Sulmuesi Lajthia del kundër rrymës: Te Tomori munguan hapësirat për futbollistët e rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2026 | 12:36

Sulmuesi Lajthia del kundër rrymës: Te Tomori munguan hapësirat për futbollistët e rinj

Megjithëse kampionati ka përfunduar dhe futbollistët kanë hyrë zyrtarisht në pushimet e parakohshme, në Berat disa prej lojtarëve të rinj vendas vijojnë të stërviten individualisht për të ruajtur formën sportive. Njëri prej tyre është edhe sulmuesi i ri beratas, Xheison Lajthia, i cili sezonin e kaluar iu bashkua skuadrës së Tomorit, duke u konsideruar si një futbollist me perspektivë.xheison lajthia tomoriMegjithatë, ndryshe nga pritshmëritë, sulmuesi i ri mbeti në hije gjatë sezonit, kryesisht për shkak të mungesës së hapësirave për aktivizim. Në Berat ka pasur debat sportiv lidhur me mënyrën sesi u menaxhua elementi i ri vendas, pasi para nisjes së kampionatit stafi teknik kishte deklaruar se skuadra do të mbështetej te lojtarët e rinj dhe me perspektivë nga qyteti. Në fazën e parë, disa të rinj morën vëmendjen e stafit teknik, por gjatë pushimit mes fazave, trajneri i Tomorit deklaroi publikisht për “Panorama Sport” se ishte i zhgënjyer nga paraqitjet e futbollistëve të rinj beratas, duke theksuar se ata nuk kishin përmbushur pritshmëritë, edhe pse u ishte dhënë mundësia.

Ndryshe mendon Xheison Lajthia, i cili ka reaguar hapur për kushtet dhe hapësirat që iu krijuan të rinjve vendas. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai u shpreh se minutazhi i kufizuar ndikoi drejtpërdrejt në performancën dhe moralin e lojtarëve të rinj. “Personalisht prisja të më jepej më shumë mundësi aktivizimi, sepse vetëm duke luajtur më shumë minuta në fushë mund të tregoja vlerat e mia. Kur aktivizohesh vetëm në minutat e fundit, është e pamundur të japësh maksimumin. Në fillim të sezonit isha shumë i motivuar, sepse po merrja kohën e duhur, por më pas mungesa e minutave ndikoi shumë te morali ynë si futbollistë të rinj, edhe pse stërviteshim rregullisht gjatë gjithë javës si gjithë të tjerët”, tha Lajthia.

Mundësia e aktivizimit

Sulmuesi beratas foli edhe për mundësinë që mund të kishte zgjedhur të aktivizohej në kategori më të ulëta, vetëm për të pasur më shumë minuta loje, por sipas tij kjo nuk do të ishte zgjidhja e duhur. “Nuk mendoj se zgjidhja ishte të luaja në Kategorinë e Tretë, sepse është një futboll krejt tjetër. Te Tomori do të ishte zgjedhja më natyrale që të më jepej hapësira e duhur, ose të paktën të më linin te U-19 sipas moshës. Në vend të kësaj, qëndroja më shumë në nxehje sesa në fushë. Një lojtar i ri nuk mund të fitohet pa i dhënë minutat e nevojshme për të luajtur dhe për t’u rritur”, përfundoi Lajthia. Deklarata e sulmuesit të ri rikthen në vëmendje debatin mbi mënyrën e menaxhimit të talenteve të rinj vendas te Tomori, një çështje që duket se mbetet ende e hapur në ambientin sportiv beratas.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL