Tomori me pushim “luksi” pas fitores me Butrintin, “shpërthen lufta” me Bylis B dhe i dalin në krah Devollit
Në Berat duket se euforia ka kaluar kufijtë. Fitorja ndaj Butrintit ka sjellë një klimë feste te Tomori, por jo të gjithë janë dakord me mënyrën si po menaxhohet momenti. Pavarësisht se beratasit zhvilluan një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni dhe e merituan suksesin, doza e kënaqësisë ka qenë aq e madhe sa stafi teknik vendosi ta shpërblejë skuadrën me dy ditë pushim.

Një vendim që nuk ka kaluar pa komente. Mbështetësit e Tomorit kanë reaguar, duke theksuar se është fituar vetëm një ndeshje dhe asgjë më shumë. Megjithatë, futbollistët i kanë shijuar dy ditët e relaksit, ndërsa skuadra do t’i rikthehet stërvitjes të mërkurën për t’u përgatitur për transfertën e radhës ndaj Këlcyrës. Kalendari i ngjeshur nuk fal. Duke llogaritur se të shtunën Tomori do të udhëtojë drejt Përmetit për akomodim, stafi teknik do të ketë vetëm tre ditë në dispozicion për përgatitjen e ndeshjes. Pikërisht për këtë arsye, shumëkush në Berat e konsideron këtë pushim dyditor si të tepruar, pasi skuadra ende nuk ka arritur ndonjë objektiv madhor që do ta justifikonte një “vetëshpërblim”.
TOMORI MBËSHTET DEVOLLIN
Paralelisht me çështjet sportive, në Berat është rindezur edhe debati për garën. I informuar përmes “Panorama Sport” mbi pretendimet e Devollit ndaj Bylis B për shkelje të rregullores, klubi i Tomorit ka vendosur të lërë mënjanë rivalitetin direkt për vendin e pestë dhe të mbështesë publikisht kundërshtarin. Beratasit kujtojnë se edhe vetë kanë ngritur më herët një pretendim të ngjashëm, kur një futbollist i Bylis B, i ndëshkuar me karton të kuq në Superligë, u aktivizua në Berat me ekipin B. Sipas tyre, kërkesa e asaj kohe ra në vesh të shurdhër dhe nuk u mor në shqyrtim nga sektori i garave. Tashmë, me një rast të ri të denoncuar nga Devolli, te Tomori kërkojnë reagim të menjëhershëm nga organet përkatëse. Qendërmbrojtësi Boateng e tha hapur:
“Është rasti i tretë gjatë këtij kampionati që Bylis B shkel rregulloren. Pavarësisht se Devolli është rival direkt për vendin e pestë, ata kanë plotësisht të drejtë, po aq sa kishim edhe ne kur e denoncuam më herët. Po presim prej kohësh dhe nga Komisioni i Disiplinës nuk ka asnjë reagim. Kjo tregon se Bylis B po bën një garë të pandershme dhe meriton heqje pikësh si ndaj Tomorit, ashtu edhe ndaj Devollit. Heshtja në këtë rast është e pafalshme dhe e pashpjegueshme”. Në Berat, pra, atmosfera është e ndezur në të dy frontet, në fushë kërkohet vazhdimësia e rezultateve, ndërsa jashtë saj pritet një vendim që mund të ndikojë drejtpërdrejt në garën për “play-off”.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL













