Tomori blindon portën dhe nis riformatimin e grupit, Jata dhe Keku sjellin siguri dhe konkurrencë
Nga një repart problematik në fazën e parë të sezonit, ku u aktivizuan plot tre portierë që, për shkak të mungesës së eksperiencës, nuk arritën të bindnin me paraqitjet e tyre, Tomori duket se ka gjetur zgjidhjen për portën.
Në prag të fazës së dytë, skuadra beratase e ka blinduar këtë repart, duke afruar dy portierë të rinj, por që ofrojnë më shumë garanci dhe pritet të kenë ndikim pozitiv si në planin personal, ashtu edhe në performancën e përgjithshme të ekipit, që synon përmirësimin e rezultateve dhe ngjitjen në renditje. Më konkretisht, në Berat janë afruar portieri Arbër Jata dhe ganezi 18-vjeçar Rici Keku.
Pas zyrtarizimit, të dy portierët janë prezantuar edhe në fushë me fanellën e Tomorit. Debutimi i tyre erdhi në ndeshjen e parë miqësore të zhvilluar fundjavën e kaluar ndaj Sopotit, takim i luajtur në Berat, i cili u fitua nga miqtë me rezultatin 0-2. Në të dy pjesët e lojës, tekniku i Tomorit aktivizoi nga një prej dy portierëve të rinj, duke u dhënë minuta dhe mundësi për t’u përshtatur me skuadrën. Arbër Jata, i cili më parë është aktivizuar me Vorën dhe Ilirinë, si dhe ka qenë i grumbulluar me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë, është një njohje e vjetër e trajnerit Klodian Arbëri.
Për këtë arsye, ai gëzon besimin e plotë të teknikut beratas, ndërsa për Panorama Sport ka shprehur entuziazmin për këtë hap të ri në karrierën e tij. “Për mua është një kënaqësi e madhe që jam pjesë e Tomorit. Dua të falënderoj trajnerin Arbëri për ftesën dhe besimin që ka treguar ndaj aftësive të mia. E siguroj se nuk do ta zhgënjej me paraqitjet e mia këtu në Berat. Vendosa pa asnjë hezitim të bashkohem me Tomorin për dy arsye, për emrin dhe traditën e kësaj skuadre, por edhe për qytetin shumë futbolldashës që përfaqëson.
Po ashtu, më bindi projekti i prezantuar nga trajneri, që synon rikthimin e ekipit në Kategorinë e Parë, përmes investimeve serioze dhe afrimit të elementëve cilësorë. Konkurrenca me çdo portier është e mirëpritur nga ana ime”, u shpreh Jata. Me afrimin e Jatës dhe Kekut, Tomori synon të ketë më shumë stabilitet në prapavijë dhe të hedhë baza më të forta për një fazë të dytë më pozitive, në funksion të objektivit për rikthimin në nivelet e larta të futbollit shqiptar.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL













