Tetova paralajmëron Egnatian: Dinamo nuk fal, çdo gabim ndikon
Egnatia po kalon një periudhë shumë të mirë në kampionat. Pas një nisjeje me luhatje, skuadra rrogozhinase ka reaguar ashtu si duhet dhe tashmë është shndërruar në njërën nga pretendentet serioze për titullin.

Me katër fitore radhazi dhe performanca bindëse, djemtë e Edlir Tetovës kanë treguar karakter dhe maturi në fushë, duke fituar respektin e çdo kundërshtari. Me pak fjalë mund të thuhet se është ekipi i momentit në kampionat dhe jo më kot janë ngjitur në krye të renditjes. Megjithatë, tani mund tëthuhet se nis më e vështira për kampionët, sepse nuk duhet të ulin ritmin për asnjë moment.
STOP EUFORISË – Ai që kërkon të mbajë ekipin me këmbët në tokë është vetë trajenri Edlir Tetova. Në analizat e përditshme me skuadrën, durrsaku thekson vazhdimisht nevojën për qetësi dhe përqendrim maksimal, pavarësisht rezultateve pozitive. Edhe vetë futbollistët duket se e kanë kuptuar këtë frymë, edhe për faktin se fitoret radhazi dhe forma e mirë është një moment që e kanë kaluar shpesh këto vitet e fundit në radhët e rrogozhinasve.
Mund të thuhet se ekipi është mësuar me suksesin dhe nuk bie pre e vetëkënaqësisë. Për ta, çdo fitore është një hap përpara, por edhe një përgjegjësi më shumë për të ruajtur nivelin. Pikërisht ky profesionalizëm dhe vetëdije janë ndër pikat më të forta të grupit aktual të Egnatias dhe që Tetova po përpiqet t’ua ngulisë në mendje.
TESTI DINAMO – Sfida e radhës kundër Dinamos pritet të jetë një provë e vërtetë për Egnatian. Përballë do të jetë një rival direkt në garën për zonën e sipërme të renditjes, një skuadër me përvojë dhe ambicie që gjithmonë di të bëjë ndeshje të forta. Ky duel do të tregojë nëse Egnatia ka arritur tashmë nivelin e pjekurisë që kërkon kampionati, apo nëse ende ka hapësira për përmirësim.
Trajneri Tetova e ka vlerësuar maksimalisht këtë takim, duke kërkuar përqendrim të plotë dhe menaxhim të saktë të çdo momenti të lojës. Ai e di mirë se Dinamo është një kundërshtar që nuk fal, dhe se ndeshje të tilla janë ato që testojnë karakterin e skuadrës. Në Rrogozhinë janë të ndërgjegjshëm se rezultati kundër një rivali direkt ka peshë të madhe, jo vetëm për klasifikimin, por edhe për moralin e grupit.
Egnatia do të kërkojë ta konfirmojë ecurinë pozitive edhe ndaj një kundërshtari me peshë, për të treguar se suksesi nuk ka qenë rastësor. Një rezultat pozitiv ndaj Dinamos do të ishte dëshmi se skuadra e Tetovës është ngjitur aty ku duhet, ndërsa çdo gabim do të shërbente si sinjal se puna duhet vazhduar me të njëjtin intensitet dhe përulësi.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













