Teuta në sulm për 3 pikët, Maçolli i jep sinjal Tiranës
Në prag të sfidës së rëndësishme të së shtunës ndaj Tiranës, Teuta vijon përgatitjet me intensitet të lartë në “Niko Dovana”, ku synimi është vetëm një, fitorja. Durrsakët kërkojnë të rikthehen te rezultatet pozitive përballë një rivali tradicional, ndërsa brenda ekipit mbizotëron besim dhe vendosmëri.

Një nga lojtarët që pritet të ketë rol të rëndësishëm në këtë takim, Xhoele Maçolli, flet për atmosferën në skuadër, pritshmëritë nga ndeshja dhe mbështetjen e tifozëve, të cilët i sheh si një armë të fortë.
Si po e pret skuadra ndeshjen e së shtunës ndaj Tiranës?
Atmosfera në skuadër është shumë pozitive. Jemi stërvitur mirë gjatë gjithë javës dhe e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Tirana është gjithmonë kundërshtar i fortë, por në Durrës luajmë për tre pikët.
Çfarë vlerëson më shumë te Tirana si kundërshtar?
Tirana ka lojtarë me cilësi individuale dhe është skuadër që të dënon nëse i lë hapësira. Duhet të jemi të përqendruar për 90 minuta dhe të mos bëjmë gabime të panevojshme.
Çfarë do të jetë çelësi i suksesit për Teutën në këtë sfidë?
Organizimi në fazën defensive dhe shfrytëzimi i rasteve përpara. Në ndeshje të tilla, detajet bëjnë diferencën. Nëse jemi agresivë dhe të saktë në pasimin e fundit, mund ta marrim rezultatin që duam.
Personalisht, si ndihesh me atë qe ke dhënë në këtë sezon?
Ndihem mirë fizikisht dhe po punoj çdo ditë për t’u përmirësuar. Trajneri më ka dhënë besim dhe unë dua t’ia shpërblej në fushë me performancë dhe përgjegjësi.
Sa e rëndësishme është mbështetja e tifozëve në “Niko Dovana”?
Shumë e rëndësishme. Tifozët tanë na japin energji dhe motivim shtesë. Shpresoj që të jenë sa më të shumtë të shtunën, sepse me mbështetjen e tyre çdo ndeshje bëhet më e lehtë.
A ka presion para kësaj ndeshjeje?
Presioni është pjesë e futbollit, sidomos në ndeshje të mëdha. Por ne e shohim si motivim, jo si barrë. Kemi besim te vetja.
Çfarë mesazhi ke për tifozët e Teutës?
T’i falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme. Premtojmë që do të luftojmë deri në minutën e fundit për t’i bërë krenarë.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL













