Tomori “ndez” Beratin pas fitores me Butrintin, sulmuesi Rahman: Duhej ta mbyllnim në pjesën e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2026 | 13:53

Tomori “ndez” Beratin pas fitores me Butrintin, sulmuesi Rahman: Duhej ta mbyllnim në pjesën e parë

Fitorja 2-1 ndaj Butrintit në shtëpi ka rikthyer besimin te Tomori. Në Berat janë të bindur se skuadra ka gjetur më në fund nivelin e pritur, ndërsa tifozët e kanë cilësuar këtë si paraqitjen më të mirë të sezonit. Beratasit dominuan ndeshjen nga fillimi në fund ndaj një kundërshtari cilësor si Butrinti, që me gjithë humbjen tregoi se mbetet një pretendent serioz në grup.

TOMORI FESTON PAS FITORES ME bUTRINTIN

Ndryshe nga sfidat e mëparshme në shtëpi ndaj Partizanit B, Bylis B dhe Orikut, këtë herë Tomori u shfaq agresiv, i vendosur dhe shumë më kërkues në lojë. Skuadra hyri e karikuar maksimalisht, fitoi duelet në mesfushë, dominoi topin e parë dhe krijoi një sërë rastesh për shënim. Atmosfera në stadium ishte e zjarrtë, me rreth 1600 tifozë në shkallë që shtynë ekipin drejt suksesit. Megjithatë, pas ndeshjes nuk munguan komentet e tifozëve:

“Po pse nuk luajtën kështu edhe me Orikun?” – ishte pyetja më e dëgjuar në Berat. Autori i golit të dytë, sulmuesi Abdulsalam Rahman, që realizoi edhe golin e katërt personal në fazën e dytë, u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës. “Kemi bërë një ndeshje fantastike dhe fitorja ishte plotësisht e merituar, megjithëse duhej ta kishim zgjidhur që në pjesën e parë, sepse rastet ishin të shumta dhe i shpërdoruam. Atmosfera në stadium ishte e zjarrtë gjatë gjithë ndeshjes dhe duhet të falënderojmë tifozërinë tonë për mbështetjen. Na dha një shtysë dhe motivim shumë të madh në fushë. Personalisht jam shumë i lumtur për golin, sepse erdhi në një ndeshje ku dhamë gjithçka”, u shpreh Rahman. Sulmuesi vlerësoi edhe paraqitjen e portierit Jata, i cili sipas tij shmangu dy gola të sigurt të miqve. Me këtë performancë, Tomori ka dhënë sinjale të qarta se është gati për sprintin final të sezonit.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL