Tomori “qan” gjykimin ndaj Orikut. Naftëtari në marshim, trajneri Kapo ia “vë syrin” Shirokës
Tomori u mposht në shtëpi nga Oriku Orikum, në një ndeshje ku pritshmëritë në Berat ishin për fitore ose minimalisht barazim. Disfata ka zhgënjyer sportdashësit vendas dhe ka komplikuar situatën e skuadrës në vijim të kampionatit.

Beratasit shfaqën sërish probleme në repartin ofensiv, por pas ndeshjes reagimet u përqendruan kryesisht te gjykimi. Qendërmbrojtësi afrikan, Boateng, ngriti dyshime për disa vendime të arbitrave, duke pretenduar se ato ndikuan drejtpërdrejt në rezultat. Sipas tij, Oriku shënoi gola në pozicione të diskutueshme, ndërsa Tomorit iu mohua një penallti. “Ndeshja u luajt në kushte të pabarabarta për shkak të disa vendimeve të dyshimta të treshes së gjyqtarëve, që ndikuan në fitoren e kundërshtarit. Për mua, Oriku ka shënuar në pozicion të dyshimtë dhe kjo na acaroi si në fushë, ashtu edhe tifozët. Ne kemi përgjegjësitë tona për rastet e humbura, por na takonte një penallti e pastër. Gjithashtu, kundërshtari meritonte më shumë ndëshkime për vonesa dhe simulime”, deklaroi Boateng. Humbja ndaj Orikut vjen pas rezultateve negative të mëparshme në shtëpi dhe rrit presionin mbi skuadrën, teksa kalendari në vijim konsiderohet i vështirë. Për Tomorin, ndeshjet e ardhshme marrin rëndësi jetike në luftën për objektivat e sezonit.
Kuçovarët
Naftëtari në marshim, Kapo fokuson Shirokën pas dy fitoreve radhazi
Naftëtari Kuçovë po kalon një moment pozitiv në fazën e dytë të kampionatit, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi, këtë herë me rezultat të pastër ndaj Adriatikut. Me këtë sukses, kuçovarët kanë konsoliduar vendin e pestë në renditje, objektiv që synojnë ta mbrojnë deri në fund të fazës. Skuadra shfaqet në formë të mirë sportive dhe me moral të lartë, ndërsa rezultatet e fundit kanë sjellë stabilitet si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë psikologjik. Megjithatë, në kampin kuçovar janë të vetëdijshëm se gara pritet të ashpërsohet në javët në vijim, si për kreun ashtu edhe për zonën e poshtme të tabelës. Pas ndeshjes, trajneri Eldison Kapo vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe theksoi rëndësinë e përqendrimit maksimal edhe në sfidën e radhës ndaj Shiroka.

“Fitoren ndaj Adriatikut e zgjidhëm shpejt sepse hymë në fushë të mobilizuar për tre pikët. E vlerësuam maksimalisht kundërshtarin, pasi çdo nënvlerësim ndaj skuadrave të fundit sjell surpriza të pakëndshme. Dy fitoret radhazi dhe mbrojtja e vendit të pestë nuk janë rastësi, por fryt i punës sistematike të skuadrës. Djemtë e meritojnë këtë vlerësim. Tani na pret Shiroka në shtëpi dhe do t’i kushtojmë të njëjtën vëmendje si çdo ndeshjeje tjetër”, u shpreh Kapo. Naftëtari synon të vijojë serinë pozitive edhe në takimin e radhës, duke konfirmuar ambiciet për një mbyllje sa më të suksesshme të fazës së dytë.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL













