“Tomori po shuhet”, sulmuesi Lirëza tregon se si shpëtohet skuadra beratase
Periudha e pushimeve për skuadrën e Tomorit është kthyer njëkohësisht edhe në një moment reflektimi për të gjithë faktorët e futbollit beratas. Pas tre sezonesh të vështira në kategoritë inferiore, situata e klubit historik vazhdon të mbetet shqetësuese, ndërsa tifozët dhe opinioni sportiv kërkojnë analiza të thella dhe përgjegjësi për gjendjen ku ka përfunduar skuadra.

Nga njëra anë, sportdashësit beratas kërkojnë ndryshime konkrete dhe ndëshkimin e faktorëve që, sipas tyre, kanë ndikuar në krizën e gjatë të Tomorit. Nga ana tjetër, nuk mungojnë edhe zërat që sugjerojnë rrugët për ringritjen e klubit, përmes projekteve serioze që mund ta rikthejnë skuadrën në nivelet që i takojnë. Një nga zërat më autoritarë ka qenë ai i sulmuesit me eksperiencë Daniel Lirëza. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai ka analizuar situatën aktuale dhe ka treguar dy elementët që, sipas tij, janë jetikë për të nxjerrë Tomorin nga kriza. “Situata ku ndodhet Tomori prej tre sezonesh në kategoritë inferiore është alarmante.
Është krejt normale që tifozët dhe mbështetësit e skuadrës të ngrenë zërin, sepse futbolli beratas meriton të jetë të paktën një kategori më lart”, u shpreh Lirëza. Sulmuesi, i cili sezonin e kaluar mbajti edhe shiritin e kapitenit në mungesë të liderit Ervis Çaço, thekson se sezoni i ardhshëm pritet të jetë edhe më i fortë për shkak të rivalitetit të shtuar në kategori. “Do të jetë një kampionat shumë i vështirë, pasi tashmë pjesë e kësaj kategorie janë edhe skuadra si Luftëtari, Lushnja dhe Apolonia. Për mua, rikthimi i Tomorit në nivele të larta lidhet ngushtë me dy faktorë shumë të rëndësishëm”, vijoi ai.
Sipas Lirëzës, hapi i parë që duhet të ndërmerret është privatizimi i klubit, një proces që sipas tij duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt nga Bashkia e Beratit, e cila aktualisht mban presidencën e klubit. “Së pari duhet të ecet seriozisht me procesin e privatizimit. Bashkia e Beratit e di shumë mirë se kjo është rruga e duhur për të shpëtuar klubin. Gjithashtu, duhet ruajtur grupi aktual i lojtarëve. Për mua, qëndrimi i goleadorit nigerian Rahman është domosdoshmëri. Kjo skuadër, me disa përforcime cilësore, mund ta sigurojë rikthimin në Kategorinë e Parë”, përfundoi analizën e tij Daniel Lirëza.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL













