Tomori me oreks pas startit të fazës së dytë, Ngene: Synojmë vazhdimësinë ndaj Partizanit B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2026 | 15:12

Tomori me oreks pas startit të fazës së dytë, Ngene: Synojmë vazhdimësinë ndaj Partizanit B

Pas sinjalit të parë pozitiv që Tomori dha me fitoren ndaj Shkumbinit në shtëpi, optimizmi në radhët e skuadrës beratase është rritur ndjeshëm. Tani ekipi shpreson në një tjetër rezultat pozitiv këtë fundjavë, në transfertën ndaj Partizanit B. 

tomori feston

Megjithëse Tomori është ende në fazën e kualifikimeve, stafi teknik ka shfrytëzuar fitoren me peqinasit për të analizuar problemet e shfaqura, të cilat konsiderohen të kalimtare. Gjatë këtyre ditëve, stërvitjet janë fokusuar kryesisht te loja brenda grupit, me qëllim që futbollistët e rinj të integrohen sa më mirë me pjesën tjetër të ekipit. Trajneri Arbëri ka punuar në detaje me formacionin që pritet të përdoret, duke i dhënë prioritet dy fazave kyçe të lojës, përqendrimi maksimal në finalizimin e aksioneve dhe qartësia taktike në detyrat mbrojtëse kur kundërshtari sulmon.

benjamin ngene tomori

Sulmuesi afrikan, Benjamin Ngene, ka folur për ndeshjen e radhës ndaj Partizani B, ku sipas tij beratasit do të kërkojnë vazhdimësi rezultatesh. “Ndeshja me Partizanin B ka rëndësi të veçantë. Luajmë ndaj një kundërshtari me cilësi dhe ambicie të mëdha, dhe kjo është mundësia jonë për t’u treguar të barabartë dhe për të kërkuar rezultatin pozitiv. Edhe pse luajmë në transfertë, ne synojmë vazhdimësinë dhe mbrojtjen e zonës kualifikuese. Do të bëjmë gjithçka siç praktikohemi në stërvitje, në mënyrë që të mos dalim pa pikë nga kjo ndeshje delikate, por aspak e pamundur për ekipin tonë”, u shpreh Ngene për “Panorama Sport”.

Edi Spahiu-PANORAMASPORT.AL