Trajneri i Flamurtarit, Garsia: Ekipi ka kualitet, ndaj Dinamos të tregojmë fytyrën e vërtetë
Flamurtari udhëton sot drejt Tiranës, për tu përballur me Dinamon. Vlonjatët u dhënë paraditen e djeshme dorën e fundit përgatitjeve dhe janë gati. Në konferencën për mediat trajneri Karlos Garsia, këtë ndeshje e konsideron si tepër të vështirë, por ekipi sipas tij është me plotë besim dhe do të futet në fushë vetëm për fitore.
“Dinamo ishte një ndër skuadrat më të mira të kampionatit një vit më parë. Vitin e kaluar bënë ndeshje të mira, për tu kualifikuar në zonat e Europës, por pa mundur të kualifikohen, me ndeshje të mira. Është një ndeshje tepër e vështirë por ne shkojmë plotë me besim. Ne jemi trajnuar mirë javën e fundit dhe shkojmë drejt Tiranës për maksimumin”, shprehet fillimisht Garsia.
Trajneri spanjoll komenton edhe gjendjen momentale të ekipit të Flamurtarit. Garsia thotë se kondicioni i lojtarëve është mjaft mirë dhe sipas tij fizikisht pjesa më e madhe e futbollistëve janë gati për këtë takim.
“Kondicioni i ekipit është mjaft i mirë. Ata fizikisht janë shumë mirë. Futbollistët janë gati për ndeshjen. Po ashtu edhe gjendja jonë fizike si ekip është shumë e mirë”, shprehet trajneri spanjoll.
PRITSHMËRIA DHE KUALITETET- Trajneri Karlos Garsias, thotë se Flamurtari i ka kualitetet për ta fituar këtë ndeshje. Ai e pranon se do të jetë një përballje e vështirë edhe për Dinamon, pasi të dy ekipet janë në kërkim të tri pikëve, por Flamurtari sipas tij do të japë në fushën e lojës më të mirën për të shkuar tek rezultati. “Sigurisht që ne mund ta fitojmë këtë lojë. Siç e thamë do të jetë një ndeshje e vështirë, me të dyja ekipet që do të luajnë. Një ndeshje e vështirë për ne, por gjithashtu edhe për Dinamon. Ne do përpiqemi të japim më të mirën tonë, për të marrë fitoren e parë në këtë kampionat”, thekson Garsia.
MESAZHI – Karlos Garcia ka edhe një mesazh për tifozët duke i falenderuar ata për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë takimit me Egnatian. Trajneri thotë se mesazhin më të mirë tifozëve do t´ua japë ekipi, me fitoren me Dinamon. “Nuk është momenti më që të gabojmë, është momentin që të bëjmë mirë. Mesazhi për tifozët tanë është që të sjellim fitoren në shtëpi. Ky është mesazhi më i mirë për ta. Ne e dimë që Dinamo do tri pikët, ne duam gjithashtu tri pikët që si kemi arritur ende. Për ndeshjen që zhvilluam në shtëpi, falenderojmë tifozerinë tonë, që pavarësisht rezultatit na mbështeti ne deri në fund. Shpresoj që në këtë ndeshje ne tu sjellim atyre tri pikët”, përfundon Garsia.
E. SIKA-PANORAMASPORT.AL













