Sulmuesi afrikan e mbajti fjalën dhe shpëtoi Tomorin nga turpi, vazhdon zhgënjimi në Berat
Për skuadrën e Tomorit zhgënjimet në këtë kampionat duket se nuk kanë fund. Edhe në ndeshjen e fundit të zhvilluar në shtëpi ndaj Eagles, sportdashësit beratas u larguan sërish të pakënaqur nga stadiumi, pas një tjetër paraqitjeje të dobët të ekipit të zemrës.

Tomori jo vetëm që po zhvillon një sezon pa objektiva konkrete, por situata është bërë edhe më e vështirë, pasi skuadrat kundërshtare, me emër apo pa traditë, po arrijnë të marrin lehtësisht rezultat pozitiv në Berat, sidomos kur kanë nevojë urgjente për pikë. Përjashtim në këtë ecuri negative mbetet vetëm sfida me Butrintin, ku vendasit arritën të reagojnë. Barazimi i fundit ndaj Eagles ishte një tjetër shfaqje e zbehtë. Në fushë u panë dy “fytyra” të skuadrës. Një grup lojtarësh që luftonin dhe jepnin maksimumin, dhe një pjesë tjetër që dukej larg formës së tyre më të mirë. Edhe pse përballë kishin një kundërshtar modest, që lufton për mbijetesën, në shumë momente krijohej përshtypja se miqtë ishin zotër të fushës, duke e kthyer një transfertë tradicionalisht të vështirë si ajo e Beratit në një nga më të lehtat e këtij kampionati.
Tomori ishte shumë pranë humbjes, por barazimi erdhi në minutën e pestë shtesë. Protagonist ishte sulmuesi Abdulsalam Rahman, i cili shënoi golin e barazimit në limitet e kohës, duke prishur planet e skuadrës mike që e kishte menduar veten fituese. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi nigerian shprehu kënaqësinë për realizimin, por edhe keqardhjen për rastet e humbura: “Ishte goli im i pestë në fazën e dytë me Tomorin dhe për këtë jam shumë i lumtur. Megjithatë, më vjen keq që në këtë ndeshje humba tre raste të pastra shënimi. Kjo më ka dëshpëruar dhe nuk kam pse ta fsheh. Ngushëllimi i vetëm është se goli im shmangu humbjen dhe njëkohësisht ishte një premtim i mbajtur para ndeshjes”, u shpreh Rahman. Megjithatë, për Tomorin mbetet e qartë se në javët e mbetura kërkohet një reagim më i fortë, në mënyrë që sezoni të mos mbyllet mes zhgënjimit dhe kritikave të vazhdueshme nga tifozët.
Edi Spahiu- PANORAMASPORT.AL













