“Vllaznia, kampione në vitet 2000 dhe një herë në kohën e luftës”! Kërnaja konfirmon veten te Partizani: Në Elbasan, për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2025 | 11:50

“Vllaznia, kampione në vitet 2000 dhe një herë në kohën e luftës”! Kërnaja konfirmon veten te Partizani: Në Elbasan, për fitore

Oltijon Kërnaja po vijon me deklaratat e bujshme te Partizani. Trajneri i “demave” ka konfirmuar veten deri në fundin e sezonit, ndërsa zbulon se Realf Zhivanaj është vendosur si trajner i parë tek ekipi B.kernajaKy i fundit do të qëndrojë si ndihmës i tij po ashtu në ekipin e parë. Thumbimet nuk kanë munguar sa i përket Vllaznisë. Kërnajës i është kujtuar deklarata e Martinit ku me ironi shprehej se Partizani dhe Tirana janë rivalët e Vllaznisë për titullin. Fjalën e tij e ka mbyllur duke thënë se të kuqtë shkojnë në Elbasan për fitore.

I kënaqur me këtë barazim?

Jo sigurisht që nuk jam i kënaqur me këtë barazim. Meritonim të fitonim, sigurisht madje mund të them edhe me shumë gola diferencë, por futbolli ndonjëherë është edhe i padrejtë. Nuk fiton gjithmonë ekipi më i mirë. Ne kishim rastet tona për të shënuar, për ta bërë 2 me 1, 3 me 1, 4 me 1. Vllaznia me një goditje në portë arriti të merrte 1 pikë.

Ju vjen keq që nuk e ruajtët avantazhin?

Ne nuk besoj se na kërcënoi ndonjëherë Vllaznia, përveç asaj goditje. E vërteta është tjetër. E vërteta që kishim 4-5 raste për të shënuar dhe për ta çuar 2 me 0, edhe për ta shënuar 2 me 1. Si në rastin e Mehmetit, goditje standarde, shtylla e Vusalit dhe pritjet e portierit. Statistikat kur i shoh gjatë gjithë ndeshjes, Vllaznia ka vetëm një gjuajtje në portë dhe ajo është gol. Më vjen shumë keq për dy pikët e humbura, sakrificën që bënë çunat sot në fushë, por futbolli ky është. Nuk fiton gjithmonë më i miri.

Asnjëherë nuk e keni pasur grupin e plotë?

Kjo është një situatë tjetër. Është e vërtetë që ndoshta mund të kishim diçka më shumë. Duke parë që mungojnë shumë lojtarë të ekipit, që kanë qenë baza. Po mundohemi ta plotësojmë me lojtarë nga ekipi B. Mos të harrojmë se Kola është ndeshja e parë që luan nga fillimi në Superiore. Po përformojnë mirë edhe djemtë që janë si rezerva në thonjza.

Çfarë mendimi për deklaratën e Martinit?

Nëse Edi Martini e ka thënë me vërtetë që Partizani është rival, do të ishte serioze. Nuk besoj që as profesor Edi, që unë i them profesor Edi, asnjë ekip, mund të bëjë ironi me emrin e Partizanit. Është një ekip i madh, mos harrojmë shumë trofe. Vllaznia seriozisht po bën një sezon të mirë, por herën e fundit që ka dalë kampion ka qenë në vitet 2000 mesa mbaj mend unë dhe njëherë në kohën e luftës. Nuk mund të bëhet ironi me emrin e Partizanit, emrin e madh të ekipit të Partizanit.

Mendon se e ka nënvlerësuar Partizanin?

Sigurisht që po, e ka nënvlerësuar. Nëse e pyetën për një ekip që është 10- 12 pikë prapa, nuk ka si thotë konkurrent me të drejtë.

Dyshja me Zhivanajn po funksionon mirë?

Ne jemi deri në fund të sezonit, jemi së bashku. Kemi qenë së bashku tek ekipi B. Tashmë Realfi bën punën që do bëja unë. Është trajner i parë i ekipit B dhe ndihmësi im. Jemi një. Bashkë me Realfin është dhe Kushtrimi dhe Ori, jemi një grup djemsh të rinj që besojmë shumë te njëri-tjetri. Është një staf shumë i mrekullueshëm që kemi te Partizani.

Ndeshja e radhës për Partizanin?

Në Elbasan ku shkojmë sigurisht për fitore. E thashë, Partizani është një emër i madh dhe çdo ndeshje është për fitore.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL