Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Kontreras si risi e Kërnajës, sulmuesi që shfrytëzon minutat me pikatore dhe po shpëton Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2026 | 11:11

Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Kontreras si risi e Kërnajës, sulmuesi që shfrytëzon minutat me pikatore dhe po shpëton Partizanin

Oltijon Kërnaja po kalonte një moment delikat te Partizani. Tri humbje radhazi ishin shumë, pasi “Final Four” u kthye në mirazh dhe zona e ftohtë shfaqej më afër. Për të shpëtuar trajnerin e “demave” mendoi sërish Diego Kontreras.

Screenshot 2026-01-20 111111

“Panorama Sport” ka kryer një vëzhgim, për të treguar se vendimtar është treguar sulmuesi kolumbian për Kërnajën. Ky i fundit u bë trajneri i parë që i jep besimin në Superiore dhe Kontreras ia shpërbleu.

Kërnaja numëron gjashtë fitore në kampionat me Partizanin, ndërsa e drejton prej 14 javësh. Tri nga gjashtë fitoret në fjalë kanë parë Kontreras si protagonistin kryesor.

22-vjeçari realizoi dopietë ndaj Teutës në fazën e dytë, më pas i dha fitoren të kuqve ndaj Bylisit në shtëpi dhe së fundmi bëri të njëjtën gjë sërish ndaj Teutës. Sfida delikate, që Kontreras i ka vendosur duke qenë në kohën dhe vendin e duhur. Janë katër gola, që vijnë si lojtar stoli.

Në vëzhgimin e “Panorama Sport” vërehet se Kontreras ka nisur vetëm një ndeshje në kampionat si titullar. Kolumbiani luajti në pjesën e parë ndaj Dinamos, që të kuqtë po e fitonin 1 me 0 tek “Arena e Demave”. Kontreras mbeti në dhomat e zhveshjes, ndërsa dinamovitët më pas përmbysën rezultatin.

Kontreras numëron edhe një gol në Kupë ndaj Burrelit, ku po ashtu e nisi si titullar dhe luajti vetëm në pjesën e parë. Kështu me pesë gola në total gjatë sezonit, bashkë me Xhuliano Skukën janë edhe golashënuesit kryesor. Ky i fundit ndërkohë numëron trefishin e minutave të Kontreras, ndërsa është aktivizuar edhe në Europë në fillimin e sezonit.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL