në çdo repart.

FORMACIONI I LARGIMEVE – Nga porta deri te sulmi, Elbasani ka ndryshuar ndjeshëm fytyrën e skuadrës. Martin Janaçek ishte gardiani që mbronte katërkëndorin verdheblu sezonin e kaluar, por largimi i tij detyroi klubin të kërkonte një tjetër zgjidhje në këtë repart. Në mbrojtje, u mbyll bashkëpunimi me Emiljano Mustën, Sigitas Olberkisin dhe Emir Azemoviçin, tre futbollistë që kishin pasur rol në prapavijën e skuadrës.

Në mesfushë, largimi më i rëndësishëm ishte ai i Isi Manellarit, një nga lojtarët që mbajti peshë të madhe në organizimin e lojës sezonin e kaluar. Bashkë me të u largua edhe Kristi Qose, ndërsa Xhonatan Lajthia ishte një tjetër futbollist që nuk do të jetë pjesë e grupit për sezonin e ri.

Në repartin ofensivë u mbyllën aventurat e Antonio Delajt, Ze Gomeshit, Blaise Tsagues dhe Karim Loukilit, duke lënë hapësira të reja për afrimet e bëra gjatë merkatos së verës. Nëse do të krijohej një formacion me lojtarët që nuk janë më pjesë e Elbasanit, verdheblutë do të kishin një skuadër të plotë në skemën 3-4-3 sipas roleve të lojtarëve që ikën nga Elbasani.

RINDËRTIMI – Pavarësisht numrit të lartë të largimeve, drejtuesit nuk e kanë parë këtë si një problem, por si pjesë të një strategjie të re. Pas rikthimit në Europë pas 20 vitesh, klubi ka vendosur të rrisë konkurrencën dhe të sjellë lojtarë që përshtaten me kërkesat e reja të skuadrës.

Në vend të largimeve kanë ardhur disa futbollistë të rinj, të cilët u provuan edhe në sfidat europiane ndaj BATE Borisov. Igor Aleksovski, Joan Epitaux, Ardit Nikaj, Bernard Karrica, Marjo Bajramaj dhe afrime të tjera kanë marrë menjëherë përgjegjësi, duke treguar se klubi ka kërkuar që ndryshimet të mos ndikojnë në objektivat e sezonit.

ELBASANI

SFIDA E RE – Megjithatë, ndërtimi i një grupi me kaq shumë ndryshime kërkon kohë. Trajneri Ivan Gvozdenoviç tashmë ka një skuadër me shumë fytyra të reja dhe puna kryesore është krijimi i automatizmave dhe harmonisë brenda grupit.

Paraqitjet ndaj BATE Borisov dhanë sinjale pozitive, pasi pavarësisht ndryshimeve të mëdha, Elbasani ishte në gjendje të rivalizonte një skuadër me eksperiencë europiane. Tashmë testi i vërtetë do të jetë kampionati, ku verdheblutë synojnë të jenë sërish mes ekipeve protagoniste. Një formacion i tërë u largua nga Elbasani gjatë verës, por klubi beson se një tjetër formacion është ndërtuar për të shkruar një kapitull të ri. Se sa e suksesshme do të jetë kjo zgjedhje, do të shihet në fushën e Superiores.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL