Sulmi i Partizanit, Garsia jashtë planeve të Kërnajës! Tekniku është i detyruar për lëvizje të tilla në çdo ndeshje
Oltijon Kërnajës i duhet të bëjë zgjedhje që shikohen si të vështira në çdo ndeshje, duke lënë lojtarë jashtë listës së gatshme për ndeshje. Në sfidën e fundit ra në sy mungesa e Xhudah Garsias, një vendim që bie në sy, duke qenë se sulmuesi u afrua në verë me pritshmëri të larta.
“Panorama Sport” mëson se Garsia është plotësisht i gatshëm nga ana fizike dhe nuk ka probleme dëmtimi, por thjesht nuk është preferuar nga trajneri Kërnaja për ndeshjen e fundit me Vllazninë. Futbollisti nga Trinidad dhe Tobago firmosk në qershor, me idenë për të shtuar forcat te reparti ofensiv, por minutat për të kanë ardhur në rënie. Pas pesë muajsh në skuadër, duket se konkurrenca dhe përshtatja me Shqipërinë, si dhe ndryshimet te Partizani kërkojnë ende kohë. Për të fituar sërish vendin e titullarit, Garsias do t’i duhet të bindë trajnerin fillimisht për t’u përfshirë në protokoll. Kërnaja ka treguar se vendimet i merr mbi bazën e ndeshjeve, ndaj kthimi i Garsias nuk do të ishte çudi.
RREGULLI Sipas rregullores, vetëm 21 lojtarë lejohen të jenë në protokollin e ndeshjes. Kjo e detyron stafin të bëjë përjashtime të pashmangshme në çdo javë. Edhe mungesat e shumta të Partizanit në këtë periudhë nuk e ndryshuan vendimin e trajnerit, i cili ka preferuar opsione të tjera para Garsias. Kërnaja ka lënë më parë jashtë edhe lojtarë si Rrok Toma apo Gjergji Kote, të cilët më pas janë rikthyer dhe kanë pasur mundësitë e tyre. Ky precedent tregon se situata e Garsias nuk është përfundimtare, për këtë nuk përjashtohet që të rikthehet në në ndeshjen e ardhshme.
MINUTAT DHE KONTRATA Mesfushori firmosi në verë një kontratë 1+1, e përdorur vazhdimisht nga klubi gjatë merkatos. Ky opsion e bën rinovimin një çështje të vështirë në këto momente, pasi para se të diskutohet e ardhmja, Garsia duhet të fitojë minuta. Hera e parë që nuk u përfshi në protokoll për këtë sezon, ishte kundër kuqbluve. Vazhdimisht mori minuta, deri në fitoren me Flamurtarin. Më pas nuk mori asnjë minutë përballë Egnatias. Ndaj Dinamos si titullar ku iu anulua edhe një gol, si dhe me Vorën që u aktivizua nga stoli, për të ishin minutat e fundit. Sfidën me Teutën e pa në stol, teksa erdhi edhe vendimi kundër Vllaznisë.
SULMI Partizani po përgatitet për ndeshjen e së premtes ndaj Elbasanit, një takim me rëndësi për ecurinë e kampionatit. Në këtë sfidë rikthehet Diego Kontreras, i cili mungoi kundër Vllaznisë për shkak të kartonit të kuq. Sulmuesi kolumbian pritet të marrë minuta, ashtu si edhe Atanaskoski. Duke parë rikthimet dhe gjendjen aktuale të ekipit, ndryshimet në protokoll krahasuar me ndeshjen e fundit duken të pashmangshme.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













