U largua nga Bylisi për kampionët e Egnatias, mesazhi i lamtumirës i Flamur Ruçit: Çdo fillim e ka një fund
Bylisi duket se ka nisur nga shitjet dhe është një nga lojtarët me më shumë eksperiencë, beratasi Flamur Ruçi. 23-vjeçari u bë pjesë e Bylisit para pesë vitesh, teksa spikati me moshat dhe katër vite luajti në skuadrën e parë.
Nga Bylisi, Ruçi arriti që të luajë për të gjitha kombëtaret e moshave në vendin tonë: U-19, U-20 dhe U-21, duke luajtur e spikatur edhe me ekipin ballshiot, por edhe me fanellën kuqezi. Ballshiotët e kanë shitur tek Egnatia, duke përfituar një shifër të konsiderueshme dhe duke mbajtur edhe përqindje kartoni të mesfushorit fantazist. Ka qenë klubi që ka zyrtarizuar tratativën, teksa edhe lojtari e ka njoftuar këtë transferim në profilin e tij në rrjetet sociale.
Ballshiotët pritet që në ditët në vijim të shesin edhe futbollistë të tjerë, pasi ofertat për ta nuk mungojnë. Bëhet fjalë për lojtarë me “peshë”, të cilët kanë luajtur si titullarë e kanë spikatur në Ballsh në sezonet e fundit. Kjo është një traditë që ndjek Bylisi sidomos në dekadën e fundit, duke promovuar emra të talentuar dhe më pas duke i shitur. Verën e shkuar ishin Trumçi, që u shit te Shkëndija e Tetovës, si dhe Xheferson në Portugali. Ja mesazhi i lamtumirës i Flamur Ruçit pas largimit nga skuadra ballshiote:
“Faleminderit FK Bylis. Çdo fillim e ka një fund, e rëndësishme kur ndahesh me respekt dhe mirënjohje. Falënderoj Bylisin, presidentin Besnik Kapllanaj, të gjithë trajnerët që kame punuar, por edhe stafet e Bylisit, pa harruar edhe shokët e mi ndër vite aty. Mirënjohje edhe tifozëve ballshiotë për mbështetjen. Faleminderit dhe shume suksese FK Bylis! Me respekt Flamur Ruçi”.
Nga dje, beratasi nuk është më pjesë e Bylisit, ku para largimit është takuar edhe me drejtuesit në Ballsh.
ERION SALIU-PANORAMASPORT.AL













