Tomori, trajneri Arbëri “shpërthen” pas humbjes me Orikun: Nuk mund të fitosh 11 kundër 14

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2026 | 15:20

Tomori, trajneri Arbëri “shpërthen” pas humbjes me Orikun: Nuk mund të fitosh 11 kundër 14

Pas humbjes së fundjavës ndaj Oriku në shtëpi, Tomori ka rinisur përgatitjet për transfertën e radhës ndaj Bylis B. Për shkak të reshjeve dhe temperaturave të ulëta, seancat stërvitore janë zhvilluar në një fushë kalçeto pranë stadiumit, pasi terreni sintetik nuk ishte i përshtatshëm dhe skuadra nuk disponon uniformat e duhura për kushte të tilla.tomori

Vendimi i stafit teknik është mirëpritur nga futbollistët, duke pasur në fokus mbrojtjen e shëndetit të tyre. Për “Panorama Sport” ka folur trajneri Klodian Arbëri, i cili para se të analizonte sfidën e radhës në Ballsh, u ndal gjatë te humbja me Orikun dhe pasojat që ajo solli në renditje, sidomos duke pasur parasysh kalendarin e vështirë të tre javëve në vijim. “Po e nisim javën në kalçeto, një zgjedhje e detyruar nga moti dhe mungesa e uniformave për shi. Gjithçka është bërë në funksion të shëndetit të lojtarëve. Por para se të flasim për ndeshjen në Ballsh, duhet të analizojmë çfarë ndodhi me Orikun. Skuadra ime dha maksimumin në fushë dhe jam i kënaqur nga impenjimi i futbollistëve. Kishte disa mangësi të vogla, por jo të tilla që të përcaktonin humbjen”, u shpreh Arbëri.

Akuza për gjykimin

Tekniku beratas ishte i drejtpërdrejtë në analizën e tij për gjykimin:

“Gjithçka u pa qartë në fushë. Ishte një gjykim skandaloz që ndikoi drejtpërdrejt në rezultat. Nuk u anulua një gol i miqve dhe nuk na u dha një penallti e pastër. Irritimi i tifozëve ishte i drejtë. Edhe ne si staf dhe lojtarët u ndjemë të fyer nga mënyra si u gjykua ndeshja. Është e pamundur të fitosh kur luan 11 kundër 14”, tha trajneri.

klodian arberi

Arbëri shtoi gjithashtu se prania e forcave të shumta të sigurisë në Berat ishte e pakuptimtë: “Oriku erdhi me forca sigurie sikur po luante në një vend problematik, ndërkohë që në Berat nuk ka pasur asnjë incident gjatë gjithë sezonit. Kjo lë hapësirë për shumë dyshime. Tomori di ta pranojë humbjen, por vetëm kur ajo vjen nga një garë e ndershme, jo nga vendime të padrejta”. Humbja ndaj Orikut ka rënduar pozitat e Tomorit në kampionat, në një moment delikat të sezonit. Tashmë, beratasit janë të detyruar të reagojnë në transfertën ndaj Bylis B, për të mos humbur terren në objektivat e tyre.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL