VIDEO/ Dy gola, dy të kuq për lojtarë të sapofutur dhe VAR-i si protagonist! Dinamo mund Flamurtarin dhe vazhdon ngjitjen në tabelë
Dinamo ka siguruar fitoren e dytë radhazi në kampionat duke mposhtur në “Selman Stërmasi” ekipin e Flamurtarit me shifrat 2-0.

Blutë kanë dominuar përballë vlonjatëve në krizë, por nuk po gjenin golin. Një ndihmë ia dhanë situatat e çuditshme pas 30 minutash, pasi Çantakias i dëmtuar i la vendin në fushë Veigas dhe ky i fundit u ndëshkua menjëherë me të kuq për një faull ndaj Guindos. Me një lojtar më shumë blutë morën kontrollin e plotë të lojës dhe si rrjedhojë erdhi edhe goli i Guindo para pushimit.
Dominimi vazhdoi edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, teksa Dinamo shënoi përsëri me anë të Nani pas një aksioni të shpejtë të anësorit. Pak minuta më vonë erdhi një tjetër episod i çuditshëm pasi Ferruku i sapofutur në fushë u ndëshkua me të kuq për një goditje ndaj portierit, duke vendosur baraspeshën në numrin e lojtarëve të të dy ekipeve.
Por në minuta e mbetura nuk ndodhi thuajse asgjë dhe Dinamo mori tre pikët që kërkonte për të vazhduar ngjitjen në tabelë, me vlonjatët që mbetën në vendin e fundit.
DINAMO-FLAMURTARI 2-0
45’+3′ Guindo, 74′ Nani
NGJARJET KRYESORE
90’+5’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-0 të Dinamos.
90’ Jepen 5 minuta shtesë.
90’ Maliqi del i dëmtuar nga fusha e lojës, Qardaku hyn në vendin e tij.
89’ H. Berisha gjuan fort nga e majta, portieri ia del të kontrollojë me një grushtim të saktë. (VIDEO)
87’ Ramirez gjuan nga distanca, goditja e tij shkon larg katërkëndorit të Teqjes.
79’-81’ Ferruku godet portierin Aleksovski të dalë nga zona. Gjyqtari shkon e sheh pamjet në VAR dhe i tregon pastaj kartonin e kuq sulmuesit të Dinamos. (VIDEO)
78’ B. Berisha merr vendin e Bregut te Dinamo.
77’ Murataj dhe Bolzan hyjnë në fushë në vend të Todoroskit dhe Skuadrones në radhët e Flamurtarit.
75’ H. Berisha dhe Ferruku hyjnë në fushë në radhët e Dinamos, në vend të Vilës dhe Guindos.
74’ GOOOL DINAMO! Aksion i gjatë i bluve me topin që shkon te Nani i cili ka hapësirë në të djathtën dhe i afrohet zonës, duke lëshuar me pas një gjuajtje të pakapshme në shtyllën e dytë. (VIDEO)
69’ Telushi zgjidh dy herë radhazi brenda pak sekondash situata në zonë ku Nani po kërkonte pasime për Guindon.
67’ Mundësi tjetër e mirë për Dinamon në të djathtën, Vila sheh gjuajtjen e tij të devijohet dhe ajo shkon lehtësisht në duart e portierit.
65’ Predhë nga distanca e Bregut me të majtën, kryqëzimi i shtyllave i mohon golin fantazistit të Dinamos. (VIDEO)
59’ Vila ndëshkohet me karton të verdhë.
57’ Bregu tenton nga e majta nga jashtë zonës, sfera kalon mbi traversë pa shqetësuar portën vlonjate.
52’ Protesta të dinamovitëve pasi Telushi prek topin me dorë në zonën e kuqezinjve. Gjyqtari lë lojën të vazhdojë dhe pasi dëgjon këshillën nga VAR i qëndron idesë së tij pa parë pamjet në monitor. (VIDEO)
51’ Lorran del në krahun e majtë, pasimi i tij në qendër largohet nga Telushi dhe Ramani.
49’ Ememe nga e djathta nis një top të rrezikshëm në zonë të cilin Dita e devijon në këndore.
48’ Qefalija vjedh topin para zonës dhe shfaqet para portës, por gjuajtja e tij diagonale përfundon jashtë katërkëndorit. (VIDEO)
46’ Pjesa e dytë nis me Ramirez në vend të Burard te Flamurtari, ndërsa Karamba hyn në vend të Guadiabi në radhët e Dinamos.
45’+4’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 1-0 të Dinamos.
45’+3’ GOOOL DINAMO! Pas një harkimi të Lorran nga e majta, Guindo me kokë i vetëm shënon në portën vlonjate. (VIDEO)
45’+2’ Aleksovski shpëton portën nga një gol i sigurt pas një krosimi në qendër për Nanin. (VIDEO)
45’ Jepen 4 minuta shtesë.
45’ Në goditjen nga këndi të harkuar nga Qefalija, Gudiabi gjuan me kokë jashtë.
45’ Dinamo ekzekuton një goditje dënimi me skemë, por askush nuk ia del të gjuajë në fund drejt portës. (VIDEO)
43’ Flamurtari mundohet të thumbojë më kundërsulme të shpejta, por deri tani pa gjuajtur drejt portës së Teqjes.
40’ Ndërhyrje e Gudiabi ndaj Ememe, gjyqtari nuk i kursen kartonin e verdhë. (VIDEO)
37’ Baeten i lë vendin në fushë Telushit në radhët e Flamurtarit.
32’ Bregu ekzekuton goditjen e dënimit, por sfera kalon mbi traversë. (VIDEO)
28’-31’ Veiga i sapofutur në lojë ndal në mënyrë të parregullt Guindon. Gjyqtari i jep të verdhë mes protestave të dinamovitëve. VAR-i e fton të shohë pamjet se mbrojtësi ishte lojtari i fundit dhe ai ndërron vendim, duke i nxjerrë të kuqin. (VIDEO) (VIDEO)
27’ Çantakias nuk mund të vazhdojë me dhe del nga fusha e lojës me ndihmën e barrelës. Veiga merr vendin e tij në radhët e vlonjatëve.
23’ Qefalija ekzekuton një goditje dënimi nga ana tjetër, por sfera ndalet në murin mbrojtës.
16’ Trashi vë në prove Teqjen me një goditje dënimi ballore, gardiani grushton dhe pastaj mbrojtja largon rrezikun. (VIDEO)
9’ Bregu nga e majta pason për Qefaliajn në qendër, gjuajtja e mesfushorit ndalet nga mbrojtja.
7’ Dy sulme radhazi në krahun e djathtë për Dinamon, mbrojtja e Flamurtarit arrin të largojë krosimet për Guindon.
2’ Goditje këndi e harkuar nga Trashi nga e majta e sulmit, Skuadrone gjuan me kokë por kalon sferën mbi traversë.
1’ Nis dueli në “Selman Stërmasi”.
FORMACIONET ZYRTARE
DINAMO: Teqja, Dita, Aliji, Maliqi, Lorran, Qefalija, Gudiabi, Nani, Bregu, Vila, Guindo.
Trajner: Ilir Daja
FLAMURTARI: Aleksovski; Skuadrone, Çantakias, Trashi, Ramani, Nunesh, Baeten, Todoroski, Ememe, Burard, Maksuti
Trajneri: Karlos Garsia
PANORAMASPORT.AL













