Sulmuesit të Vorës nuk i del e keqja, Luiz Felipe: Na anuluan gol të rregullt
Humbja e një pike në Durrës nga një gol i anuluar, ka bërë që djemtë vorakë të ishin shumë të mërzitur pas ndeshjes nga vjedhja e një pike e sidomos protagonisti i kësaj ndeshje për Vorën, sulmuesi brazilian, 25-vjeçari, Luis Felipe da Silva Rodrigues që ishte dhe autori i atij goli të anuluar.

Braziliani për “Panorama Sport” do të shprehej i pakënaqur. “Ishte një ndeshje e barabartë si në qarkullimin e topit edhe në rastet e krijuara. E kishim përgatitur takimin për fitore. Ndonëse kishim një kundërshtar shumë të fortë, ne patëm mundësitë për të dalë me pikë nga qytetit Durrësit. Jam akoma i mërzitur për shkak të anulimit të atij goli që unë shënova në fundin e takimit ku skuadra jonë do të dilte me një pikë.
Vendimi i arbitrit ishte i drejtë, pasi ai drejtoi dorën te qendra dhe ne nisëm festën duke u gëzuar. Por kjo nuk na zgjati shumë, sepse VAR-i na e ktheu golin duke qenë të papërgjegjshëm. Ne do të mundohemi të rikthehemi te fitorja në ndeshjen kundër Flamurtarit. Për këtë po përgatitemi duke nisur seancat stërvitore që sot (dje). Unë do të mundohem të jap gjithçka nga më të mirën time për këtë skuadër, pavarësisht se kam probleme dëmtimesh dhe nuk jam në kondicionin e duhur për të dhënë maksimumin”, është shprehur qendërsulmuesi brazilian, që ka luajtur në 8 ndeshje dhe është aktivizuar 430 minuta kohë efektive, duke shënuar dhe një gol për Vorën.
Gjithsesi, Vora i ka lënë pas këto probleme duke qenë se të dielën e bënë pushim dhe dje ata pa humbur kohë kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, që do ta zhvillojë këtë të shtunë më 29 nëntor 2025 në ora 16:30 në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës kundër skuadrës që erdhën së bashku si debutuese në sezonin e tanishëm në superiore.
DITËLINDJA – Luis Felipe festoi ditën e ndeshjes kundër Teutës edhe ditëlindjen e tij të 25-të. Klubi i Vorës i uroi atij edhe 100 vite të lumtura dhe të suksesshme në karrierën futbollistike dhe me fanellën e ekipit vorak. STËRVITJA – Skuadra ka nisur përgatitjet, të cilat do të vijojnë që nga dje me temp të lartë e duke ulur ritmin në ditët afër ndeshjes. Gjithashtu priten që disa prej lojtarëve të marrin ngarkesën e nevojshme sidomos nga ato që kanë pasur probleme dëmtimi.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













