Tomori “shpërthen” në merkato, prezanton dy futbollistë nigerianë. Trajneri Arbëri i kënaqur me afrimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2026 | 16:04

Tomori “shpërthen” në merkato, prezanton dy futbollistë nigerianë. Trajneri Arbëri i kënaqur me afrimet

Tomorit e ka marrë shumë seriozisht procesin e rindërtimit në fazën e dytë të sezonit, duke synuar përforcimin me elementë cilësorë që do t’i japin ekipit një tjetër fytyrë. Ky projekt ka rikthyer ndjeshëm entuziazmin në Berat, jo vetëm brenda grupit, por edhe te stafi teknik dhe tifozëria vendase, të cilët po shohin sinjale konkrete ndryshimi.

dikson dhe sunday tomori

Një tregues i qartë i këtij transformimi janë afrimet e deritanishme, si me futbollistë vendas ashtu edhe të huaj. Deri tani, Tomori ka investuar në pesë futbollistë gjatë merkatos së janarit, por merkato mbetet e hapur. Një detaj interesant është fluksi i lartë i lojtarëve  të vetofruar që kanë shprehur dëshirë për t’u bashkuar me Tomorin. Megjithatë, stafi teknik po e menaxhon me shumë kujdes procesin e seleksionimit, duke vlerësuar çdo profil në funksion të projektit afatmesëm dhe atij ambicioz për sezonin e ardhshëm, ku pritet edhe një investim i rëndësishëm nga klubi beratas. Pas tre afrimeve të para cilësore me portierët Jata dhe Rici, si dhe mesfushorin Alinani, gjatë ditës së enjte, përpara seancës stërvitore, Tomori ka prezantuar edhe dy përforcime të tjera. Bëhet fjalë për dy futbollistë nigerianë, qendërmbrojtësin e njohur Eçe Dikson, si dhe mesfushorin e krahut Brigy Xhoni Sunday. Dikson vjen te Tomori pas eksperiencave të mëparshme në futbollin shqiptar me skuadra si Dinamo dhe Erzeni dhe ka qenë prej kohësh një dëshirë e trajnerit Klodian Arbëri. Prania e tij pritet t’i japë më shumë siguri dhe eksperiencë repartit difensiv. Ndërkohë, 21-vjecari Sunday luan në të dy krahët e mesfushës dhe ka marrë vlerësimet maksimale nga stafi teknik.

Trajneri Arbëri

Trajneri Klodian Arbëri është shfaqur i kënaqur me merkaton e zhvilluar deri tani, duke theksuar se puna nuk ka përfunduar ende. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, Arnëri u shpreh: “Nuk mund ta fsheh kënaqësinë për merkaton që kemi bërë. Kishim shumë nevojë për ndryshime dhe për t’i dhënë skuadrës një tjetër fytyrë, që synon jo vetëm lojën e bukur, por mbi të gjitha rezultatet pozitive. Jemi duke skicuar skuadrën e sezonit të ardhshëm, por kemi edhe një detyrim të madh ndaj historisë së Tomorit dhe respektit për sportdashësit tanë. Që nga ndeshja me Shkumbinin, tifozët do të shohin një tjetër skuadër në fushë, në të gjitha aspektet. Me afrimin e Dikson dhe Sunday, merkatoja nuk ka përfunduar, pasi jemi në kontakt për dy afrime të tjera, një mbrojtës dhe një sulmues të afirmuar”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL