Tomori rrit ritmin në miqësore, sinjale përmirësimi dhe gola shprese. Arbëri optimist pas fitore me Albpetrolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2026 | 16:00

Tomori rrit ritmin në miqësore, sinjale përmirësimi dhe gola shprese. Arbëri optimist pas fitore me Albpetrolin

Faza përgatitore dimërore për Tomorin po hyn në kulmin e saj, teksa skuadra beratase po e shfrytëzon këtë periudhë përmes zhvillimit të ndeshjeve miqësore, të cilat shërbejnë si test i dyfishtë: si për nivelin e përgatitjeve fizike dhe taktike, ashtu edhe për vlerësimin e futbollistëve të rinj, vendas dhe të huaj, që synojnë të jenë pjesë e ekipit në pjesën e dytë të sezonit.TOMORI

Interesimi për t’u bashkuar me Tomorin ka qenë i lartë gjatë kësaj faze, ndërsa stafi teknik po i ndjek me vëmendje të gjitha alternativat e mundshme. Për të matur sa më saktë gjendjen e skuadrës dhe potencialin e përforcimeve, drejtuesit teknikë kanë intensifikuar programin e miqësoreve. Brenda vetëm katër ditësh, Tomori ka zhvilluar dy ndeshje testuese në Berat. Miqësorja e parë u luajt të shtunën e kaluar ndaj Sopotit, takim që u mbyll me fitoren 0-2 të skuadrës librazhdase. Ndërsa në miqësoren e dytë, të zhvilluar këtë mesjavë sërish në shtëpi, Tomori reagoi pozitivisht, duke mundur Albpetrolin me rezultatin e pastër 3-0. Golat për beratasit u shënuan nga sulmuesi nigerian Rrahman, i cili realizoi një dopietë, si dhe nga sulmuesi i ri vendas Buda. Ndryshe nga përballja e parë, ndaj Albpetrolit Tomori u shfaq më kërkues si në lojë, ashtu edhe në rezultat. Skuadra zhvilloi një takim me nivel të kënaqshëm, duke qenë më konkrete në fazën e finalizimit, element që kishte munguar në testin e mëparshëm.

Kjo paraqitje la të kënaqur edhe stafin teknik, veçanërisht trajnerin Klodian Arbëri. Në përfundim të ndeshjes, tekniku u shpreh optimist për ecurinë e skuadrës: “Skuadra ka dhënë shenja të dukshme përmirësimi në lojë. Ajo që më kënaq më shumë është se në këtë miqësore kemi korrigjuar shënjestrën dhe kemi qenë më konkretë para portës. Ky aspekt është shumë i rëndësishëm, pasi krijojmë volum loje dhe raste të shumta që meritojnë të finalizohen. Mendoj se kemi ende hapësirë për t’u përmirësuar më tej. Nga dita e enjte do të prezantojmë zyrtarisht edhe dy përforcime të reja, të cilat ishin pjesë e kësaj miqësore ndaj Albpetrolit”, u shpreh i kënaqur Arbëri. Sinjalet janë pozitive për Tomorin, që duket se po ndërton gradualisht formën dhe identitetin e tij për pjesën e dytë të sezonit, me shpresën për të qenë sa më konkurrues në objektivat e radhës.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL