Tomori në alarm për mbijetesën, ish-kapiteni Çilingiri: Të shmangim katastrofën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2026 | 13:11

Tomori në alarm për mbijetesën, ish-kapiteni Çilingiri: Të shmangim katastrofën

Pas një jave pushimi të detyrueshëm në kampionat, Tomorit i është rikthyer përgatitjeve në fillim të kësaj jave. Programi u zhvillua nga e enjtja deri në fundjavë, ndërsa tashmë fokusi është plotësisht te sfida e radhës në transfertë ndaj Devollit. Megjithëse në pushim, beratasit nuk e kanë humbur vëmendjen ndaj rivalëve direkt për mbijetesën në grup.

tomori

Rezultatet e javës së fundit dhe kombinimet e mundshme e kanë bërë edhe më interesante luftën për qëndrimin në kategori, ku surprizat nuk përjashtohen në tre javët e mbetura. Kjo situatë ka përfshirë tashmë edhe Tomorin në “vallen” e mbijetesës. Në tre ndeshjet e fundit, skuadra do të luajë dy herë në transfertë, në Bilisht dhe Delvinë, ndërsa vetëm një takim në shtëpi ndaj Maliqit, ku fitorja konsiderohet më shumë se një domosdoshmëri. Në Berat po bëhen llogaritë për të shmangur çdo surprizë të pakëndshme. Në skenarin më të keq, disa skuadra mund ta mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, ku vendimtare do të jetë golavarazhi. Po ashtu, synimi është të shmanget edhe një ndeshje “play out”, që do të ishte një tjetër rrezik për ekipin. Për këtë arsye, dy transfertat e mbetura kanë marrë vlerën e finaleve për mbijetesën, ndërsa përgatitjet për ndeshjen me Devollin kanë nisur me intensitet maksimal që në fillim të javës.

Apeli i ish-kapitenit

CILINGIRI

Ish-kapiteni Petrit Çilingiri ka ngritur alarmin, duke kërkuar më shumë përqendrim dhe seriozitet nga skuadra dhe drejtuesit: “Kjo javë solli disa rezultate që, me ose pa kombinacione, ishin të pritshme për një kategori që prodhon gjithmonë surpriza. Tani gjithçka mund të ndodhë dhe fundi i tabelës mund të mbyllet me 2-3 skuadra me pikë të barabarta, ku do të vendosë golavarazhi. Tomori është i ekspozuar ndaj rrezikut, si për rënie direkte, ashtu edhe për një ndeshje shtesë për qëndrimin. Uroj që kjo të mos ndodhë, sepse do të ishte një dështim i turpshëm dhe skandaloz. Kur gabon pafundësisht si skuadër, rreziku bëhet real. Drejtuesit dhe skuadra nuk duhet ta nënvlerësojnë këtë situatë. Përkundrazi, duhet të përgatiten si kurrë më parë për të shpëtuar nderin e ekipit dhe për të shmangur katastrofën. Me kontigjentin aktual, rënia do të ishte një goditje shumë e rëndë”, përfundoi i shqetësuar ish-kapiteni i Tomorit.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL