Tomori e Naftëtari mobilizohen në dy grupet. Lirëza kërkon autokritikë nga beratasit, Gjishti “shënjestron” Sopotin
Pas humbjes së papritur javën e kaluar ndaj Këlcyrës, një rezultat që ka tronditur jo pak opinionin sportiv në Berat, skuadra e Tomorit ka vijuar përgatitjet për sfidën e radhës në kampionat. Ky disfatë ka sjellë edhe një klimë jo shumë të mirë mes ekipit dhe tifozerisë, e cila në këtë moment duket disi e ftohtë ndaj skuadrës së zemrës.
Në javën e ardhshme Tomori do të përballet me Eagles, një kundërshtar që në letër konsiderohet i kalueshëm. Megjithatë, beratasit janë të ndërgjegjshëm se nuk duhet të bien në grackën e nënvlerësimit, pasi Eagles ka dhënë sinjale pozitive në këtë fazë të kampionatit me dy paraqitje mjaft të mira ndaj Partizanit B dhe Orikut. Pikërisht për këtë arsye, te Tomori kërkohet përqendrim maksimal për të mos përsëritur gabimet e ndeshjes së fundit. Fakti që kjo përballje do të luhet në Berat konsiderohet një avantazh për skuadrën vendase, ku pritet një lloj autokritike përpara tifozëve të saj. Megjithatë, gjatë kësaj jave në qytet nuk ka munguar edhe humori karakteristik i tifozërisë beratase, të cilët janë shprehur me ironi se nga Tomori mund të pritet gjithçka, sidomos kur kundërshtari hyn në fushë i motivuar dhe kërkon rezultat pozitiv.

Një lajm i mirë për trajnerin e Tomorit është rikthimi në dispozicion i sulmuesit me përvojë Daniel Lirëza. Futbollisti kishte munguar në ndeshjen e kaluar për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve, por tashmë është gati të japë kontributin e tij në repartin ofensiv. Vetë Lirëza është shprehur optimist për sfidën e radhës dhe ka theksuar se skuadra duhet ta konsiderojë fitoren si një detyrim. “Nuk ka vend për asnjë nënvlerësim në ndeshjen e radhës, sepse fitorja është një detyrim për ne. Duam ta arrijmë këtë objektiv duke e shoqëruar me një lojë të mirë dhe me një rezultat bindës. Përgatitjet gjatë kësaj jave kanë qenë shumë serioze dhe besoj se skuadra do ta tregojë në fushë se është gati për këtë sfidë”, u shpreh sulmuesi i Tomorit, Daniel Lirëza. Tashmë mbetet për t’u parë nëse skuadra beratase do të arrijë të reagojë pas humbjes së fundit dhe të rikthehet te fitorja përpara tifozëve të saj.
Kapiteni para Sopotit
Gjishti motivon Naftëtarin për të mbrojtur vendin e pestë
Ndeshja e kësaj fundjave ndaj Sopotit në fushën e vet po vlerësohet maksimalisht nga stafi teknik dhe futbollistët e Naftëtarit. Skuadra kuçovare e konsideron këtë përballje si një test të rëndësishëm force, ku do të ketë mundësinë të tregojë vlerat dhe potencialin që disponon, me synimin për të marrë maksimumin e pikëve në një ndeshje që pritet me shumë interes. Kjo sfidë merr edhe më shumë rëndësi për faktin se Naftëtari kërkon të mbrojë vendin e pestë në renditje. Gjatë kësaj jave në radhët e Naftëtarit është vënë re një mobilizim i madh nga ana e skuadrës.

Fitorja në transfertë në javën e kaluar ka rritur moralin dhe besimin e futbollistëve, të cilët po përgatiten me intensitet për këtë ndeshje të rëndësishme. Për rëndësinë e kësaj përballjeje, kapiteni i skuadrës kuçovare, qendërmbrojtësi Enti Gjishti, për “Panorama Sport” u shpreh: “E kemi vlerësuar maksimalisht këtë takim, jo vetëm për shkak të cilësive që ka kundërshtari ynë, por edhe sepse luajmë në fushën tonë. Do të bëjmë më të mirën për të marrë pikët maksimale. Objektivi për tri pikët është plotësisht i arritshëm, pasi Naftëtari ka futbollistë cilësorë që premtojnë një ndeshje me rivalitet dhe me nivel të lartë loje.
Gjithashtu, terreni i fushës këtë javë është në kushte shumë të mira dhe kjo na ndihmon që të shprehemi më mirë në lojën tonë”, u shpreh kapiteni kuçovar. Sipas Gjishtit, një fitore në këtë sfidë do të ishte shumë e rëndësishme për Naftëtarin, pasi do të ndihmonte skuadrën të ruante vendin e pestë në renditje dhe të vazhdonte me besim rrugën në kampionat. “Gjatë gjithë javës jemi përgatitur me mentalitetin për të fituar. Nuk ndikohemi nga pozicioni i kundërshtarit në renditje, sepse çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Megjithatë, me përkrahjen e tifozëve tanë besoj se gjithçka është e mundur dhe shpresojmë ta mbyllim këtë përballje me një fitore”, përfundoi kapiteni i Naftëtarit, Enti Gjishti.
Kategoria e Dytë
Grupi A
Java 18, 14-15 mars
Të shtunën
Veleçiku – Basania 14:00
Naftëtari – Sopoti 14:00
Shiroka – Erzeni 14:00
Adriatiku – Gramshi 14:00
Të dielën
Luzi 2008 – Tërbuni 14:00
Besëlidhja – Pushim
RENDITJA
TOTALI
Nr EKIPI N P F B H G+/G-
1 Besëlidhja 16 42 13 3 0 44-6
2 Sopoti 15 36 11 3 1 36-9
3 Shiroka 16 35 11 2 3 39-12
4 Erzeni 15 27 8 3 4 18-9
5 Naftëtari 15 22 7 1 7 22-20
6 Tërbuni 15 20 5 5 5 16-17
7 Luzi 2008 16 18 6 0 10 23-29
8 Veleçiku 16 16 4 4 7 21-29
9 Gramshi 15 13 3 4 8 14-28
10 Basania 15 10 2 4 9 19-33
11 Adriatiku 16 1 0 1 15 5-65
12 Valbona 0 0 0 0 0 0-0
* (Valbona është tërhequr nga kampionati)
Kategoria e Dytë
Grupi B
Java 18, 15 mars
Të dielën
Shkumbini – Oriku 14:00
Delvina – Bylis B 14:00
Maliqi – Butrinti 14:00
Devolli – Këlcyra 14:00
Tomori – Eagle 14:00
Partizani B – Pushim
RENDITJA
TOTALI
Nr EKIPI N P F B H G+/G-
1 Oriku 16 37 11 4 0 34-9
2 Butrinti 15 34 11 1 3 26-10
3 Bylis B 16 34 10 4 2 30-16
4 Partizani B 16 33 10 3 3 43-14
5 Maliqi 15 20 6 2 7 19-22
6 Delvina 15 18 6 0 9 22-28
7 Tomori 16 17 5 2 9 17-24
8 Devolli 16 14 4 2 10 17-39
9 Eagle 15 13 3 4 8 19-32
10 Shkumbini 15 12 3 3 9 20-28
11 Këlcyra 15 9 2 3 10 13-34
*Bylis B – Partizani B 0-3, rezultat në tavolinë nga Disiplina
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL













