“Tomori nuk është shoqatë bamirëse”, shefi i klubit sqaron rastin e futbollistëve afrikanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2026 | 11:27

“Tomori nuk është shoqatë bamirëse”, shefi i klubit sqaron rastin e futbollistëve afrikanë

Në përfundim të kontratave dhe sezonit futbollistik në Shqipëri, shumë lojtarë të huaj mbeten peng i procedurave dhe pamundësive për t’u rikthyer pranë familjeve të tyre. Ky problem po kthehet në një fenomen të zakonshëm, sidomos në kategoritë e ulëta, ku pagesat dhe investimet janë të kufizuara.

tomori

Në lidhje me shqetësimin e ngritur dje nga “Panorama Sport” për futbollistët afrikanë të Tomorit, të cilët janë detyruar të lënë ambientet e akomodimit në stadium, ka reaguar shefi i klubit beratas, Ismet Ajazi. Për gazetën, ai sqaron se klubi dhe bashkia kanë qenë korrektë me pagesat dhe kontratat ndaj të gjithë lojtarëve, ndërsa shpjegon edhe arsyet pse nuk mund të mbajnë më gjatë kontingjentin e futbollistëve afrikanë. Ajazi flet gjithashtu për planet e së ardhmes, ku priten investime në infrastrukturë. “Jemi ndër klubet e vetme që i kemi shlyer të gjithë futbollistët sa i përket pagave sipas kontratave, trajtimit ushqimor dhe akomodimit për lojtarët e huaj. Sa i përket çështjes së akomodimit të futbollistëve afrikanë në ambientet hoteliere të stadiumit, gjithçka është bërë sipas kushteve kontraktuale mes palëve dhe planit të punimeve që do të vazhdojnë.

Futbollistët afrikanë i kemi shlyer të gjithë, madje me prioritet, sipas kontratave për pagat dhe trajtimin ushqimor, deri në përfundim të kampionatit më 20 prill. Për akomodimin, si drejtues klubi dhe bashki, u dhamë edhe 10 ditë shtesë që të gjenin mundësi të tjera private. Ne jemi në rregull me kontratat ndaj këtyre lojtarëve dhe kemi vepruar edhe në mënyrë humane, pasi nuk i nxorëm menjëherë. Edhe ata vetë kanë qenë dakord, pasi ua kemi bërë të qartë se nëse rrugët tona do të bashkohen sërish sezonin e ardhshëm, do të ulemi për të biseduar. Por nuk është problemi i klubit apo i bashkisë që një ose dy prej tyre nuk kanë ku të shkojnë dhe të mbajnë peng ambientet hoteliere të stadiumit, ndërkohë që ato do t’i nënshtrohen rikonstruksionit për sezonin e ri.

ismet ajazi tomori

Kushtet dhe mundësitë

Lojtarët afrikanë i kanë ditur që në fillim kushtet tona. Madje, Tomori është ndër klubet që paguan më shumë në këtë kategori, me 600-700 mijë lekë rrogë mujore, si dhe trajtim ushqimor e strehim për lojtarët e huaj. Jemi klub futbolli me buxhet të limituar dhe të përcaktuar, jo shoqatë bamirësie. Po të kishim mundësi financiare, do të bënim më shumë, por këto janë mundësitë tona. Kryesorja është që Tomori ka qenë korrekt dhe ka shlyer çdo detyrim sipas kontratës. Personalisht, si përgjegjës për këtë punë, nuk mund të dal të marr borxh për këta lojtarë. Plus, asnjë prej tyre nuk është intimiduar apo ndaluar të flasë, pasi në demokraci parësore është fjala dhe zbatimi i ligjeve e kontratave sipas rregullave.

Investimet

Sa i përket planeve për të ardhmen, prioritet i Bashkisë Berat, si financuesja kryesore e klubit Tomori, është ndërtimi i dy fushave stërvitore në zonën e Pjeshkores, si dhe ndërtimi i një skuadre konkurruese që të sigurojë ngjitjen në Kategorinë e Parë. Edhe në sezonin që sapo përfundoi u investua për këtë objektiv, madje edhe për afrimin e këtyre lojtarëve afrikanë, por nuk u arrit rezultati i dëshiruar. Megjithatë, edhe pse dështuam në objektiv, ne sërish treguam korrektësi duke shlyer të gjitha detyrimet kontraktuale me lojtarët. Më pas, vëmendja do të përqendrohet te rikonstruksioni i stadiumit, në mënyrë që Berati të rikthehet sa më shpejt aty ku e ka vendin, me futboll dhe infrastrukturë dinjitoze. Për të gjitha këto objektiva, Bashkia Berat do të angazhohet maksimalisht së bashku me palët e tjera për t’ia dalë”, përfundoi Ajazi.

ILIR CARA- PANORAMASPORT.AL